Njerëzit nuk duhet të mbesin në pritje. Kjo është ajo që sjell përmes historisë së tij filmi artistik me metrazh të shkurtër “Bubbles” me skenar dhe regji nga Meri Dishnica.
Advertisements
Një prodhim italian, ku në rol vjen dhe aktorja Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”. Me role të ndryshme në kinematografi, këtë herë aktorja e madhe Margarita Xhepa është bërë pjesë e filmit italian “Bubbles”, xhirimet e të cilit u realizuan këtë pranverë.
Ky është projekti i parë i një filmi të shkurtër i regjisores Meri Dishnica, pasi më parë është marrë me filma eksperimentalë, që janë veçuar për origjinalitetin e tyre dhe kanë fituar çmime.
Advertisements
Në punën me filmin “Bubbles”, regjisorja Meri Dishnica e quan me shumë rëndësi pjesëmarrjen e aktores Margarita Xhepa.
““Bubbles” është një film prodhim italian. Aktorja Margarita Xhepa ka një prezencë nderi në film, nuk ka dialog. Luan rolin e personazhit kryesor disa vite pas në kohë.
Personazhi kryesor në film luhet nga aktorja italiane Valeria Zazzaretta dhe pas shumë kohësh del në film aktorja Margarita Xhepa, që luan personazhin”, tregon Dishnica.
Ndërsa flet për punën me filmin, regjisorja Dishnica tregon se me aktoren Margarita Xhepa xhiruan në pranverë në Tiranë, por pjesa tjetër e filmit është xhiruar i gjithi në një qytezë në Romë në Itali.
“Ky është projekti më i fundit kinematografik për aktoren e madhe Margarita Xhepa, i cili është xhiruar këtë pranverë. Ka shkëlqyer në rolin e saj, me mimikë, me ndjenjë”, thotë ajo.
Regjisorja Meri Dishnica thotë se ideja e filmit është që njerëzit mos të ngecin në pritje.
“Pritjen e kam vizualizuar nëpërmjet idesë së flluskës, të pluskimit. Mund të rrish brenda në një flluskë dhe nuk shkon asgjëkund. Je i izoluar, as shkon, as vijon, as del nga flluska. Filmi e bën publikun të diskutojnë gjatë, i bën të futen në pritjet e tyre dhe për mënyrën si mund të kenë ngecur në flluskat e tyre të pritjes. Një film që të bën të reflektosh në fund”, tregon regjisorja.
Filmi “Bubbles” është shfaqur në Europë, por regjisorja Meri Dishnica tregon se premiera e tij do të jetë edhe në vendin tonë.
“Filmi është shfaqur në Greqi, Itali, etj. Është shfaqur në Spanjë, në vijim do të jetë dhe në Ukrainë, Suedi, etj. Filmi ka qarkulluar në disa shtete dhe është mirëpritur,” tha Dishnica.