Policia e Fierit ka arrestuar dy persona, të cilët për motive të dobëta rrëmbyen një 21-vjeçar mbrëmjen e djeshme.
Advertisements
Në pranga ka rënë edhe punonjësi i Policisë Gestian Ymeraj, i cili kishte dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë.
“Gjatë operacionit policor të koduar “Ferras”, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i dy prej autorëve, shtetasve Kejvi Brahimllari, 26 vjeç dhe Elisiano Abazaj, 25 vjeç, banues në Fier, si edhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja me dhunë” të kryera në bashkëpunim”, njofton policia.
Advertisements
Nga veprimet hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e shtetasit H. T., 21 vjeç, kanë ndaluar automjetin me të cilin ky shtetas po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.
Gjithashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se punonjësi i policisë Gestian Ymeraj, 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
U sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras./albeu.com