Edhe në Francë kanë vazhduar protestat e fermerëve, ku ka pasur një të vdekur dhe dy të plagosur rëndë. Një fermere vdiq në një postbllok në një autostradë kombëtare nga Tuluzë, tha presidenti i organizatës së fermerëve FNSEA, Arnaud Rousseau. Burri dhe vajza e saj u plagosën rëndë. Të tre ishin me sa duket pas një bllokade të ngritur me kashtë në Pamiers, kur një shofer u përpoq të kalonte barrikadën, raportoi BFMTV.
Advertisements
Vetura kishte hyrë në rrugën nacionale pavarësisht një bllokimi rrugor, më pas u përplas në errësirë me bllokadën me kashtë, pas së cilës demonstruesit ishin ulur në një tendë. Makina më pas rrëshqiti në një rimorkio traktori dhe goditi viktimat. Sipas njoftimit për media, prokuroria nuk mendon se ka pasur paramendim. Tre personat që ndodheshin në veturë u ndaluan.
Pas një takimi midis organizatave bujqësore dhe kryeministrit Gabriel Attal të hënën në mbrëmje, fermerët francezë i zgjeruan protestat e tyre. Në jug të Lionit, sipas prefekturës autostrada e rëndësishme veri-jug A7, pranë Albonit, u bllokua nga rreth njëzet fermerë me traktorët e tyre në të dyja drejtimet gjatë natës.
Advertisements
Autostradat të bllokuara, trafik hekurudhor i penguar
Më parë, hyrja në termocentralin bërthamor Golfech ishte bllokuar nga fermerët në jug të Francës, siç raportonte gazeta “La Dépêche du Midi”. Pranë kufirit spanjoll, afër Perpignan-it, fermerët pushtuan një kabinë për pagesat në autostradë.
Në zonën e Tuluzës në Francën jugore, sipas autoriteteve kanë vazhduar bllokadat e disa autostradave. Autostrada Bordeaux për në Spanjë u bllokua në të dy drejtimet në Bayonne, jo shumë larg kufirit.
Trafiku hekurudhor midis Bordosë dhe Tuluzës mbetet gjithashtu i bllokuar nga fermerët protestues. Operatori hekurudhor SNCF raportoi zjarre pranë shinave. Fermerët ndezën zjarre me fuçi në stendat e tyre të protestës.
Protestat u zhvilluan të hënën edhe në Alsace, në kufirin franko-gjerman pranë Lauterbourg-ut. Fermerët francezë bllokuan me fermerët gjermanë urën e një rruge departamenti që lidh Gjermaninë me autostradën A35, që ndodhet në bregun e majtë të Rinit, në drejtim të Strasburgut, siç raportoi gazeta “Les Dernières Nouvelles d’Alsace«”.
Protesta e fermerëve francezë fokusohet tek rregullat e tepruara, gjendja e të ardhurave, tek kostot e energjisë dhe, si në Gjermani, tek çmimi i naftës bujqësore. Në rajonet jugore, furnizimi me ujë i fermave po kthehet gjithashtu në problem në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike./dw