Silvinjo nuk sheh të sigurt askënd në Europian, rekomandon Brojën të rrisë nivelin

Kualifikimi i Shqipërisë në Europian ka sjellë që shumë lojtarë të rrisin pretendimet për të qenë në listën e të ftuarve. Nuk do të jetë e lehtë, pasi Silvinjo ua ka bërë të qartë se në listë do të jenë lojtarët më në formë. Për këtë mund të digjet edhe ndonjëri që ka kontribuar gjatë kualifikueseve, pasi në Europian kërkohet që lojtarët të jenë në top-formë. Madje, as një sulmues si Armando Broja nuk e ka të sigurt, e aq më tepër Taulant Seferi që luan në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Advertisements

Broja duhet të rritet, mund ta kapë Kombëtaren

Trajneri Silvinjo është rikthyer të flasë për sulmuesin Armando Broja teksa theksoi se për momentin më e rëndësishme është që ai të gjejë formën më të mirë, pasi vjen nga një dëmtim i rëndë. “Sa i përket Brojës, është një futbollist shumë i fortë teknikisht, i një kalibri tjetër. Ka pasur një dëmtim të rëndësishëm, që e mbajti larg fushave 10-11 muaj. Po rikthehet, por nuk është e lehtë. I duhet që të rikuperohet avash-avash dhe të marrë kohën e tij për të luajtur rregullisht. Ai është i fortë dhe do të bëjë mirë në muajt e ardhshëm. Situata e tij ka qenë e vështirë dhe duhet të kujdeset për shëndetin e tij, të rigjejë ritmin dhe sigurisht që mund të vijë në kombëtare”, u shpreh Silvinjo.

Advertisements

Ndeshja me Çekinë në Pragë, kthesa e eliminatoreve

Eliminatoret ndikuan shumë në rritjen e Shqipërisë në sytë e medieve sportive botërore, aq sa trajneri Silvinjo ka qenë javët e fundit një nga figurat më të kërkuara jo vetëm në Europë por edhe jashtë saj. Shqipëria e tij ia doli të sigurojë një biletë për në Europianin e Gjermani 2024-ës, duke u renditur e para në grupin eliminator, teksa trajneri Silvinjo është rikthyer të flasë për suksesin e kuqezinjve. Braziliani theksoi se ndeshja më e vështirë e kuqezinjve në eliminatore ka qenë ajo e Pragës ndaj Çekisë, ku Shqipëria ia doli të marrë një pikë mjaft të rëndësishme. “Për ne nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha ndeshjet janë të vështira për Shqipërinë dhe jemi përgatitur shumë para çdo sfide. Gjatë rrugëtimit prej 8 takimesh eliminatore, unë mendoj se një ndeshje shumë e vështirë ishte ajo në Pragë ndaj Çekisë, ku morëm një pikë. Atje u përballëm me një skuadër shumë të fortë, fizikisht shumë lart dhe të vendosur mirë në fushë. Morëm një pikë shumë të vështirë, duke vuajtur. E lehtë nuk ishte asnjë ndeshje”, theksoi Silvinjo.

Sulmuesi/ Taulant Seferi gjen golin e tretë në Arabi

Sulmuesi Taulant Seferi duket se po gjen formën e tij më të mirë pas një fillimi të vështirë në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe ku firmosi pak muaj më parë për skuadrën e Bani Jas. Ai tani po shënon rregullisht me ekipin e tij dhe dje realizoi golin e radhës, i treti në 4 ndeshjet e fundit, duke çuar në 5 bilancin e tij sezonal në 11 ndeshje të luajtura. Në sfidën e luajtur kundër pretendentëve për titull të Shabab Al Ahli, Seferi shfrytëzoi më së miri një pasim në minutën e 58-të të sfidës duke kontrolluar me të djathtën për të shmangur në mbrojtës e pastaj për të lënë në vend portierin me një gjuajtje me këmbën tjetër, duke shkurtuar përkohësisht diferencën në 2-1. Në sezonin e kaluar, Seferi shënoi 13 gola në 28 ndeshje për skuadrën e Vorskla Poltavës në Ukrainë.

Artikulli paraprakMisteri i armës dhe saga e hakmarrjeve/ Si u vra me 3 plumba brenda qelisë Arben Lleshi nga Sokol Mjacaj! Dyshimet se ekzekutimi i tij u porosit nga jashtë
Artikulli tjetërÇfarë ndodhi mbrëmë në Fier? 21-vjeçari u mbajt peng nga dy persona, efektivi i “Shqiponjave” nuk i denoncoi, përfundojnë në qeli