Misteri i armës dhe saga e hakmarrjeve/ Si u vra me 3 plumba brenda qelisë Arben Lleshi nga Sokol Mjacaj! Dyshimet se ekzekutimi i tij u porosit nga jashtë

Ekzekutimi i të dënuarit përjetë, Arben Lleshi, në burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin ka shokuar opinionin publik. Ngjarja e rëndë vjen pak ditë pasi jo pak herë erdhën sinjale nga ky burg për protesta dhe kërcënime me greva urie për shkak të kushteve jo të mira që kanë të burgosurit në atë vend të vuajtjes së dënimit.
Ekzekutimi është bërë në mënyrë mafioze, ndërsa ende mbetet mister mënyra se si është futur arma brenda atij burgu.

Advertisements

Ditën e djeshme kanë reaguar një sërë titullarësh, bashkë me Ministrin e Drejtësisë, i cili ka treguar se gjithçka është nën kontroll në atë burg dhe se autori i krimit të rëndë është neutralizuar pas negociatave.

Vrasësi pati tronditur edhe më herët vendin me një nga krimet më të rënda të ndodhura në vendin tonë, kur ai iu mori jetën dy turistëve në zonën e tij. Ai u dënua me burg të përjetshëm për atë vrasje të dyfishtë, vetëm për t’u marrë një telefon, por ditën e djeshme ai vrau dhe askush nuk di të thotë se përse e ekzekutoi Arben Lleshin.

Advertisements

Janë një sërë grupesh hetimore që kanë marrë përsipër hetimin, ndërsa bëhet me dije se Sokol Mjacaj, vrasësi i djeshëm në burg, ishte përcaktuar prej ditësh të lëvizej në burgun e Reçit dhe për të gjithë këta ka folur vetëm Ulsi Manja.

REAGIMI I MANJAS

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e djeshme në burgun e Peqinit ku i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj vrau të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm Arben Lleshi dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Teksa nuk dha detaje për dinamikën e ngjarjes, duke thënë se hetimet po vijojnë Manja tha se nuk është cenuar personeli policor gjatë ngjarjes dhe se situata tashmë është nën kontroll.

“Ngjarje tepër e rëndë. Ka humbur jetën një i dënuar dhe është plagosur lehtë një tjetër i dënuar. Dua të ngushëlloj familjarët e dënuarit që ka humbur jetën, t’i uroj shërbim të shpejtë të dënuarit tjetër që është plagosur. Autori i kësaj ngjarje të rëndë është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe pas kryerjes së krimit i është drejtuar drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Pas dorëzimit, është vënë në dispozicion të prokurorit të gatshëm të Elbasanit. Nuk ka pasur në asnjë moment cenim të jetës dhe sigurisë të personelit policor. Për dinamikën e ngjarjes, do të duhet të presim rezultatet e hetimit që po zhvillon prokuroria”, tha Manja.

I pyetur nga gazetarët se përse urdhëroi futjen në regjimin e posaçëm “41 bis” Sokol Mjacajn, autorin e vrasjes së Arben Lleshit para se të ndodhte krimi i rëndë në burgun e Peqinit, ministri Ulsi Manja tha se urdhri u dha për ngjarje të tjera të tij në burgun ku po vuante dënimin.

“Procedura e vendosjes në regjim të posaçëm, u urdhërua për ngjarje të tjera që lidhen me të dënuarin Sokol Mjacaj. Ka një procedurë që duhet të ndiqet për vendosjen e një personi në regjimin e posaçëm. Edhe mënyra e komunikimit të vendosjes në regjimin e posaçëm ka një procedurë të caktuar” tha Manja.

Ndërkohë pas ngjarjes ministri i Drejtësisë ka dhënë urdhër që të gjitha burgjet e vendit të kalojnë në sigurinë më të lartë, ndërsa mësohet se do të merren në pyetje të dënuar dhe drejtues të institucioneve ku më parë Mjaca ka vuajtur dënimin. Kjo me qëllim mbledhjen e informacioneve për të hedhur dritë nëse kjo ngjarje ka qenë e planifikuar më parë.

HETIMET DHE DYSHIMET

Është prokuroria e Elbasanit që do të udhëheq hetimet në lidhje me mënyrën se si ka hyrë arma në ambientet e burgut të Peqinit. Po ashtu pritet të hidhet dritë mbi konfliktet që janë gjeneruar brenda qelisë në lidhje me viktimën Arben Lleshi, nëse viktima dhe autori kanë pasur ndonjë përplasje të mëhershme.

Por duke iu referuar të shkuarës së viktimës, ka dyshime që Mjacaj të jetë përdorur me porosi nga jashtë për ekzekutimin e Lleshit. Pritet të merret në pyetje Mjacaj që i mori jetën dje edhe Arben Lleshit, shokut të qelisë së viktimës që u plagos.

Personeli i burgut, dhe miqtë në burg të dy palëve do të jenë objekt hetimi, ndërkohë që ngjarja ka ende pikëpyetje të mëdha.

VRASJA E TURISTËVE

Më 3 korrik 2015, Sokol Mjacaj me banim në fshatin Lotaj ka vendosur të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë makinë me turistë në zonën e Dukagjinit. Me vete ka marrë automatikun dhe dy karikatorë që i mbante në shtëpi, i ka futur në një çantë sportive. Aty ka kaluar mjeti tip Nissan Patrol, ngjyrë gri, me targë Çeke CZ 4P89798, me udhëtarë viktimat Michal Svatos dhe Anna Kosinova.

Mjacaj i ka përshëndetur shtetasit në fjalë, e më pas iu ka kërkuar (duke komunikuar me shenja) që ta merrnin në makinë por, drejtuesi i mjetit i ka bërë shenjë se nuk kishte vend dhe nuk e ka marrë, duke tentuar të vazhdojë lëvizjen me makinë. Po ai ka mundur të hyjë më forcë. Kjo e ka nervozuar viktimën Michal Svatos, i cili e ka zbritur nga mjeti të pandehurin. Në këtë moment, i pandehuri Sokol Mjaçaj ka nxjerrë automatikun nga çanta dhe ka qëlluar në ajër disa herë, duke e detyruar viktimën ta ndalojë mjetin.

Pasi ka hyrë në mjet, i pandehuri është ulur pas pasagjerit dhe shoferit, duke mbajtur automatikun e mbushur, me fishekë në fole, në drejtim të dy viktimave. Po ashtu, në momentin që ka hipur në mjet, iu ka marrë këtyre shtetasve aparatet celularë, në mënyrë që ata mos kishin mundësi të lajmëronin rreth këtij fakti, duke planifikuar që t’i grabiste sapo të afrohej në zonën e quajtur “Ura e Shtrenjtë”, pasi nga kjo zonë mund të largohej më lehtësisht në drejtime të ndryshme.

Rreth mbrëmjes, në momentin që mjeti është afruar afër zonës së quajtur “Ura e Shtrenjtë”, Michal Svatos ka bërë disa manovrime me mjet. Për këtë arsye, Mjacaj, duke menduar se viktima Michal Svatos, me këto veprime ka dashur t’i marrë automatikun, e ka qëlluar këtë shtetas dy herë me armë zjarri e më pas ka qëlluar një herë pasagjeren Anna Kosinova, duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas vrasjes së dy shtetasve në fjalë, i pandehuri ka dalë nga xhami i dritares së mjetit, i cili ishte përmbysur në njërën anë, në mes të rrugës, duke lënë brenda në mjet automatikun që i kishte rënë nga dora në momentin e përmbysjes së mjetit dhe ka lëvizur në këmbë në drejtim të kundërt me të.

4 të vrarë dhe një i zhdukur në familjen Lleshi

Arben Lleshi është i dënuari që u ekzekutua sot nga Sokol Mjacaj brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Aty ai vuante dënimin përjetë për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij brenda një makine, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2012 në Britaninë e Madhe.

Ishte pikërisht kjo ngjarje që nisi sagën e vrasjeve dhe eliminimeve në fisin Lleshi, pasi në vitin 2013 u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit.

Më pas në vitin 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai tjetër i viktimës së djeshme Arben Lleshi. Ndërkohë në vitin 2017 u zhduk pa gjurmë Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur sot e kësaj dite.

Të njëjtin fat pati edhe Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020 dhe eshtrat e tij u gjetën në pronën e dajave të viktimës së shkaktuar nga Arben Lleshi në Angli, Agim Hoxha.

Me vrasjen e sotme të Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj bilanci i vrasjeve në familjen Lleshi arrin në 4 të vrarë dhe një tjetër person që është zhdukur pa gjurmë.

Artikulli paraprakKërkoj garanci për jetën, si u dorëzua Sokol Mjacaj, i hodhën prangat në qeli
Artikulli tjetërSilvinjo nuk sheh të sigurt askënd në Europian, rekomandon Brojën të rrisë nivelin