Renato Muhaj, shqiptari që tronditi Floridën dhe Shqipërinë me aktin mizor të vrasjes së bashkëshortes së tij, ka dalë ditën e djeshme para gjykatës.
Advertisements
Nga sa bëjnë me dije mediat vendëse shqiptari nuk ka shprehur asnjë pendesë për aktet e njëpasnjëshme kriminale që ka kryer, por i ka kërkuar gjykatës një avokat.
Gjyqtari ia ka premtuar, por më pas shqiptari ka kërkuar edhe të lërë garanci bankare për lirimin e tij nën pretekstin se ka një vajzë të mitur të vetme. Mirëpo këtu gjyqtari nuk ka toleruar duke ia bërë të qartë thuajse gjithçka: Ti kurrë s‘do ta shohësh më vajzën tënde!
Advertisements
Mediat vendase kanë folur edhe me familjen e të ndjerës, Suelës, të cilët të tronditur kanë thënë se i kërkojnë falje që ishin vonë dhe se shpëtuan dot, ndërkohë që edhe në Mallkastër, në vendlindjen e vajzës që punonte bankiere prej dy ditësh flitet dhe mbahet zi për të.
GJYQI SIPAS MEDIAVE AMERIKANE
Rreth 20 orë pasi kreu një sërë krimesh, Renato Muhaj doli para gjykatës në SHBA. Janë 8 akuza që rëndojnë mbi shqiptarin, më e rënda ajo e vrasjes së ish-partneres Suela Saliaj, gjithashtu shqiptare. Prokuroria e Largos në Florida thotë se krimet e 34-vjeçarit sa erdhën dhe u përkeqësuan në një hark kohor prej pak orësh. Megjithatë ashtu siç nuk arriti dot të shkonte larg me vajzën e tij 8-vjeçare, të cilën e rrëmbeu, dita kur do të lerë qelinë do të jetë e largët.
Mediat amerikane publikuan pamjet e Renatos në gjykatë. Gjyqtari i lexoi shqiptarit listën e gjatë të akuzave që rëndojnë mbi të, i vendosi 50 mijë dollarë si garanci pasurore dhe ashtu siç artikuloi shifrën, e njoftoi se nuk do të ishte e mundur ta përdorte këtë të drejtë, për shkak të akuzës së vrasjes së shkallës së parë. Detektivët thonë se Muhaj vrau brutalisht Suelën, e më pas e rrëmbeu të bijën.
Me të zbuluar trupin e së resë dhe mungesën e vajzës së saj të vogël autoritetet lëshuan alarmin AMBER. Muhaj u gjet pak kohë më pas bashkë me të bijën në makinë dhe u arrestua.
Në dosjen hetimore që mediat amerikane kanë publikuar, detektivët përshkruajnë sulmin e Muhajt ndaj prindërve të tij në Clearwater rreth orës 02:45 të së hënës dhe sesi nuk i lejoi që të telefonin 911 (shërbimi i emergjencës).
Detektivët shkruajnë se më pas ai shkoi tek shtëpia e Suelës, në Largo, ku përdori përforcues grushti dhe thikë për ta rrahur dhe vrarë atë në sy të vajzës së tyre 8-vjeçare. Kjo e fundit i tha policisë se e kishte pyetur të atin se përse ia vrau të ëmën dhe ai i tha se ‘donte që Suela të vdiste’. Hetuesit i gjetën armët e krimit në vendin e ngjarjes. 8- vjeçarja rrëfeu po ashtu se pas vrasjes, i ati e tërhoqi me forcë për ta futur në makinë.
Krimi i la fqinjët të shokuar: “Është shumë e trishtë të dëgjosh çfarë i ndodhi nënës së saj, është kaq e vogël”, – shprehet një prej tyre.
Gjykatësi u sigurua po ashtu që Muhaj nuk do të jetë kurrë në gjendje ta shohë vajzën e tij, nëse ndonjë ditë del nga burgu.
Ndërkohë, vetë 34-vjeçari në gjykatë nuk shprehu asnjë lloj emocioni. Ai pati vetëm një pyetje: “A do caktoni avokat për mua?” “Po”, iu përgjigj gjyqtari, duke shtuar se avokati ishte prezent në seancë. Në mesin e akuzave që rëndojnë mbi 34-vjeçarin janë vrasje, abuzim me të miturit, rrëmbim dhe dhunë ndaj vetë prindërve të tij.