Broja kthehet në stërvitje tek Çelsi, po dyshimet e një përplasjeje me Silvinjon vijojnë të bëjnë jehonë

Armando Broja erdhi me shumë bujë në grumbullimin e Kombëtares, madje me insistimin e trajnerit Silvinjo, i cili kishte shkuar ta takonte në Londër, bisedoi me të, e ftoi, por çuditërisht lojtari nuk ishte as në bankinë, ku zyrtarisht u tha se kishte një shqetësim muskulor, një dëmtim të lehtë, por që kthehet e stërvitet normalisht në Londër, duke lënë një shije të hidhur dhe ngritur dilema të forta për një mundësi përplasje mes tij dhe stafit të Kombëtares. 22-vjeçari u largua nga grumbullimi i kuqezinjve vetëm 2 ditë pasi erdhi. Ekzaminimet treguan se lëndimi nuk ishte serioz, diçka që konfirmohet dhe në këtë fundjavë, për shkak se futbollisti është bashkuar me grupin në seancën e fundit stërvitore të Çelsi. Broja do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës që do të kenë blutë e Londrës, javën e ardhshme ndaj Arsenalit.

Advertisements

Dyshimet e një përplasje me Silvinjon

Broja vjen pas një dëmtimi që e ka mbajtur jashtë fushave të lojës për rreth 10 muaj e natyrisht frika e një tjetër dëmtimi është e madhe, por në të njëjtën kohë një situatë e tillë lë vend për teori të ndryshme. Broja nuk ishte në shkallët e “Air Albania” në ndeshjen me Çekinë, siç u pa Ardian Ismajli, i cili gjithashtu ishte i dëmtuar, por qëndroi pranë kuqezinjve. Fatmirësisht gjërat shkuan mirë për Shqipërinë, e cila në këto kualifikuese ka shkëlqyer në pot kuptimin e fjalës, pavarësisht mungesave apo dëmtimeve që kemi pasur në këtë rrugëtim, por interesimi i lartë për Brojën nga tifozët e opinioni publik dhe ai largim pas vetëm 2 ditësh grumbullim, nuk lë një shije dhe aq të mirë!

Advertisements

Stërvitja e Kombëtares

Ndërkohë që Broja ka lënë hapur debatin, pa marrë vetë pjesë në të, ekipi kombëtar ndërkohë kreu seancën e radhës stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet. Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet intensive në prag të takimit miqësor ndaj Bullgarisë. Teksa seanca e së dielës nisi në një mënyrë ndryshe për përfaqësuesen. Pak para fillimit të stërvitjes, u zhvillua një takim mes ekipit kombëtar të meshkujve dhe të femrave, që drejtohet nga Armir Grima. Takimi u shoqërua nga atmosfera pozitive dhe të qeshurat. I pranishëm ishte dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Sa i takon grupit që do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së martës, do të mungojnë Mirlind Daku dhe Keidi Bare. Sulmuesi i thirrur nga Frozinone, Marvin Cuni kreu seancën e parë stërvitore me ekipin kombëtar. Në miqësoren ndaj bullgarëve, Silvinjo pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, në krahasim me përballjen e fituar 3-0 ndaj Republikës Çeke. Për teknikun brazilian do të jetë ndeshja e parë jozyrtare që do të zhvillojë me përfaqësuesen kuqezi. Nga grupi që ka aktualisht në dispozicion Silvinjo, askush nuk ka paraqitur probleme dhe të gjithë janë në kondicionin e duhur për t’u përballur me Bullgarinë. Menjëherë pas sfidës, lojtarët do të largohen dhe do të ribashkohen me klubet respektive, para se të rikthehen sërish në Nëntor për dy sfidat e mbetura të grupit E. Ndaj Moldavisë në transfertë (17) dhe Ishujve Faroe në shtëpi (20), duele ku mjafton një pikë. Shqipëria kuqezi e futbollit është kështu me një këmbë në Euro-2024.

Artikulli paraprakNga 2028, detyrimet e pronarëve për taksën e truallit të shtëpive do të rriten 45 herë
Artikulli tjetërE njohët? Sot ndër aktoret më të famshme në Shqipëri, 20 vite më parë kur konkurronte për velinë