Gjetja e një koke njeriu të groposur në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol, ka rikthyer në vëmendjen historitë e frikshme në Sarandë ku tre ngjarje të tjera të ngjashme janë ende të pazbardhura.
Advertisements
Mbetja kockore ka dyshime se i përket Leonard Thodhorit ose Fatmir Sulovarit alias Krasniqit, të cilët rezultojnë të zhdukur prej datës 6 prill 2023. Pasi u rrëmbyen dy miqtë dyshohet se janë vrarë dhe groposur pikërisht në këtë zonë.
Ndërkohë që policia po kërkon për pjesët e tjera të trupit pranë zonës ku u gjet koka e njeriut në proces dekompozimi, tre krime makabre me prerje kokash mbeten mister.
Advertisements
Kufoma të zhdukura, të vrarë e të varrosur pa kokë, mjete të djegura pas krimeve e lumenj droge. Kjo është historia e zonës me 13 fshatra, 5 prej të cilave janë bërë prej vitesh objekt i krimit të organizuar.
Historia e vrasjeve makabre në zonë nis në dhjetor 1991, kur ish-efektivi i “Briskut”, 30-vjeçari Robert Shero, u gjet i vdekur ne Qafë të Likojanit, midis Konispolit dhe Igumenicës. Kjo vrasje rezulton edhe sot e pazbardhur.
Në gusht 1998 ekzekutohet me Kallashnikov në vendin e quajtur “Kataeto” oficeri i policisë, Vladimir Bejdo, 30 vjeç. Trupi i Bejdos u gjet një javë më vonë i fshehur në një pus në kufirin greko-shqiptar, konkretisht në Sajadhë, të Igumenicës.
Në 8 tetor 2005 në “Vasilikua” Konispol, u gjet trupi i 45-vjecarit Zihni Myderizi. Trupit të tij i mungonte koka. Ngjarja dyshohet se kishte si motiv larjen e hesapeve. Viktima varroset pa kokë dhe prej asaj date nuk është gjetur as koka e as autorët.
Në 16 tetor 2008, në rrugën Turizëm – Kanali i Çukës në Sarandë, nga një grup fëmijësh u gjet një kafkë koke e dekompozuar. Kafkës i mungonte pjesa e poshtme e saj. Në vendin e ngjarjes u gjetën edhe dy kocka të vogla. Prej asaj dite nuk është identifikuar as personi kujt i përkiste kafka e as shkaku i vdekjes.
Në 17 qershor 2015, një “BMW” X5 futet mes njerëzve në shëtitoren e Sarandës. Ridvan Lamaj po pinte një kafe, kur nga njerëzit e automjetit ftohet për t’u futur brenda e më pas rrëmbehet. Nga ky moment, familja e 37-vjeçarit Lamaj, baba i dy fëmijëve, nuk di më asgjë për të. Hera e fundit që është fiksuar nga kamerat mjeti i rrëmbyesve është në afërsi të fshatit Mursi të Bashkisë, Konispol. Lamaj dyshohet të jetë groposur në zonë ose të jetë hedhur në det.
Në 9 maj 2016 në Igumenicë, iu pre koka 26-vjeçarit Bledar Terpollari, i cili sipas informacioneve frekuentonte edhe zonën e Konispolit. Shkak ishte prishja e pazareve të drogës. Koka e viktimës nuk u gjet kurrë.
Prej 9 tetorit 2016 rezulton i zhdukur 30-vjeçari nga Ksamili, Leonidha Bilero. Familjarët e tij atëherë ngritën dyshime se djali mund të jetë përdorur për trafik të lëndëve narkotike.
Në 6 qershor 2021 ekzekutohet pranë banesës së tij në Ksamil 40-vjeçari Gramoz Mema. Mjeti i krimit, tip “Ford” u gjet disa ditë më pas i djegur në “Kataeto” të Bashkisë Konispol. Mjeti rezultoi i vjedhur në Greqi. Ngjarja rezulton ende e pazbardhur.
Prej 14 dhjetorit 2021 Fatjon Doda nga fshati Shëndëlli, Bashkia Konispol, sot 24 vjeç, rezulton i zhdukur. Motra e tij e denoncoi të humbur në janar 2022. Një ndër pistat e hetuara është ajo e përfshirjes së të riut në trafikun tokësor ose detar të drogës drejt Greqisë