Kryeministri Albin Kurti ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në veriun e Kosovës në Samitin e sotëm të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Tiranë.
Advertisements
Në sesionin e parë me temën “Integrimi i rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i konvergjencës me BE”, Kurti zgjodhi të fliste për “aktin e ligë të sponsorizuar nga Serbia”.
Pasi e falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz për organizimin e këtij samiti, Kurti nisi të tregojë për kërcënimin e Serbisë me luftë ndaj Kosovës.
Advertisements
“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.
“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Kurti tha se “qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku”. Ai foli më tej për përgjegjësinë e liderëve “për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët”.
“Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, tha Kurti.
Ai tha se vitin e kaluar u nënshkruan tri marrëveshje, ndërsa shtoi se progresi “mund të ishte edhe më i shpejtë”.
“Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, tha Kurti.
Ai tha se e mirëpret marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe “marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira”.
“Ne mbështesim “Planin me katër hapa” të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se janë të vetëdijshëm “për hendekun thelbësor të standardeve të jetesës me BE-në, i cili do të kërkojë kohë për t’u mbyllur”.
“Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshme për rajonin tonë. Kosova, një demokraci e gjallë, është e përgatitur të përballet me sfida të reja dhe të përqafojë një të ardhme më të ndritshme. Në këtë drejtim, ne jemi të kënaqur që kemi krijuar Observatorin e Konvergjencës”, tha Kurti.