Si u tradhtua Dritan Rexhepi, njeriu më i kërkuar në Europë(Dosja)

Pak ditë më parë në Stamboll u arrestua i shumëkërkuari, Dritan Rexhepi, kreu shqiptar i kartelit të drogës.

Advertisements

Ndërkohë emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen e tij për vrasjet në vitin 1999, si dhe përfshirjen e tij në botën e trafikut të lëndëve narkotike.

Në vitin 1999, Rexhepi vrau Arben Keqi e Durim Kasmi, të dy police. Sipas dosjes Dritan Rexhepi eliminoi Kasmin për llogari të Shkëlqim Hakës, pasi viktima kishte qëlluar me grusht Hakën.

Advertisements

Dritan Rexhepi nuk është më i pakapshëm.

I lindur në Velçë të Vlorës, në një familje me 4 fëmijë, Rexhepi që emrin e lindjes e ka Gramoz, mund të quhet pa frikë si një nga mendjet gjeniale të botës së krimit, dhe ndoshta shqiptari më i rëndësishëm në botën e narkotrafikut, të paktën deri më tani.

Njeriu që pas El Chapos, ishte cilësuar si i arratisuri më i kërkuar i karteleve të drogës, që kishte thyer disa herë burgjet më të larta të sigurisë në kërkim të lirisë, tashmë nuk mund të konsiderohet më një fantazmë për policinë ndërkombëtare, që ishte vënë nga pas, që nga arratia e tij e fundit në 2022, nga një burg ekuadorian.

Liri që mori fund mëngjesin e datës 8 Nëntor 2023, vetëm pak ditë pasi kishte zbritur në një aeroport turk dhe fshihej në Beylikduzu, një lagje e varfër e Stambollit, me ndërtesa të ulta, e cila shërben si vendstrehim edhe për shumë vizitorë të huaj. Ashtu sikurse ishte kamufluar këtë herë edhe vetë Dritan Rexhepi, i cili mbante një pasaportë kolumbiane me gjeneralitetet Benjamin Omar Perez Garcia.

Lajmi i parë për arrestimin e tij që u dha nga vetë Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, i cili nëpërmjet një njoftimi në rrjetin e tij social facebook, të shoqëruar edhe me pamjet filmike të operacionit të arrestimit të Dritan Rexhepit, nuk e fshehu aspak entuziasmin dhe euforinë për këtë arrestim.

Duke treguar kësisoj edhe për rëndësinë që ky personazh ka në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku ishte kthyer në një nga bosët më të egër të linjës së trafikimit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, sii dhe në një shqetësim madhor me kartelin e tij ‘Kompania Bello’ dhe për një vend si vetë Turqia.

“Trafikanti, Dritan Rexhepi, i cili ndiqej ndërkombëtarisht ka hyrë në vendin tonë nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane, i regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia.”, thuhet në deklaratën e Ali Yerlikaya.

Por si u arrestua në Stamboll Dritan Rexhepi, në gjeneralitetet Benjamin Omar Perez Garcia, i cili ka mbajtur edhe shumë identitete të tjera të rreme dhe cila janë akuzat e ngritura ndaj tij nga Italia dhe Shqipëria, që prej kohësh e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar?

Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Brendshme Turke, bosi i ‘Kompanisë Bello’, i njohur ndryshe si lideri ndërkombëtar i transportit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, u arrestua në kuadër të operacionit ‘Karteli’. Që nga arratia në vitin 2022 nga një burg në Ekuador, ku ai preu byzylykun e sigurisë që kishte në njërën këmbë, emri i tij ishte shënuar me kodin e kuq, si një ndër njerëzit më të kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese në disa vende, përfshirë dhe Shqipërinë.

Siç shikohet edhe nga këto pamje të shërbyera nga vetë Ministria e Brendshme e Turqisë, Dritan Rexhepi u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së datës 8 Nëntor, nga forca të shumta operacionale të drejtorisë së Narkosit në Stamboll, të specializuara në luftën kundër drogës.

Ai po qëndronte në këtë rezidencë luksoze në lagjen Beylikduzu, kur dera e vilës ku ai qëndronte u shpërthye me forcë nga agjentë të shumtë të antidrogës, ku Rexhepi nuk bëri rezistencë. Gjatë kontrollit, policia gjeti edhe armë dhe municione si edhe sende me vlerë, të cilat u morën në dorëzim. Edhe pse në Turqi, Dritan Rexhepi do të përballet me ligjin në akuzën e ‘udhëtimit, falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, si edhe mbajtjes së paligjshme të armëve dhe municionit’, në Shqipëri dhe Itali kanë një tjetër mendim për të.

Aty ku ai do të përballet me dosje të shumta në ngarkim të tij, të cilat nisin nga akuzat më të rënda të transportit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, deri te ato të ‘vrasje’, ‘trafik droge’ ‘rrëmbim’, ku edhe është shpallur i fajshëm në këto dy vende, nga organet gjyqësore respektive të dy shteteve. Akuza për të cilat Turqia është shprehur e gatshme tua dorëzojë Rexhepin, Italisë dhe Shqipërisë, dhe siç tha edhe ministri i Brendshëm i Turqisë, që vendi i tij është i gatshëm ta pastrojë Turqinë nga trafikantët e helmeve, duke iu referuar kështu drogërave të forta.

‘Ne jemi të vendosur të pastrojmë Turqinë nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe trafikantët e helmeve”, deklaroi Ali Yerkaliya.

Sipas medias turke, operacioni për kapjen e Dritan Rexhepit, i konsideruar si një ndër 10 personat më të kërkuar në planet nga Interpoli u krye nga forcat e sigurisë turke në bashkëpunim me ato italiane. Në këtë operacion morën pjesë Drejtoria e Degës së Inteligjencës së Policisë së Stambollit si dhe Ekipet e Drejtorisë Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll.

I njohur si edhe si mjeshtri i arratisjeve nga qelitë, media turke i bën edhe një radiografi të gjatë bëmave të Dritan Rexhepit, ndërsa emri i tij herë pas herë ka zënë faqet e mediave ndërkombëtare.

Po si i hyri Rexhepi botës së krimit dhe cila është karriera e tij në botën e nëndheshme? Djali i madh i Olimbisë dhe Luanit, Dritan Rexhepi kishte synime për të vazhduar universitetin në degën e drejtësisë. Atëkohë familja e tij ishte shpërngulur nga Velça në qytetin e Vlorës dhe i riu punonte në biznesin e familjes. Kur Vlora ishte thuajse e shkërmoqur nga ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997, Rexhepi nis të përfshihet në krime të ndryshme.

Prokuroria e Vlorës kishte nisur ndaj tij hetimet për tentativë vrasje dhe në vitin 2003 u firmosën dënimet e para për të. Më herët, në vitin 1999, Dritan Rexhepi do të skedohej për vrasjen e punonjësit të policisë Durim Kasmi, si dhe të Ramazan Bakiut, ky i fundit një viktimë rastësore, pasi shërbente në lokalin ku ndodhi krimi.

“Nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 6 Tetor 1999, ku ka gjetur vdekjen shtetasi Durim Kasmi dhe u plagos Ramazan Bakiu, i cili ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital janë gjetur, ndër të tjera, 37 gëzhoja metalike, një çantë e zezë sintetike, me dy rripa, nje krehër automatiku, me sustën e nxjerrë jashtë.

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor nr.33, datë 6 Tetor 1999, se viktima Durim Kasmi, ka vdekur si rezultat i goditjeve me armë zjarri”, thuhet në dosjen hetimore.

Dyzetë ditë përpara kësaj ngjarje, Kruja ishte tronditur nga një tjetër krim i rëndë, pra vrasja e oficerit të policisë, Arben Keqi, mik me Durim Kasmin. Keqi u qëllua për vdekje me 27 gusht 1999, në sytë e të vëllait por edhe të një kolegu, oficer policie, i cili u largua nga Kruja pas krimeve, për shkak të kërcënimeve. Veç miqësisë së dy viktimave, ngjarjet i lidhte edhe një tjetër detaj, arma e krimit.

“Nga akti i ekspertimit balistik rezulton se nga 37 gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes ku gjeti vdekje shtetasi Durim Kasmi dhe u plagos Ramazan Bakiu, i cili edhe ai më pas gjeti vdekjen dy ditë më vonë, 11 prej tyre, janë qitur nga një armë zjarri, të cilës i është vendosur shuli i armës, që ka qitur 28 gëzhojat e gjetura dhe të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes ku mbeti i vrarë shtetasi Arben Keqi më datë 27 Gusht 1999.”, thuhet në dosjen hetimore.

Për vrasjen e Arben Keqit, prokurorët hetuan Sokol Halilaj, mikun e ngushtë të Dritan Rexhepit, por ai më vonë do të merrte pafajësinë jo vetëm për këtë krim, por edhe për ekzekutimin e policit tjetër Durim Kasmi.

Po si ranë prokurorët në gjurmët e vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi? Ndihma ju erdhi nga Shefqet Seferi, bashkëpunëtor në vrasjen e Durim Kasmit i cili vendosi të rrëfehej për drejtësinë.

“Bashkë i pandehuri Shefqet Seferi, ka njohur me anë të fotografisë, të pandehurin Dritan (Gramoz) Rexhepaj, si shtetasin Gramoz nga Vlora,

që ka vrarë, në bashkëpunim me të bashkëpandehurin Sokol Halilaj, shtetasin Durim Kasmi dhe ka plagosur rëndë shtetasin Ramazan Bakiu, i cili ndërroi jetë më vonë”, thuhet në dosjen hetimore.

Shefqet Seferi iu tha hetuesve se plani për vrasjen e Durim Kasmit u bë në shtëpinë e Shkëlqim Hakës, nga një të fortët e zonës së Niklës.

“Unë shtetasin Durim Kasmi e kam njohur që në vitin 1996-1997, kur ai punonte si punonjës policie në Krujë. Mesa kujtoj ka qenë vjeshta e vitit 1999 në një kohë rreth 5 javë më vonë nga vrasja e Arben Keqit janë vrarë Durim Kasmi dhe Ram Bakiu. Katër ditë para vrasjes së Durimit në shtëpinë time në Zgërdhesh ka ardhur babai i Shkëlqim Hakës, Shaban Haka, ku ai më tha që të vija me të, pasi më kërkonte Shkëlqimi se kishin ardhur ato shokët nga Vlora. Bashkë më Shabanin kam shkuar të shtëpia e Shkëlqimit në fshatin Zezë të Niklës, ku takuam Shkëlqimin, Sokolin nga Vlora dhe një djalë tjetër po nga Vlora quhej Gramoz. Shkëlqimi më tha se dy djemtë nga Vlora do të vrisnin policin Durim Kasmi”, ka deklaruar Shefqet Seferi.

I penduari shpjegoi se motivi i vrasjes ishte hakmarrja, pasi polici kishte goditur me grusht kushëririn e Shkëlqim Hakës.

“Mora vesh se disa ditë pas vrasjes së Arben Keqit, Kamberi kishte marrë makinën e Enver Hakës dhe po bënte xhiro në qytet.

Një moment ai kishte xhiruar gomat e makinës, para komisariatit të policisë. Policët kishin ndërhyrë dhe e kishin kapur. Në momentin e ndalimit, polici Durim Kasmi e kishte gjuajtur me grusht ne fytyrë. Për këtë motiv Shkëlqimi ishte i revoltuar dhe kishte vendosur ta vriste Durimin. Duke diskutuar më Shkëlqimin unë i thashë atij se ‘nuk janë njerëzit pula çfarë bën kështu’, ndrërsa ai më tha: ‘Qafsha gocën që kam me të dëgju që kundërshton, unë të vras dhe atje në Zgërdhesh ku je’. Pra, më kërcënoi”, thuhet në dosjen hetimore.

Në banesën e Shkëlqimit u vendos mënyra e kryerjes së vrasjes së shtetasit Durim Kasmi.

Emisioni ‘Në shënjestër’ do të ndalet tek dëshmia që flet për momentin e vrasjes së Durim Kasmit dhe Ramazan Bakiut, ky i fundit nuk ishte në shënjestër të kriminelëve, por plumbat nuk e kursyen.

“Unë mora automatikët në çantë dhe shkova në shtëpinë time në fshat, e të nesërmen në të errur shkova te vendi takimi, ku erdhën Gramozi dhe Sokoli. U dhashë automatikët për të vrarë Durim Kasmin, për të cilin kishin mësuar dhe vendndodhjen. Ata më treguan se Durimi ishte në klub dhe pa kaluar 15-20 minuta unë dëgjova breshëri automatiku dhe pas kësaj pashë dy vlonjatët që vinin në drejtimin tim.

Kur u takuam, Sokoli me Gramozin më thanë se 3-4 janë të vdekur sëbashku me Durimin, më pas u kthyem të shtëpia e Shkëlqim Hakës, ku na priti ai, nëna e tij, dhe babai. Kur u takuam Gramozi i tha që vramë Durimin dhe ai u përgjigj: ‘E mora vesh, fola me dikë në Krujë’.

Më vonë mësova se Durim Kasmi ishte vrarë në lokalin e Ramazan Bakiut, së bashku me këtë të fundit që shërbente në ato momente.

Këta persona si kam takuar më pas, por di që Shkëlqim Haka u vra pas një muaji”, ka deklaruar Shefqet Seferi.

Prokurorët të cilët i hetuan së bashku vrasjet e dy policëve, morën edhe dëshmitë e familjarëve të Arben Keqit. Hajdar Keqi, vëllai i ish-policit Arben Keqi, rrëfeu se familja kreu hetime private dhe mësoi emrat e vrasësve…

“Aktualisht jemi 2 vëllezër dhe 2 motra. Dy vëllezër kanë vdekur. Arbeni është vrarë me datë 27 gusht 1999 para monumentit të ‘Skënderbeut’. Ka qenë mbasdite rreth orës 19.30 dhe në atë kohë ka qenë inspektor krimesh në Komisariatin e Policisë Krujë. Unë në atë moment, kam qenë në punë, rreth 400-500 metra, përballë me Komisariatin e Policisë të Krujës, pasi punoja në një fasoneri këpucësh, tek ish-Artistikja Krujë. Zbrita poshtë dhe pashë njerëz, ku më thanë që po qëllon një i dehur në pazar. U ktheva te puna, e dola përsëri dhe pashë dikë të mbuluar me çarçaf. Gjeta vëllain tjetër Ylli, i cili më tha: ‘Vranë Arbenin’. ‘Kush e vrau’,- i thashë. ‘Një person me automatik’,- më tha.

Ylli ka qenë rreth 70 metra, nga vendngjarja dhe përballë ka parë vrasësin. Ishte impulsiv, i drejtonte armën çdo njeriu që shihte dhe shante me fjalë fyese e ofenduese”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

Ylli Keqi nuk mundi të dëshmonte në gjykatë, pasi ndërroi jetë në aksident, por Hajdari vëllai tjetër i viktimës, tha se familja bëri hetime private për të mësuar emrin e vrasësit.

Hajdar Keqi

“Vëllai im ishte shok me Durim Kasmin. Vrasja e Durimit ndodhi në të njëjtin vend, por në një rrugicë më poshtë ku u vra Arbeni. Ka qenë darkë dhe këtë e mbaj mend shumë mirë, pasi ne po përgatiteshim të organizonim të nesërmen të dyzetat e Arbenit. Kam shkuar atë natë, megjithë vëllain Yllin dhe kam hyrë në klubin ku u bë vrasja. Na thanë që ishin dy autorë. I ati i Durimit i kishte parë të dy vrasësit dhe kishte kërkuar një armë, por s’kishte gjetur dhe ne filluam me hetime private. Ylli u lidh me S.D, për shkak se ai kishte problem me familjen Haka. Vëllai im Ylli që nuk jeton më por mësoi se nga S.D se Arbeni ishte vrarë nga Sokol Halilaj dhe Gramoz Rexhepi”, ka deklaruar në tej Hajdar Keqi.

Ai shpjegoi se i vëllai i kishte rrëfyer se Arbenin dhe Durim Kasmin, i kishin vrarë të njëjtët persona.

Fillimisht ia kërkova Yllit për Durimin kush e ka vrarë, e ai më tha: ‘Nuk më intereson vrasja e Durimit, por e vëllait tonë’, por më pas, më ka treguar që ka qenë i njëjti Sokoli, me një Gramoz Rexhepi”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

Hajdar Keqi tregoi se i vëllai kishte mësuar se edhe për Arbenin urdhri dyshohet se ishte dhënë nga Shkëlqim Haka.

“Në të njëjtat rrethana, i ka thirrur po i njëjti person, Shkelqim Haka, ne e morëm vesh që Sokoli ishte në burg, ndërsa për Gramozin mësuam se ishte nga një fshat i Vlorës dhe ishin shokë bashkë me Sokolin. Një kushëri i Arben Keqit, iu tha gjykatësve se nga Ylli Keqi mësoi emrat e vrasësve”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

“Sokol Halilaj, është personi që ka shkrepur armën në vrasjen e Arbenit, ndërsa për Gramoz Rexhepin, nuk na ka thënë gjë Sulejmani, nëse ka marrë pjesë në këtë vrasje, ndërsa, Gramozi ka qenë në vrasjen e dytë, në atë të Durim Kasmit. Sokoli, bashkë me Gramozin, kanë shkrepur armët. Miqësinë mes Dritan Rexhepit dhe Sokol Halilaj e pranoi edhe vëllai i këtij të fundit.”, thuhet në dosjen hetimore.

“… Vëllai im ka pasur shok të ngushtë Gramoz Pelivan Rexhepaj, me origjinë nga Velça e Vlorës. Kur vëllai ishte në Shqipëri, në vitet 1997-1999, ai takohej shpesh me Gramozin dhe në vitin 2001, Gramozi ka shkuar në Itali. Për herë të fundit, Gramozin e kam takuar, para rreth një muaji e gjysëm, në rrugën që të çon në fshatin Veltje.

Unë nuk kam dijeni në lidhje me këto vrasje. Ndoshta, bëhet fjalë për vëllain tim, Sokolin, i cili theksoj se më ngjason shumë, bile edhe në fshat na kanë ngatërruar”, ka deklaruar Shkëlqim Halilaj.

Dyshimet mbi Shkëlqim Halilaj, kishin rënë pasi Neki Kasmi, babai i Durim Kasmit, dëshmitar okular në vrasjen e të birit, kur policia i vu përpara fotot e të dyshuarve e kishte drejtuar gishtin tek vëllai i Sokol Halilaj.

“Nga procesverbali për njohjen e personit, me anë të fotografisë, i datës 23 Shkurt 2000 shtetasi Neki Kasmi nga 9 fotografitë që i janë paraqitur për njohje, ka deklaruar se personi qe i përket fotografia e shtetasit Shkëlqim Halilaj, i cili është vëllai i të pandehurit Sokol Halilaj, është më i përafërt në tipare, me personin i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe vrarë shtetasin Arben Keqi dhe djalin e tij Durim Kasmi.”, thuhet në dosjen hetimore.

Po ndërsa Rexhepi vijonte përballjen me drejtësinë, për vrasjet e ndodhura në Krujë, si dhe thurte plane për të ekzekutuar një prokuror që po i bëhej pengesë, pasi kishte çelur disa hetime, në vitin 2003 u firmos dënimi i parë i rëndë për të. Në vitin 2006, Policia mundi t’i vinte prangat vlonjatit në zemër të Tiranës, përpara se ai të vinte në jetë planin e tij, por disa orë më vonë, ai do të arratisej nga paraburgimi në qytetin e Durrësit. Pasi u mor në pyetje nga prokurori i Krimeve të Rënda, duke shfrytëzuar një moment pakujdesie të policivë të sigurisë, teksa hiqej si zyrtar, ai mundi të largohet pa gjurmë. Ky ishte vetëm fillimi i arrative spektakolare të njeriut që në vazhdim thuhet se i bëri gati të zakonshme këto akrobaci.

Menjëherë pasi u largua nga Shqipëria, ai thuhet se u strehua në Itali, aty ku ai mendohet se mësoi zakone të reja, ku u përfshi në botën e narkosit.

“Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29 Shtator 2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15 Prill 2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale ‘Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve’”, thuhet në dosjen hetimore.

Siç rezulton, pas arratisjes spektakolare në Shqipëri, Dritan Rexhepi merr një tjetër dënim nga drejtësia italiane, ai u arrestua, por shpejt do të realizonte arratisjen e radhës.

“Dritan Rexhepi u kap nga policia italiane së bashku me 5 shtetas italianë dhe 2 shqiptarë gjatë transferimit të drogës nga një anije tregtare në një anije peshkimi, në brigjet e ishullit të Siçilisë. Në 2010, ai u arratis nga burgu i sigurisë së lartë në qytetin e Pavias në rajonin e Lombardisë në Itali bashkë me dy shqiptarë të tjerë”, thuhet në dosjen hetimore.

Kështu, shumë shpejt Rexhepi, do të shndërrohej një figurë kryesore në tregtinë e kokainës në arenën ndërkombëtare, ndërsa drejtonte kartelin e drogës të quajtur ‘Kompania Bello’.

Ndërsa emri i tij, hyri në listën e kriminelëve më të kërkuar ndërkombëtarisht, por njeriu që ishte mësuar të kacavirrej nga çdo qeli e mundshme, provoi ta bënte këtë edhe në burgun italian të Pavias ku e kishin izoluar në pritje të dënimit dhe ia arriti.

Për herë të dytë u iku forcave të sigurisë, përpara syve të tyre, por Dritan Rexhepi nuk u arratis nga izolimi ku ndodhej në Itali, thjesht si një aspiratë për të shijuar lirinë e munguar. Bëmat e tij shpejt do të dëgjoheshin edhe në Spanjë, aty ku këtë herë ai tentoi të grabisë pa sukses një bankë.

Arratisjen e radhës ai do ta realizonte nga një burg në Belgjikë. Në qershor të vitit 2014, ai do të arrestohej këtë herë në Ekuador teksa mbante një pasaportë me emrin e rremë Lulzim Murataj, në momentin e arrestimit duke trafikuar 278 kg kokainë.

“Dritan Rexhepi, u arrestua në fund të qershorit, bashkë me disa persona të tjerë gjatë një operacioni policor në Quito të Ekuadorit, por duke përdorur identitet të rremë”, thuhet në dosjen hetimore.

Një vit pas arrestimit, vlonjati, që kishte krijuar ndërkohë lidhje të fuqishme me bosët e karteleve atje, por edhe lidhje të forta më politikën vendase, do të dënohej me 13 vite burgim, në Shqipëri ndërkohë u dënua për përdorimin e pasaportës së falsifikuar.

“Zyra Kombëtare e Interpol Tiranës më datë 8 Gusht 2014 ka informuar se nga Interpol Quito/Ekuador, në kuadër të një operacioni antidrogë ‘Balance’ përveç shtetasve ekuadorian është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulëzim Murataj, lindur më 23 Prill 1979. Nga verifikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulëzim (Gramoz) Rexhepi, alias Dionisopoulos, ishte arrestuar në Ekuador.

I pandehuri Dritan Rexhepi, figuron me atësi Pelivan dhe amësi Olimbi, i datëlindjes 10 Prill 1980, lindur dhe banues në fshatin Velçë të Rrethit Vlorë, i dënuar më parë. Ky i pandehur ka ndryshuar emrin në vitin 2004 nga Gramoz në Dritan, po ashtu në datën 20 Mars 2004, ka ndryshuar emrin e babait nga Luan në Pelivan dhe figuron me gjendje civile në fshatin Velçë, komuna Brataj të rrethit Vlorë”, thuhet në dosjen hetimore.

Hetimi zbuloi se Dritan Rexhepi kishte vjedhur identitetin e një bashkëfshatari të tij që ndodhet në një burg në Britaninë e Madhe.

“Shtetasi Lulëzim Murataj identitetin e të cilit i pandehuri Dritan Rexhepi e ka vjedhur dhe përdorur, rezulton se është banor i komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i cili aktualisht rezulton të jetë në burg në shtetin e Anglisë. Nga akt-ekspertimi, rezulton se gjurmët papilare në praktikën e aplikimit, për t’u pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike në emër të shtetasit Lulëzim Murataj, janë të njëjta me gjurmët papilare të kartelës daktiloskopike në emër të të pandehurit Gramoz (Dritan) Rexhepaj i datëlindjes 10 Prill 1980 që ndodhet e administruar në kartotekën e Sektorit të Policisë Shkencore në Drejtorinë e policisë së Qarkut Vlorë”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Por ndërsa mendohej që ky do të ishte fundi i arratisë së personit më të shumëkërkuar në Evropë dhe ai do ishte lodhur nga ikjet evazhdueshme nga muret e burgjeve ku përfundonte shpesh, duket se masat ishin marrë gabim, pasi në vitin 2022 ai humbi pa gjurmë.

Dritan Rexhepi shqiptari, i njohur ndryshe si mbreti i kokainës u zhduk pa lënë gjurmë në janar vitit 2022 nga Ekuadori, ku ai ishte liruar nga burgu. Për herë të fundit, Dritan Rexhepi u pa në Ekuador më 15 janar 2022 në rajonin e policisë vendase, por teksa ndodhej në burg në Ekuador, ai mundi të krijojë kartelin ‘Kompania Bello’ dhe të trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Italia siç do të tregojmë në pjesën e dytë të emisionit mbyti italianë me kokainë, ndërsa nga burgu akuzohet se urdhëroi rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, babait të 3 fëmijëve, i cili rezultonte pa lidhje me trafikun e drogës.

Hetimet zbuluan se Rexhepi ishte dërguesi i një sasie të madhe droge që u grabit në një portin e Portsmuthit në Britaninë e Madhe, nga një grup kriminal, ku bënte pjesë vëllai i Jan Prengës, Astriti, ku me urdhër të Rexhepit u rrëmbye në Kamzë Jan Prenga dhe në këmbim të lirimit të pengut, u kërkua kthimi i drogës. Vëllai i pengut ktheu një sasi të madhe të drogës dhe pagoi një shumë parash, por Jani nuk u kthye kurrë.

Siç shihet nga këto pamje të publikuara në emisionin në Shënjestër, Jan Prenga u mbajt i pajetë në garazhin e kompleksit ‘Golden Resort’ për orë me radhë, dhe më pas rrëmbyesit e zhdukën trupin e tij, që ende sot nuk është gjetur.

Por si u kthye 43 vjeçari, Dritan Rexhepi, djali nga fshati Velçë i Vlorës nga një student i drejtësisë në Shqipëri në një narkotrafikant me famë ndërkombëtare? Cila ishin fillesat e tij me krimin dhe aftësitë e tij të xhonglimit që tërhoqën edhe interesin e mafies siçiliane, që pa te ky personazh aftësitë e duhura për të interpretuar në një botë të madhe, siç ishte ajo e narkosit.

Sipas dosjes italiane të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Dritan Rexhepi i lindur në Shqipëri më 10 Prill 1980, i njohur si shef i kartelit shqiptar të drogës të njohur si ‘Kompania Bello’, mbante disa pseudonime si Dhimo; Ali; Julio Cesar, Jose apo edhe Buggati, si makina e famshme italiane. Mënjëherë pasi u arratis nga Italia ai udhëtoi drejt Amerikës së Jugut, aty ku ai thuhet se u njoh me disa prej lojtarëve më të rëndësishme të drogës, të cilët dalluan te ai njeriun e duhur për të lëvizur fijet e duhura, për të transportuar sasi të konsiderueshme droge nga portet e Ekuadorit në drejtim të atyre të Evropës.

“Dritan Rexhepi i njohur me disa pseudonime si Dhimo, Ali, Julio Cesar, Jose, Bugati, Engjëll, është promovues, organizator dhe drejtues i organizatës shqiptare që vepron në Itali, si dhe financier dhe agjent i shitjes me shumicë të kokainës që më pas shpërndahet në të gjithë Evropën.

Ai është po kështu themeluesi i një karteli shqiptar të trafikut të drogës, të njohur me markën ‘Bello’, kreu i padiskutueshëm i së cilës është ai vetë, duke qenë në gjendje të zotërojë sasi të pafundme kokaine të cilat ai i blen drejtpërdrejtë, në bashkëpunim edhe me partnerët e tij amerikano-jugor të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike të pranishëm në Ekuador”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Sipas dosjes hetimore italiane, ndërsa ndodhej i ndaluar në burgun e Lacatungas në Ekuador, nga ku më pas u arratis, Dritan Rexhepi vazhdonte bashkëpunimin me Cesar Emilio Montenegro Castillio,i ashtëquajtur Don Monti, që ishte udhëheqës i grupit ekuadorian të trafikut të drogës, të lidhur po kështu me Kartelin kolumbian të drogës ‘Norte del Valle’.

Ndërkohë që ‘Kompania Bello’ e Dritan Rexhepit kishte në përbërje 30 shqiptarë, midis tyre edhe Denis Matoshin, apo ndryshe Eldi Dizdarin, i cili edhe ky është një personazh i rëndësishëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, që ashtu si Dritan Rexhepi, kërkohet nga drejtësia italiane për t’u ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jeton prej disa kohësh.

“Bashkëpunëtori më i ngushtë i Dritan Rexhepit është Castillo Montenegro Cesar Emilio, i njohur si ‘Don Monti’, që mban edhe apostulatin ‘Hasta el final donde el desierto es oceano’ (Deri në fund aty ku pas shkretëtirës është oqeani). ‘Don Monti’ që është udhëheqësi, promovuesi dhe organizatori, nga ana tjetër i grupit ekuadorian të trafikut të drogës të lidhur me kolumbianët e ‘Cartel del Norte del Valle’ (Karteli i Luginës së Veriut) dhe me atë meksikan ‘Cartel de Sinaloa’ (Karteli i Sinaloas). Së bashku me personin e fshehur pas pseudonimit Antrax, me emrin Diomar, organizojnë dhe promovojnë eksportet e kokainës në Evropë, që kalojnë të fshehura në bordin e anijeve. Anije me kontejnerë që operojnë në rrugën Guayaquil-Evropë, kryesisht drejt porteve të Holandës dhe të Belgjikës, ku në kontakt të drejtpërdrejtë me Dritan Rexhepin, për organizimin e importeve në Evropë sipas rregullave dhe marrëveshjeve të mirëmenduara, çdo dërgesë kryhet sipas metodës ‘50/50’.”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra për çdo sasi të dërgesës së furnizuar për shqiptarët ata shtojnë një më shumë, më qëllim për të barazuar peshën, kokainë, shpërndarja e së cilës më pas u besohet organizatave të pranishme në Holandë, siç është edhe ajo e drejtuar nga vetë Dritan Rexhepi.

Por le të shikojmë me radhë disa nga rekordet e Dritan Rexhepit në trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pse ai u kthye në një mit dhe po kështu në një dhimbje koke për policinë italiane por edhe atë në shumë vende të tjera të Evropës. Vende të cilat ndërkohë i kishte përmbytur me sasitë e mëdha të drogës që po fuste muaj pas muaji në portet e tyre detare. Episode të shumta nga të cilat nis edhe kupton pse shpejt ai u mbiquajt mbreti shqiptar i kartelit të drogës dhe të cilat fillojnë që në vitin 2014 dhe në vazhdim, kur ai edhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe amerikano-jugorë, u vunë në përgjim.

“Në muajin maj të vitit 2016 dhe në vazhdim, Dritan Rexhepi zotëroi dhe menaxhoi shpërndarjen në Evropë të 500 kg kokainë për llogari të organizatave amerikano-jugore të drejtuara nga Montenegro Castillo dhe Antrax, të cilat mbaheshin në një magazinë sekrete në Holandë të ruajtuara nga njerëzit e Rexhepit, që vepronin në emër të tij. Sasi droge të cilat fillonin nga 50 kg për çdo ngarkesë dhe më pas rriteshin në mënyrë progresive.”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas dosjes italiane hetimore, ngarkesat filluan të shpeshtoheshin gjithmonë e më shumë në fillimin e vitit 2017, kur Dritani Rexhepi rrit volumin e sasisë së drogës që po kalonte nga Ekuadori në drejtim të portave detare hyrëse në Evropë. Si kjo sasi prej 960 kg kokainë që mban të stampuara mbi pako, distinktivin e kompanisë së tij ‘Bello’, sikundër është edhe ky episod i dokumentuar në një port të Holandës,

“Në muajin Janar të vitit 2017, Dritan Rexhepi mendohet se importoi nëpërmjet një anije që kryente linjën nga Ekuadori në Holandë, një sasi kokaine të barabartë afërsisht me 973 kg. Drogë e ndarë në dy lote të veçanta, e cila më pas ishte e destinuar të shitej në tregun evropian, duke përfshirë Italinë. Ku një pjesë i përkiste Kartelit të Amerikës së Jugut, të drejtuar nga Montenegro dhe Antraxi, dhe pjesa tjetër mbi 400 kg i përkiste grupit kriminal të drejtuar nga Rexhepi, dhe që ishte e destinuar veçanërisht për në Itali, kjo e dalluar edhe nga etiketa mbi blloqet e pakove ‘Bello’ dhe ‘RS6’, që janë distinktivi i kompanisë së Dritan Rexhepit. Ngarkesë me drogë e cila kur mbërriti në Holandë, iu besua për ruajtje dhe shitje Detjon Ilazaj dhe Elvis Jaupaj, të cilët më pas duhet ta dërgonin në Itali te Klejdi Abazaj, i caktuar nga shefi i tyre Dritan Rexhepi për të aktivizuar një rrjet të ri shpërndarje droge në Itali”, thuhet në dosjen hetimore.

Por kjo sasi, pavarësisht se konsiderohej një provë e kaluar me sukses, duket se nuk e kënaqi sa duhet oreksin në rritje të Dritan Rexhepit dhe miqve të tij amerikano-jugorë, për të shtuar më tej edhe më shumë ngarkesat me kokainë.

Vetëm dy muaj më pas, kompania e tij sulmoi një tjetër port, këtë herë në Belgjikë, gati duke e dyfishuar sasinë e drogës, që duhet të kalonte kontrollin doganor, pa u pikasur për të kaluar më tej në tregjet e etura për drogë në Evropë.

“Dritan Rexhepi është përgjegjës edhe për organizimin e importit të 1832.5 kg kokainë, të kapura në portin belg të Antëerp, më datë 15 mars 2017, të paketuara në blloqe të loguara me markën ‘Bello’. Dërgesa në fjalë përbëhej nga 1600 pako dhe Rexhepi kishte organizuar tre grupe kriminale të ndryshme trafikantësh, për të finalizuar me sukses operacionin”, thuhet më tej në dosjen hetimore italiane.

Tashmë ishte e kuptueshme, se Dritan Rexhepi dhe të tijët kishin marrë në dorë linjën më të madhe detare të trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe kishin fituar besimin e karteleve të drogës në këtë kontinent. Por mesa duket, qëllimi i tij ishte të kryente një sulm të gjithanshëm, në një kohë të shkurtër, në shumë porte, ndoshta për ta çorientuar policinë në vendet respektive. Kjo pasi vetëm pak kohë pasi kaloi drogën në portet e Belgjikës dhe të Holandës, ai ia doli këtë herë ta kalonte lëndën narkotike në një port të Maltës.

“Më datë 16 Mars 2017, në portin e Maltës, u sekuestruan 300 kg kokainë. Ky operacion u organizua nga Dritan Rexhepi dhe partnerët e tij ekuadorianë, ndërsa edhe këtë herë blloqet mbanin shënimin ‘Bello’, që i atribuohen në mënyrë të veçantë të ashtëquajturës ‘Kompania Bello’, organizata kriminale e themeluar nga Dritan Rexhepi.

Brenda 6 muajve të parë të vitit 2017, Dritan Rexhepi u konfirmua si pirati i porteve të Evropës, i aftë jo vetëm të negocionte, por edhe tu jepte prova të rëndësishme miqve të tij përtej oqeanit, se ofronte sigurinë e duhur për të kaluar drogën edhe në portet e konsideruara si më të vështira. Aty ku kontrollet janë aq të rrepta sa edhe narkotrafikantët më të sprovuar do ta kishin të vështirë tu shpëtonin syve vigjilentë, qoftë edhe të policisë gjermane.

“Dritan Rexhepi organizoi po kështu më datë 13 qershor 2017, importimin nëpërmjet një anije në portin e Bremenit në Gjermani, të një ngarkese prej 22.5 kg kokainë e cila ishte dërguar nga ai vetë dhe Carvajal Loor, drogë e cila u tërhoq nga Klejdi Abazaj. Po kështu, më 28 Shtator 2016, Dritan Rexhepi i dha në Amsterdam, paradhënie 200 mijë euro, kompanisë RETI, për një furnizim me 200 kg kokainë, që do të shkonte për llogari të Montenegro dhe Diomar, drogë e cila u shit për 23 500 euro kilogrami”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Për policinë italiane nuk kishte më dyshime se ishin përballë një magjistari të drogës. Këtë gjë ata e dinin që nga koha kur Dritan Rexhepi jetonte dhe vepronte në vendin e tyre dhe ishte i lidhur me mafien siçiliane, por ata nuk mund ta mendonin, se pas arratisë nga një burg në Itali, ai do të përmbyste nga Amerika e Jugut vendin e tyre me drogë, duke korruptuar deri edhe zyrtarë publikë të porteve detare.

“Ai është arratisur nga Italia, pas një dënimi të formës së prerë me 10 vite burgim për trafik ndërkombëtar droge. Struktura e ngritur nga Dritan Rexhepi është në gjendje të përhapë kokainën në të gjithë Evropën, me vëmendje të posaçme në Itali, duke përfshirë këtu edhe degë në të gjithë Evropën dhe Shqipëri, ku atij i raportohet edhe për kryerjen e krimeve shumë të rënda, deri te vrasja.

Struktura e tij kriminale furnizon po kështu edhe të tjerë organizata që veprojnë në territorin holandez, si ajo e vëllezërve Marku, Memias dhe të tjera.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Dritan Rexhepi ka një grup të zgjeruar bashkëpunëtorësh, një grup miks midis atyre që quhen njerëzit e tij të afërt dhe ortakësh, të cilët i vë në punë sa herë ai ka nevojë dhe që ata e quajnë ‘Shefi’, të cilët del se jo vetëm i paguan rregullisht, por edhe kujdeset që ata të jenë të kënaqur me punën që bëjnë, por edhe duke u kërkuar llogari për çdo gjë që nuk shkon mirë. Bashkëpunëtorë të ngushtë të cilët ai i ka edhe në Shqipëri, që kujdesen për bizneset e tij.

“Jorin Llambro, i njohur si ‘i verbëri’, i cili mban edhe pseudonimin ‘Monte Carlo’ punon si ndërmjetës dhe zëdhënës i Dritan Rexhepit në Shqipëri, ku në emër të ‘shefit’ ai mban kontakte dhe kryen marrëveshje me qëllim menaxhimin e trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike. Pikërisht ky rol e ka vendosur atë si drejtor dhe të organizatës bashkë me shefin e tij suprem Dritan Rexhepi. Llambro e ka kryer këtë rol menaxhues edhe në Holandë, ku shkonte për të ndjekur pagesat dhe transfertat e kokainës për llogari të shoqatës”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Ai po kështu menaxhon edhe aktivitetet e biznesit në dukje legjitime të Dritan Rexhepit dhe familjes së tij, por që rrjedhin nga riinvestimi i të ardhurave të paligjshme. Në organizatën e Dritan Rexhepit, punët duket se janë të ndara më së miri, ata që merren me fshehjen e drogës pasi ajo zbret në portet e Evropës, por edhe llogaritarët të cilët kujdesen për paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm.

“Klejdi Abazaj, i njohur si Mishi, është një nga përfaqësuesit kryesorë operacionalë të Dritan Rexhepit, me urdhër të shefit të tij, ai formoi një rrjet të shpërndarjes së kokainës që vinte nga Ekuadori në Itali, me pika magazinimi në Torino, Modena dhe Romë”, thuhet më tëj në dosjen hetimore italiane.

‘Mishi’ ishte personi që po kështu menaxhonte dërgesat, organizimin e grupit si dhe që paguante rrogat. Në vitin 2017 ai u arrestua në Gjermani teksa po merrte një sasi rreth 22 kg kokainë, të cilën Rexhepi ia kishte dërguar në Portin e Bremenit. Po kështu Detjon Ilazaj, me emrin e ndryshuar ‘Mario’ në gjendjen civile shqiptare, me banim në Hollandë është ai që i raporton direkt ‘shefit’ të tij Dritan Rexhepi, i cili i ka besuar menaxhimin e punëve. Dhe që merret posaçërisht me kokainën e dërguar nga Ekuadori në Holandë, pasi droga zbret në portet e këtij vendi. Ai i merr sasitë hyrëse të drogës dhe pasi i siguron në vende të sigurta, kujdeset për porositë dhe organizon dërgesat për korrierët që nisen për në Itali.

Nga Ekuadori ku thuhet se qëndronte, dhe ku mendohet se kishte krijuar një jetë të re familjare, duke u bërë së fundmi edhe baba, Dritan Rexhepi kishte krijuar lidhje edhe me klanet mafioze në Itali, të cilat i furnizonte me kokainë nëpërmjet një tjetër grupi kriminal shqiptar, edhe ky i rënë në përgjimet e policisë italiane.

“Organizata financohet nga të ardhurat e mëdha që përfitohen nga trafiku i drogës, para të cilat më pas janë të destinuara për pagesat e dërgesave të kokainës, për pagat e bashkëpunëtorëve, shpenzimet ligjore në rast arrestimi si dhe mbajtjen e familjarëve. Klani menaxhon po kështu bashkëpunëtorët dhe depot e drogës, paratë dhe armët, të konstatuara edhe në operacionet e kryera nga policia holandeze. Në Itali, grupi Memia përfaqësonte kanalin kryesor, nëse jo të vetmin, të furnizimit me kokainë te klanet mafioze ‘Madonnella’ të Barit, që i atribuohen familjeve ‘Rafaschieri Di Cosimo’”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Sikundër e theksuam edhe në krye të herës, një nga bashkëpunëtorët e Dritan Rexhepit në Holandë ishte edhe Denis Matoshi, apo Eldi Dizdari, një personazh që në Shqipëri u bë i njohur pas masakrës së ndodhur mbremje e 4 Tetorit 2018 në një lokal në Bllok, Dizdari që siguronte për Rexhepin dhe ortakun e tij ekuadorian daljen e drogës në Holandë dhe në Belgjikë.

“Denis Matoshi është kreu i organizatës së tij që operon midis Holandës, Belgjikës, Amerikës së Jugut dhe Shqipërisë. Ai ka lidhur marrëveshje të qëndrueshme tregtare me grupin e Dritan Rexhepit dhe atë Castillo Montenegro, duke u siguruar atyre daljen e kokainës në portet e mbërritjes në Evropë, me anije midis muajve shkurt dhe mars 2016, nga Amerika e Jugut. Sasia për të cilën bëhet fjalë është rreth 600 kg kokainë për shpërndarje në territorin evropian”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Duhet thënë se trafiku i lëndëve narkotike nëpërmjet Ekuadorit, Kolumbisë, Holandës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Italisë, është arritur të finalizohet edhe falë një rrjeti të mirëorganizuar bashkëpunëtorësh por edhe nga një marrëdhënie e qëndrueshme korruptive me zyrtarët publikë të ngarkuar për të kryer kontrollet në portet e nisjes dhe në doganat e porteve të mbërritjes së drogës. Dritan Rexhepi po kështu ka përfituar edhe pajisjet logjistike me të cilat është pajisur në portet e Antëerp-it dhe Roterdamit, kjo falë edhe marrëveshjeve të arritura midis ortakut të tij Jorin Llambro dhe trafikantit ndërkombëtar të drogës Denis Matoshi. Falë shërbimeve që i kanë ofruar njëra- tjetrës këto organizata, ato kanë mundur të krijojnë struktura të qëndrueshme të nivelit të lartë jo vetëm në Holandë, por edhe në Itali, ku janë sekuestruar vazhdimisht sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike.

Por pjesa më interesante e kësaj historie, janë përgjimet e antimafias italiane, që kanë vënë me shpatulla pas murit edhe vetë Dritan Rexhepin. Përgjime ku ai shfaqet herë si një broker I madh i trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës, dhe herë si një tregtar pakice që kujdeset deri në detajet më të imta, që droga të shkojë në destinacionin e duhur.

Bisedë e përgjuar 16 Shtator 2016

“Dritan Rexhepi me pseudonimin Julio Cesar flet me bashkëpunëtorin e tij Mario Ilazaj, që mban edhe emrin Detjon, i cili del se ka ruajtur kokainën e dërguar në Evropë nga Dritan Rexhepi. Dritan Rexhepi: ‘…ndoshta do dërgojmë edhe 5 copa në Torino’(Referimi 5 kg kokainë).

Më pas doli se transferta u krye për një sasi prej 6 kg ku në të njëjtën kohë mori pjesë në këtë operacion edhe Klejdi Abazaj, i cili del se shkoi nga Roma në Torino për të pritur korrierin të cilit duhet t’i paguante edhe shumën prej 3 000 euro për transportin dhe të merrte kokainën, por ndërkohë që Klejdi Abazaj ndodhej vetëm 30 minuta larg nga Torino, Mario Ilazaj i cili në këtë moment ndodhej në Amsterdam, nuk po lidhej dot me Dritan Rexhepin. Kjo pasi Ilazaj që ishte kujdesur për dërgimin e korrierit ishte i vetmi që dinte adresën ku do të dorëzohej kokaina në Torino.

Abazaj-Rexhepit: ‘Si do ta bëjmë punën vëlla, unë kam dy shtëpi këtu, dy makina, 4 veta në supe. Të cilët janë për cigare. Më duhen 50 euro në ditë. Të japim një bakshish?”, thuhet në dosjen hetimore në lidhje me përgjimet.

Por puna më e rëndësishme që duhet të bënte Dritan Rexhepi dhe për të cilën duhet të fitonte besimin maksimal të karteleve të drogës në Amerikën e Jugut, ishte ta kalonte atë në portet e Evropës.

Gjë që duket se kishte problemet e veta, si në këtë rast në portin e Antëerp në Belgjikë, ku ai kapet duket folur me një nga ortakët e tij në Ekuador.

13 Janar 2017, biseda mes Dritan Rexhepit (Julio Cesar) dhe trafikanti Diomar (Antrax).

“Sipas marrëveshjeve të mëparshme shkarkimi i kokainës do të duhej të bëhej me patjetër në portin e Antëerp në Belgjikë, por mesa duket kishte probleme. Diomar i dërgon Dritan Rexhepit foton e një e një bisede që po zhvillonte me një person me pseudonimin ‘Aero’, bashkëpunëtor i Antrax, përgjegjës për identifikimin dhe futjen e grupit të lëndëve narkotike brenda kontejnerit.

Në bisedë ‘Aero’ i shkruan Antrax se po haste vështirësi në gjetjen e kontejnerit me destinacionin dhe me karakteristikat e kërkuara prej tyre: Aero:’Shiko ne nuk kemi shumë alternativa në të thatë. Në listën që doli sot kemi përafërsisht 5, nga të cilat një është në MSC, por është në oborrin 7 dhe nuk mund të punosh atje.’

Dritan Rexhepi i raportoi Antrax se ai do të duhej të pyeste prindërit e tij për çdo ndryshim. Por vetëm pak kohë më pas, Antrax i tregoi se kishte marrë ‘dritën jeshile’ për futjen e drogës brenda një kontejneri të ngarkuar me propetilen.

Në orën 23.17, Dritan Rexhepi dha urdhër të ngarkohet kokaina.‘Thuaji ta bëjë!’”, thuhet në dosjen hetimore.

Vetëm një ditë më pas sipas bisedave të kapura në përgjim, Antrax konfirmoi për Dritan Rexhepin se droga kaloi me sukses portin e Antëerp në Belgjikë dhe se tashmë ishte nisur drejt portit të Le Havre në Francë.

“Në orën 12.23 të ditës pasardhëse Antrax konfirmoi për Dritan Rexhepin se operacioni ishte kryer me sukses:

‘Ya esta la obra ralizada”

‘Puna tashmë ka përfunduar’

Nga sa kuptohet çantat me kokainë ishin vendosur brenda kontejnerit gati për nisje drejt porteve evropiane.

Dritan Rexhepi e mësoi lajmin i lehtësuar

‘…Po, do të jetë mirë shok…’.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Vetë Antrax i komunikoi Dritan Rexhepit se tashmë kishte në dispozicion fotografitë e vulës së vendosur në kontejner dhe të operacioneve të ngarkimit, që do të dërgoheshin, padyshim nëpërmjet telefonave të koduar, ose tek Rexhepi, ose tek dikush tjetër i përfshirë në marrëveshjen e paligjshme. Në këtë fazë lënda narkotike ishte futur tashmë brenda kontejnerit, i cili ishte mbyllur, vulosur dhe ruajtur në portin e thatë, gati për t’u ngjitur në makinën që ishte menduar të nisej të nesërmen, më 15 janar 2017. Nga oraret e portit, më pas u konstatua se si anija kaloi përmes portit të Antëerp në Bëlgjikë më 31 janar 2017 dhe arriti në destinacionin e saj përfundimtar në portin e Le Havre në Francë më 2 shkurt 2017.

I qetësuar tashmë nga i gjithë sikleti që kaloi me këtë ngarkesë, që nuk rezultoi edhe aq e thjeshtë për të zbritur në port, Dritan Rexhepi e ndau këtë lehtësim me një nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, të cilit i tregon se kjo ishte një provë shumë e rëndësishme për atë vetë dhe të tjerët përballë amerikano-jugorëve.

“Më 14 janar 2017 u regjistrua një bisedë e rëndësishme midis Dritan Rexhepit dhe Mario Ilazaj me pseudonimin Xhoni. Dritan Rexhepi u pendua që telefoni i tij nuk funksiononte në PGP dhe SKY, por ai nuk mundi ta ndalonte veten të komunikonte me Ilazaj, me sa duket në pritje të konfirmimit të dërgesës së lëndës narkotike, e cila ishte ngarkuar me kokainë, teksa ia kishin dalë qëllimit të përcaktuar sipas planeve:

‘…Jemi aty ku duhej të ishim…..’.

Por edhe Xhoni nuk mundi ta frenojë kënaqësinë për suksesin e operacionit. Të paktën për fazën e menaxhuar nga Dritan Rexhepi, duke e bërë të qartë se ishte një hap i rëndësishëm në marrëdhënien midis organizatës shqiptare dhe asaj të amerikano-jugorëve, në qëllimin për të rritur besimin te këta trafikantë, me të cilët më tej do të ishte e mundur të krijonin një marrëdhënie bashkepunimi afatgjatë:

Xhoni: ‘…Shoku tani nuk më intereson edhe sikur të kemi një fund të keq (nëse kapemi), nuk doja të bënim përshtypje të keqe….’.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Kjo bisedë lë të kuptohet se operacioni për pjesën nën përgjegjësinë e Dritan Rexhepit tashmë kishte përfunduar dhe kështu që të gjithë ishin të kënaqur. Nëse gjërat do të shkonin keq më vonë, padyshim që do të kishte përgjegjësi, por kjo do t’u përkiste të tjerëve dhe jo atyre.

Në një bisedë tjetër Antrax i shkruan Dritan Rexhepit:

‘…Shoku dikush informoi për ngarkesën dhe erdhi një djalë i një kapiteni kurvë. Shkarkoj kutitë. Por gjithçka është në rregull. Ata nuk panë asgjë dhe tani është zhdukur…’

‘…..Do ta shihni. Shoku, nëse të pëlqen me ata njerëz, nuk do të kesh as ku t’i vendosësh të gjitha paratë. Besoje!…’.

Por në biznese të tilla ato që vlejnë janë paratë dhe që në këtë rast mund të të sigurojnë një jetë pa shumë kokëçarje dhe ku ka para nuk ka miqësi.

Menjëherë sapo u mësua lajmi se anija e ngarkuar me drogë mori rrugën e saj pa kthim, Dritan Rexhepi dhe ortaku i tij Antrax, fillojnë dhe ndajnë xhepin. Sa i takon njërit dhe sa i përket tjetrit në këtë biznes të sapo mbyllur me sukses.

“Pasi shqiptarët e Dritan Rexhepit, morën lajmin se gjithçka kishte shkuar sipas planit, të nesërmen më datë 16 Janar 2017, kur anija ishte nisur, ata filluan tashmë të diskutonin mënyrat e pagesës së kokainës. Biseda më e rëndësishme është ajo mes Dritan Rexhepit dhe Antrax, në të cilën faktet bëhen gjithmonë e më shumë të qarta.

Antrax i shkruan Julio Cesar: Më jep faturat, të lutem

Julio Cesar:150+185+354+164+351+146.5=1,350,500-11% = 1 201 400.

Jona duhet të jetë 375 dhe e hoqa…

Çmimi për çdo bllok të aplikuar për Dritan Rexhepin, pra për çdo kg kokainë është 4 400 dollarë.

Duke përfshirë çmimin e prodhimit, transportin në port dhe të gjitha kostot shtesë, përfshirë ato të nevojshme për korrupsionin e personelit të shërbimit portual.

Dritan Rexhepi duhet të paguajë në emër të tij furnizimin e 371 kg kokainë me çmimin 4 400 dollarë për kg, për një kosto totale prej 1 632 400 dollarë. Nga kjo shumë duket se tashmë ishin paguar 1 201 000 dollarë, shumë që vinte si rezultat i akumulimit të një sërë pagesash të mëparshme nga të cilat hiqet 11%, që ndoshta lidhet me koston e transferimit të parave ose me kursin e këmbimit Euro/Dollar.Krahas kësaj, Rexhepi shton se do t’i paguajë edhe shumën prej 349 000 dollarë të ‘kqinjve’ që ishte, që i kishin besuar atij shitjen në Hollandë.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Pra ishte e qartë, punë e mbaruar, llogari e qëruar, ndërkohë që kjo bisedë i krijoi grupit përgjues hetues edhe një panoramë të qartë të tregut të shitjes me shumicë dhe pakicë në Evropë të kokainës.

“Nga ajo që u përgjua fare mirë mund të supozojmë se në sajë të sasisë së madhe të kokainës ishte e dukshme që kishim të bënim me një çmim të shkëlqyer blerje, gjë që vihet re edhe nga bisedat e mëparshme midis Rexhepit, Llambros dhe Denis Matoshit në mars 2016. Në rastin e sasive nën 500 kg çmimi fillestar ishte 6 500 dollarë, me garanci shtetërore, ose 5 500 pa një garanci të tillë”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Pasi kokaina mbërrinte në port, ajo pësonte një rritje të mëtejshme në vlerë, për përqindjen që u duhej paguar atyre që kujdeseshin për daljen, d.m.th. rikuperimin e lëndës narkotike në portin e destinuar, i cili në këtë rast nuk ishte treguar.

Pas mbërritje në Evropë, çmimi i aplikuar për shitësit me shumicë është midis 22 000 dhe 24 000 Euro për kilogram, pra, fitimi në këtë rast për kompaninë ‘Bello’ të drejtuar nga Dritan Rexhepi, ishte kolosal. Këtu po të llogarisësh vetëm përfitimet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij morën vetëm në vitin 2016 dhe atë pasardhës 2017, që në progres me sasitë e shtuara të kokainës, kapën shifrën rekord të 80 milion euro vetëm në vitin 2017.

“Nga përllogaritjet del se fitimi nga ky trafik i lëndëve narkotike llogaritet 50 kg x 52 javë x 27 000 euro për kilogram. Ku shuma totale në vit e fitimit është 70 200 000 euro në vit”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Por duke qenë se aktiviteti i organizatës kriminale është shënuar nga viti 2014 deri në vitin 2017, fitimi llogaritet të jetë mbi 200 milionë euro, ku vetëm përsa i përket organizatës së Dritan Rexhepit, po të marrim vitin 2016 dhe flukset e trafikut të drogës, fitimi në një vit të vetëm llogaritet 55 milionë euro. Ndërsa për vitin 2017 është mbi 85 milionë euro.Emri i madh që vendosi si transportues I rëndësishëm droge, ngjalli interes edhe të tjerë narkotrafikantë, që kishin nevojë për shërbimet e Dritan Rexhepit, për të kaluar drogën në Evropë, siç është edhe kjo bisedë me një shqiptar që mbante pseudonimin Max1.

“Më 1 shkurt 2017, kur anija kishte mbërritur tashmë në Evropë, Dritan Rexhepi po bisedonte me një bashkatdhetar të tijin të paidentifikuar, që mbante pseudonimin Max1, i cili del se është i interesuar për të bërë një investim në funksion të një importi të ardhshëm të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, thuhet në dosjen hetimore.

Në këtë bisedë Dritan Rexhepi i rrëfen bashkatdhetarit të tij se biznesi i ka shkuar mirë

‘…Ajo punë falë Zotit doli mirë me atë mikun tim falë zotit… ‘

Dritan Rexhepi i shpjegoi se rregulli i ngarkesës duhet të ishte një ton, por grupi shqiptar, për shkak të një gabimi në ngarkesë, kishte marrë diçka më pak se gjysma. Duke përsëritur si zakonisht, se ngarkesa e nisjes është gjithmonë e përbërë nga 50 % e lëndës narkotike të ngarkuar nga klientët që porosisin dhe nga një sasi tjetër e ngjashme, pra 50% tjetër nga narkot e Amerikës së Jugut, të cilët shfrytëzojnë kështu udhëtimin dhe sidomos daljen e vënë në dispozicion nga klientët, në këtë rast shqiptarët.

Sasitë e dërguara prej tyre më pas u besohen organizatave të ndryshme për shpërndarje të mëvonshme dhe në disa rrethana këtë detyrë e kishte grupi i Dritan Rexhepit. Dritan Rexhepi shpjegoi për Max1 se në vend të 500 kilogramëve, sasia totale e kokainës e dërguar nga shqiptarët ishin futur ‘vetëm’ 473 kg,

‘…Sepse gabimisht kanë futur 27 më pak…’.

Dritan Rexhepi më pas foli për një ngarkesë edhe më të madhe: ‘Të shohim, javën e ardhshme do të bëjmë një tjetër më të mirë.’

Por në një biznes të tillë, nuk ka vetëm fitime, por edhe humbje, të cilat shoqërohen edhe me viktima në radhët e organizatës krminale.

Rregulli i pashkruar kush gabon, paguan, siç ishte rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës në Kamëz, më 17 Janar 2020. Pamje të transmetuara edhe nga emisioni ‘Në shënjestër’, ngjarje kriminale për të cilën thuhet se u urdhërua nga Dritan Rexhepi, gjatë kohës që ky i fundit qëndronte në burg në Ekuador dhe që lidhet me zhdukjen e një sasie droge në një nga portet e Britanisë së Madhe, ku organizata e Rexhepit, bënte përgjgjegjës, vëllain e Jan Prengës.

“Struktura e ngritur nga Dritan Rexhepi është në gjendje të përhapë kokainën në të gjithë Evropën, me vëmendje të posaçme në Itali, duke përfshirë këtu edhe degë në të gjithë Evropën dhe Shqipëri, ku atij i raportohet edhe për kryerjen e krimeve shumë të rënda, deri te vrasja. Struktura e tij kriminale furnizon po kështu edhe të tjerë organizata që veprojnë në territorin holandez, si ajo e vëllezërve Marku, Memias dhe të tjera”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Por Dritan Rexhepi nuk ishte thjesht një dealer në botën e narkosit, ku sipas autoriteteve italiane ai e drejtonte kartelin e tij shqiptar edhe nga brenda qelive të burgut në Ekuador. Aty ku jepte urdhëra jo vetëm për bashkëpunëtorët e tij se si të kalonin drogën në hundën e doganierëve në portet e Evropës, por edhe të kryente eleminime të atyre që tashmë mund të ishin kthyer në kundështarë apo që kishin futur duart në punët e tij.

“Edhe gjatë kohës që ishte i ndaluar në Ekuador, Dritan Rexhepi falë një rrjeti të dendur bashkëpunëtorësh dhe korrupsioni, përdorte nga burgu sisteme nga më të ndryshme të komunikimit, duke organizuar kështu dërgesat e drogës, si edhe mban kontakte me trafikantët e lëndëve narkotike në Amerikën e Jugut, si edhe jepte udhëzime për bashkëpunëtorët e tij shqiptarë se si të shpërndanin lëndën narkotike në Itali dhe Holandë.

Po kështu ai urdhëroi vrasje të eksponentëve të organizatave rivale, si edhe ndoqi dhe u kujdes për investimet e fitimeve të paligjshme të kompanisë së tij, në veprimtari sipërmarrëse të aktivizuara në Shqipëri”, thuhet më tej në dosjen hetimore italiane.

Tashmë e vetmja dilemë e pazgjidhur pas arrestimit të tij, është ku do ta vuajë fillimisht dënimin Dritan Rexhepi, në Shqipëri apo në Itali? Dhe a do të mundet ai ti përvidhet drejtësisë duke u arratisur nga qelia siç ka bërë në tri raste të ngjashme.

Artikulli paraprakHoroskopi për ditën e sotme/ Parashikimi për secilën shenjë të zodiakut
Artikulli tjetërEuro dhe dollari në krizë/ Këmbimi valutor për sot