Nga paga mesatare 900 euro, energjia dhe siguria në vend, Rama: Drejtësinë e re e solli PS! Jo amerikanët, por të gjitha forcat e NATO-s bashkë, s’e bënin dot

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje se SPAK do të çojë pas hekurave “kokat” e krimit të organizuar në vend. Në fjalën e tij në Asamblenë e zgjeruar të PS, në Fier, ai theksoi se shumë shpejt, kushdo që i përket kësaj bote, do të vihet para ligjit dhe “luftën” do e fitojë shteti.

Advertisements

Ai theksoi se veprimi i institucioneve më të larta të drejtësisë së reformuar do t’i godasë në mënyrë shembullore dhe të shpejtë kriminelët, që siç ai tha, gëzojnë statuse të veçanta.

“Çfarë keni parë në periudhën e fundit, me arrestime figurash të larta të krimit të organizuar, është vetëm fillimi i fundit, që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit, le të themi, të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë.

Advertisements

Do të jetë shumë e afërt koha, nuk flas për dekada, flas për një kohë të shkurtër, ku të gjitha këto vatra do të shuhen dhe të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri, se një pjesë ia kanë mbathur, do përfundojnë aty ku kanë filluar të shkojnë ata që janë prova se këtu nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar”, tha ai, duke theksuar se këtë luftë me krimin do ta fitojë pa kthim shteti.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se drejtësia e re është në një fazë konsolidimi, që po jep frytet e saj dhe po vepron në mënyrë të sofistikuar në bashkëpunim me hallkat e tjera.

“Për shkak të punës që është bërë me Forcat e Rendit, jemi sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar dhe kjo nuk është diçka që bëhet se do ta bësh ti dhe e bën kjo është diçka që kërkon shumë kohë, kërkon shumë durim, kërkon shumë sofistikim, sepse krimi i organizuar ishte i shtrirë këmbëkryq në të gjithë territorin, sot është tkurrur në vatra të caktuara, por me krijimin e SPAK dhe me fokusimin tani të dyja palëve, se deri dje thuhej ‘policia, policia, policia’, por aleati më i madh i krimit të organizuar në Shqipëri ka qenë prokuroria dhe gjykata, jo policia”, tha ai.

“Po flas për kriminelë, vrarës, përdhunues, sa prej tyre kanë rikryer vrasje, përdhunime, pasi policia i ka çuar në gjykata dhe gjykata i ka liruar”, shtoi Rama duke theksuar se vendi ka hyrë në revansh përsa i përket drejtësisë. Rama theksoi në fjalën e tij, se drejtësinë e re nuk e sollën amerikanët, NATO apo SPAK-u, por Partia Socialiste.

“Jo amerikanët, por të gjitha forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë, e para se nuk është fare puna e tyre ta bëjnë këtë. E dyta, nëse sot pandëshkueshmëria nuk është më mit dhe gjithkush është i ndëshkueshëm, kjo ndodh vetëm sepse ekziston Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush tjetër! As ata që ishin, as ata që duan të jenë, askush. Nuk e kanë këtë kapacitet shtet bërës që ka PS në DNA-në e vet”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Amerika e ka mbështetur masivisht reformën në drejtësi, por udhëheqjen e këtij procesi e ka forca qeverisëse.

“Ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit frikshëm për të gjithë, asgjë nga kjo rritje në tregun ndërkombëtar, asnjë qindarkë nuk është reflektuar në faturën e dritave të familjeve shqiptare. Vumë në dispozicion një volum të konsiderueshëm lekësh për të mbështetur familjet, duke e paguar nga arka e shtetit diferencën”, – u shpreh ai.

Edi Rama përmendi se, “Ekonomia është më mirë, por duhet të bëhet më mirë. Vijmë tani te buxheti, vitin e ardhëm ne do ta çojmë pagën mesatare 900 euro. Të mos harrojmë që sot një ndër faktet më kokëforta për progresin që po flas, është kokëfortësia e lekut”.

Ai siguroi se asnjë taksë nuk do rritet, ndërsa shtoi se Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë.

“Asnjë taksë nuk do të rritet. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë. Se ka asnjëri dhe 0 TVSH se ka asnjëri. Ndërkohë jemi duke diskutuar që edhe nivelin e taksës mbi pagën, të bëhet një rishikim që nga rritja e pagës në nivelin e lartë. Deri dje kishim 1 mln si vlerë të lartë, sot nuk është më ajo shifër”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi në fjalën e tij, se drejtësinë e re nuk e sollën amerikanët, NATO apo SPAK-u, por Partia Socialiste

Artikulli paraprakSi ka mundësi?! Shifrat/ 380 mln euro nga buxheti i shtetit për PPP-të nën hetim! 6 koncesione në lupën e SPAK, por pagesat janë në rritje
Artikulli tjetërKëmbimi valutor për sot/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera