Rreth 1200 civilë izraelitë, ndër ta gra dhe fëmijë e foshnja, u vranë nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor këtë fundjavë. Shumë izraelitë nuk janë gjendur ende.
Advertisements
Në kundërpërgjigje, ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant urdhëroi “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës. Nuk do të lejohet “elektricitet, ushqim, ujë, karburant” për mbi 2 milionë palestinezët që jetojnë atje nën regjimin e Hamasit, tha ai.
Pamjet nga Gaza mbizotërojnë në mediat sociale: pamje të rënda palestinezësh që lëvizin mes rrënojave pas sulmeve ajrore izraelite.
Advertisements
Autoritetet palestineze kanë raportuar se 900 persona janë vrarë në Gaza që nga e shtuna, ndër ta 500 gra dhe fëmijë, dhe se ky numër vazhdon të rritet.
Që të kuptohet kaosi i sotshëm në Gaza, duhen njohuri të historisë së saj.
Regjimi kolonial dhe themelimi i Izraelit
Gaza ishte nën kontrollin e Perandorisë Osmane deri në vitin 1917. Në vitin 1922, Palestina ishte nën regjimin kolonial britanik për gati tre dekada. Gjatë atyre viteve, hebrejtë që i largoheshin persekutimit fetar emigruan në masë drejt Palestinës, pjesa më e madhe nga Evropa Lindore ku nazizmi po fitonte terren.
Mbështetësit e Zionizmit u përpoqën të krijojnë një atdhe për hebrejtë në Palestinë, duke përmendur një lidhje historike me Tokën biblike të Izraelit. Qeveria britanike njohu Zionizmin dhe u angazhua për themelimin e një shteti hebre në Palestinë. Në vitin 1948, Kombet e Bashkuara miratuan një plan me dy shtete, që u refuzua plotësisht nga udhëheqësit arabë. Megjithatë, Izraeli shpalli themelimin e tij.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fuqitë Aleate u garantuan udhëheqësve arabë pavarësinë nga regjimi kolonial, në këmbim të mbështetjes gjatë luftës. Shumë palestinezë arabë e panë krijimin e Izraelit si një shkelje të atij premtimi.
Në maj 1948 filloi një luftë mes Izraelit dhe pesë vendeve fqinje arabe. Izraeli fitoi dhe zgjeroi së tepërmi territorin e tij, përfshirë me Jeruzalemin – një qytet i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë.
Dhjetëra mijëra palestinezë, shumë prej të cilëve të larguar nga fshatrat e tyre, u larguan drejt Gazës, një brez i ngushtë bregdetar me gjatësi 25 milje që sapo ishte marrë nga ushtria egjiptiane. Popullsia e Gazës u trefishua, në rreth 200 mijë, ndërsa vazhdonin të vinin refugjatë.
Egjipti largohet nga Gaza
Egjipti qeverisi Rripin e Gazës për dy dekada nën komandën e një guvernatori ushtarak. Gjatë asaj periudhe, palestinezët ishin të lirë të jetonin dhe të arsimoheshin në Egjipt.
Prej vitesh, fedajenët, një grup luftëtarësh palestinezë, bënin sulme ushtarake ndaj Izraelit dhe merrnin në përgjigje kundërsulme me kosto të mëdha.
Izraeli e mori Rripin e Gazës gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe largoi guvernatorin egjiptian. Ushtria izraelite mbikëqyrte këtë territor, ndërkohë që banorë të shumtë të Gazës filluan të gjenin punë në vendbanimet që izraelitët kishin ngritur pranë Gazës.
Ndërsa shikonin në pronësi të izraelitëve tokën që dikur u përkiste, ishte e dhimbshme për shumë palestinezë, dhe deri më sot “pushtimi”, si e quajnë shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, është burim indinjate të hidhur.
Lindja e Hamasit
Trazirat civile shpërthyen në vitin 1987 pasi një kamion i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u përplas mbi një makinë civile, duke vrarë katër punëtorë palestinezë. Banorët e Gazës i konsideruan vdekjet si një sulm i paramenduar, një pretendim që është mohuar nga qeveria e Izraelit. Pasuan greva dhe demonstrata gjatë të cilave goditej me gurë.
Duke përfituar nga trazirat, Vëllazëria Myslimane, një organizatë sunite islamiste me seli në Egjipt, krijoi një grup militant në Gaza të quajtur Hamas. Në pak kohë, Hamasi u bë sfidant i fortë ndaj Yasser Arafatit, udhëheqësit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).
Misioni i deklaruar i Hamasit është shkatërrimi i Izraelit dhe vendosja e një qeverisjeje islamike. Gjuha e kartës së tij themeltare, ku bëhet thirrje për dhunë ndaj hebrejve kudo që janë, është denoncuar gjerësisht.
Marrëveshjet e Oslos
Në vitin 1993, Izraeli dhe PLO-ja ranë dakord për Marrëveshjen e Oslos, një marrëveshje e paprecedentë paqeje që krijonte Autoritetin Palestinez dhe i jepte atij pushtet të kufizuar mbi Gazën dhe Jerikon, një qytet në Bregun Perëndimor. Zoti Arafat madje u lejua të kthehej në Gaza pas një mërgimi prej dekadash.
Marrëveshja e Oslos premtoi shtetformim, por në vitet në vijim, plani dështoi pasi palestinezët dyshohet se nuk përmbushën kushte të ndryshme. Ndërsa Izraeli vazhdonte ndërtimin e vendbanimeve, Hamasi fitoi më shumë ndikim tek banorët e zhgënjyer të Gazës.
Shekulli i 21-të
Në fund të shekullit, ndasitë midis Izraelit dhe palestinezëve u zgjeruan pasi sulmet vetëvrasëse me bomba dhe të shtënat me armë të Hamasit në vitin 2000, morën si përgjigje shtetrrethime dhe pika kontrolli në të gjithë Gazën.
Brenda natës, Izraeli praktikisht mbylli industrinë e peshkimit të Gazës, një shenjë dalluese e ekonomisë lokale. Arsyetimi i Izraelit ishte se Hamasi fuste kontrabandë me anijet e peshkimit armët që përdoreshin në sulmet terroriste.
Deri në gusht të vitit 2005, ushtria izraelite e kishte braktisur plotësisht Gazën, pasi kishte evakuuar disa vendbanime në këtë territor në kuadrin e asaj që u njoh si një marrëveshje tokë-për-paqe. Në Rripin e Gazës të rrethuar me gardhe me tela me gjemba, u stimulua tregtia e tregut të zi. Në mungesë të vendeve të punës që Izraeli sillte në Gaza, kontrabandistët lëviznin mallra brenda dhe jashtë zonës përmes tuneleve nëntokësore drejt Egjiptit.
Në një përmbysje të madhe, Hamasi mori zgjedhjet parlamentare në Gaza në vitin 2006 dhe mori kontrollin e enklavës nga mbështetësit e Arafatit.
Hamasi nuk ka organizuar më zgjedhje që nga ajo kohë dhe Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj Gazas për mbi 15 vite. Kombet e Bashkuara në vitin 2009 kritikuan kufizimet e gjata që “shkaktojnë rrënim”. Por Izraeli ka argumentuar se pa kontroll të rreptë të asaj që hyn dhe del nga Gaza, Hamasi mund të forcohet duke marrë më shumë armë vdekjeprurëse.
Egjipti gjithashtu ka vendosur kufizime të forta në kufirin e tij me Gazën dhe ka shkatërruar tunelet për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Në vitin 2014, Hamasi goditi me raketa qytetet izraelite. Izraeli shkatërroi lagje të tëra në Gaza me sulme ajrore në kundërpërgjigje. Mbi 2,100 palestinezë vdiqën, shumica e të cilëve ishin civilë. Hamasi shpesh vendoset në qendrat urbane dhe ka përdorur banorët si mburoja njerëzore në konflikte që në vitin 2007, sipas Qendrës për Komunikime Strategjike të NATO-s.
Çfarë po ndodh sot?
Gjakderdhja që Hamasi shkaktoi mbi civilët izraelitë më 7 tetor, dita e festës hebraike Shemini Atzeret, ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.
Pasi hyri në qytetet izraelite, Hamasi hapi zjarr ndaj një festivali muzike dhe mori peng dhjetëra civilë. Izraeli goditi Gazën me sulme ajrore, duke shkatërruar lagje të tëra.
Irani mendohet se mbështet Hamasin me stërvitje taktike, udhëzime se si të montojnë raketa me sisteme të avancuara drejtimi, si dhe me fonde prej gati 100 milionë dollarësh në vit – të gjitha këto kanë kontribuar për përmasat që pati ky sulm, kanë vënë në dukje zyrtarët amerikanë.
Analistët thonë se Izraeli po përgatit një sulm frontal ushtarak në Gaza. Një zëdhënës i forcave izraelite IDF, Jonathan Conricus, tha se 7 tetori është absolutisht “dita më e keqe në historinë izraelite… një 11 shtator dhe një Pearl Harbor të marra së bashku”./voa