Padia e Erion Veliaj ndaj Sali Berishës, GJKKO shpall vendimin

Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka marrë vendimin për padinë për shpifje të ngritur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj ish-kryeministri Sali Berisha.

Advertisements

Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani ka vendosur që të pushojë çështjen.

Në vendimin e zbardhur nga gjykata theksohet se shpenzimet e çështjes i ngarkohen kryebashkiakut Veliaj, ndërkohë që apelimi i këtij vendimi mund të bëhet brenda 15-ditëve.

Advertisements

Njoftimi i GJKKO

Viktima akuzuese, Erjon Veliaj, më datë 02.10.2023 ka paraqitur pranë kësaj Gjykate kërkesën për gjykimin e ҫështjes penale me objekt: Deklarimin fajtor të të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e kundërvatjes penale të “Shpifjes”, të kryer botërisht në dëm të viktimës akuzuese Erion Veliaj, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.

Në datën 14.11.2023 ishte planifikuar për t’u zhvilluar seanca pajtimore në respektim të nenit 338 të K.Pr.Penale. Në këtë seancë nuk u paraqit viktima akuzuese Erion Velia pa shkaqe të arsyeshme, ndërkohë që i akuzuari Sali Berisha bazuar në nenin 351 pika 1 të K.Pr.Penale pasi kishte marrë dijeni të rregullt për seancën pajtimore me Deklartatën Noteriale Nr. 2797 Rep., dhe Nr. 986 Kol., datë 20.10.2023 kërkoi që seanca të zhvillohej në prani të mbrojtësi të tij të zgjedhur me prokurë të posaҫme.

Ndodhur në këto kushte, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 59, 112 dhe 387 të K.Pr.Penale si dhe në vendimin Unifikues Nr. 11, datë 14.10.2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 76, datë 14.11.2023, vendosi:
Pushimin e çështjes penale me Nr. Regjistri Themeltar 109, datë regjistrimi 02.10.2023, me Viktimë akuzues: Erion Veliaj; të akuzuar: Sali Berisha për veprën penale të “Shpifjes” parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen viktimës akuzuese Erion Veliaj.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Artikulli paraprak“Rrethanat s’e pengonin për të kandiduar”/ KQZ vendos: Nuk ka shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati
Artikulli tjetër“Flisnim në rrjetet sociale, u takuam vetëm një herë”, nëna që braktisi foshnjën që ndërroi jetë në spital: Pse e linda në bodrum