Thellohet skandali me AKSHI, bien faqet e Tatimeve, e-Albania, ILDKPI, KLSH dhe Kadastra, miliona euro të investuara për mbrojtjen e të dhënave hidhen në erë, Linda Karçanaj që mbrohet nga Edi Rama

“E organizuar sipas modelit amerikan dhe me teknologjinë më të mirë, Qendra Qeveritare Operacionale e Sigurisë ka parandaluar me sukses çdo tentativë keqdashëse duke garantuar siguri të plotë për Shqipërinë”. Ky ishte një reagimet para disa javësh të Linda Karçanajt, personit përgjegjës në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila njoftoi ngritjen e Qendrës Qeveritare Operacionale të Sigurisë, e cila duhet të ruajë në kohë reale hapësirën digjitale. Por edhe pse janë hedhur miliona euro investim për forcimin e sigurisë, ditën e djeshme u vërtetua sërish se paratë tona janë shpërdoruar pasi vetëm siguri të të dhënave personale nuk kemi. Pas sulmit mbi kompaninë telefonike One dhe Kuvendit të Shqipërisë, radhën e kanë patur sistemet dixhitale të Kadastrës dhe ai i Tatimeve. Rënia e sistemit elektronik të Tatimeve bllokoi dje të gjitha transaksionet në ekonomi, teksa bizneset nuk mund të fiskalizonin dot asnjë faturë. Por Tatimet nuk janë të vetmet që u sulmuan. E-Albania, portali qeveritar përmes të cilit shteti ofron të gjitha shërbimet publike u bllokua. Qytetarët për disa momente nuk mund të kryenin dot asnjë veprim. Ndërkohë ra edhe sistemi i Kadastrës, si edhe KLSH.

Advertisements

Justifikimet e AKSHI

Është bërë zakon nga kjo qeveri që asnjëherë të mos mbajë përgjegjësi për punën që nuk e bëjnë si duhet. AKSHI vazhdon të përsërisë të njëjtat argumente se nuk janë dëmtuar të dhënat, por që në fund nuk pasqyrojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ka terr informativ për qytetarët. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit sqaroi opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike. “Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. AKSHI thekson se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike. Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë. Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti”, njoftoi AKSHI.

Advertisements

Si po mbrohet Karçanaj nga Edi Rama

Kryeministri Rama duhet ta shkarkonte menjëherë Karçanajn nga detyra që në momentin kur u publikuan listat e pagave të të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk e dha dorëheqjen pasi tha se nuk ka asnjë përgjegjësi për publikimin e listës së pagave dhe kreu i qeverisë nuk mori asnjë masë për këtë skandal të madh që shkaktoi “tërmet” në opinionin publik. Jo vetëm kaq, por masa e saj duhet të ishte më e rëndë kur plasi skandali i patronazhistëve. Të dhënat personale duhet të mbrohen me ligj dhe institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor për ti mbrojtur ato. Karçanaj, dështoi dhe socialistët që i kanë siguruar nga AKSHI, apo diku tjetër të dhënat personale duhet të mbanin përgjegjësi. Jo vetëm kaq, por shkarkimin urgjent ajo duhet ta merrte nga tenderat e dyshimtë që ka dhënë, pasi ato janë kthyer në monopol dhe i fitojnë të njëjtat kompani. Le ta marrim të mirëqenë se AKSHI-t po i bie në qafë. Le ta marrim të mirëqenë po ashtu se AKSHI nuk ka asnjë përgjegjësi për patronazhistët, për rrjedhjen e të dhënave dhe skandalet e tjera dhe fajtorët kryesorë janë hakerat. Po për lekët e taksapaguesve shqiptarë si do i bëhët? Kush do të mbajë përgjegjësi nëse fajtore nuk është Karçanaj e cila është shndërruar si një monument kulture që vazhdon të mbrohet nga Edi Rama?

Artikulli paraprakI FUNDIT/ GJKKO dënon me 3 vite burg ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla
Artikulli tjetërMbesa e Ingrit dhe Inis Gjonit poston foton e fundit të pa publikuar të mamasë: Nuk arrite ta postoje për Krishtlindje se Zoti të mori pranë