Një rreshter i policisë së Nju Jorkut vrau gruan e tij shqiptare dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten.
Advertisements
Departamenti i Policisë në Clarkstown i identifikoi viktimat në vrasje-vetëvrasje si 49-vjeçari Watson Morgan, gruaja e tij Ornela Morgan, 43 vjeç dhe dy djemtë e çiftit, 10 dhe 12 vjeç.
Autoritetet thanë se të katër kishin plagë me armë zjarri dhe një pistoletë u gjet në vendngjarje.
Advertisements
Trupat e tyre u zbuluan nga policia vetëm pas mesnatës të së premtes në shtëpinë e familjes në New City, një periferi të qytetit të Nju Jorkut, pasi Morgan nuk u paraqit për turnin e tij të mbrëmjes në Departamentin e Policisë Bronxville.
“Në këtë fazë të hetimit besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Policisë në Clarkstown.
Watson ishte një oficer në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut për shtatë vjet.
Më pas ai iu bashkua forcës së policisë në Bronxville, që ndodhet në Westchester County, në vitin 2007 dhe u promovua në rreshter në 2016.
Sipas një postimi në Twitter nga llogaria zyrtare e Educators of New York, Ornela Watson ishte një mësuese e shkollës publike në qytetin e Nju Jorkut.
Një fqinje e familjes, e cila kërkoi të mos i përmendej emri, tha për New York Post se komuniteti kishte mbetur i tronditur.
“Kurrë në një milion vjet nuk do të prisja që ai të bënte diçka të tillë,” tha gruaja. “Fëmijët ishin gjithmonë këtu duke luajtur jashtë, dhe nëna e tyre ishte thjesht personi më i ëmbël që keni takuar ndonjëherë… Jemi në shok. Të gjithë në këtë komunitet janë të tronditur.”
Shefi i policisë së Bronxville, Christopher Satriale tha në një deklaratë se tragjedia e la departamentin me “zemra thellësisht të thyera për humbjen e pakuptimtë të jetëve të pafajshme”.