Për shumëkënd, është vetëm një “show”, ndërkohë që Rama, edhe pse që qeveris prej tre mandatesh, heq çdo përgjegjësi nga vetja për këtë problematikë. Sot, thotë se fajin e ka drejtësia. Ndërkohë që disa muaj më parë, para nisjes së aksionit të shumëdebatuar, deklaronte se faji për ndërtimet pa leje ishte i kryebashkiakëve.
Advertisements
“Po për cilën arsye duhet të angazhohet Policia e Shtetit, duhet të angazhohet Inspektorati Kombëtar i Territorit, dëmet që bëjnë kryetarët e bashkive?! Sepse janë dëme të kryetarëve të bashkive personalisht, kur sot dhe gjithë ditën ndërtohet pa leje tek dhe tuk”, është shprehur Rama më 7 maj 2022. Ndërsa së fundmi, ka ndryshuar krejtësisht qëndrim duke ia hedhur fajin drejtësisë. “Si mund të ndërtohet 5 mijë metra katrorë në qendër të Tiranës pa leje”, ishte pyetja që iu përgjigj Rama ditën e shtunë gjatë një komunikimi online në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë tha: “Edhe unë këtë pyetje bëj. Kemi marrë një vendim tani për të kapërcyer gjithë këtë barrierë turpi që na kanë vendosur prokuroritë dhe gjykatat e rretheve gjyqësore. Për sa kohë ky sistem drejtësie nuk është akoma i pastruar tërësisht, je i destinuar të locësh dhe të turpërohesh”. Videon me deklaratat e tij e ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe kreu i PD-së. Në komentin që e shoqëron, Sali Berisha shkruan: “Edvin, unë ju them çfarë të më dojë qejfi! Dëgjojeni si flet!”.
Advertisements
Gjatë komunikimit online me qytetarët, Kryeministri Edi Rama sulmoi prokurorët e gjykatësit, teksa ka folur për ndërtimet pa leje. Ai solli me shifra kallëzimet e bëra për zyrtarë të caktuar dhe subjekte. Disa prej zyrtarëve, sipas tij dhe të PS-së, por ai tha se dosjet kanë zënë myk në prokurori. “Ky është rasti që ka derdhur kupën dhe na ka detyruar të futemi me ligj për të vepruar në mënyrë të atillë që të mos futet asnjë gjykatës i korruptuar në mes. Sepse kemi pritur e pritur. Meqë thonë nuk i sheh njeri, por inspektorati kombëtar ka kallëzuar penalisht në gjithë këtë periudhë 40 subjekte ndërtuese, 18 kryetarë bashkie e komunash, jo vetëm të palës tjetër por edhe të PS-së, 12 drejtorë urbanistike në bashki, 25 kryeinspektorë të inspektoratit të mbrojtjes së territorit, 2 drejtor rajonal ALUIZNI, 4 anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit.
Janë këtu me emra dhe mbiemra. Pyetja është sa nga këta kanë shkuar përpara ligjit? Asnjë, të gjitha dosjet i ka zënë myku nëpër prokuroria”, tha Rama. Kryeministri pranoi se edhe sot ka ndërtime pa leje, por ia hodhi fajin sërish sistemit të drejtësisë. “Ndërtimet pa leje kanë qenë kanceri i këtij vendi, ka ndërtime pa lejen patjetër nuk diskutohet, por po të vijmë tek këto metrat katrorë pa leje abuzim mbi një leje ndërtimi e kemi ulur 10 fish. Sot, jemi në kushtet kur duhet t’i japim një goditje përfundimtare këtij fenomeni të shëmtuar e fyes.
E pamundur që ne të vendosim kontroll të plotë e të rreptë kur vjen puna te ata që ndërtojnë, një avlli, një çati dhe një shtëpi në fshat e të vijë të ketë shans për parrallinjtë e biznesmenët të hapen ndenjësesh e të bëjnë metra katrorë në kryeqytet. Kjo që po bëjmë ka ardhur si rezultat se nxirr ligje e masa sa të duash, bëj kontrolle e denoncime sa të duash sa kohë ky sistem drejtësie në nivelin e prokurorive e gjykatave të rretheve nuk është i pastruar je i destinuar të turpërohesh”. Akuzat se në kullat e ndërtuara po lahen paratë e krimit, Rama i konsideroi si “broçkulla, dhe sipas tij janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë”.
“Ky përshkrim i komunitetit rom është e kaluarës, situata shumë ndryshe nga sa ka qenë. Janë zmadhuar në gjerësi apo lartësi, por jo duke marrë tokë tjetër se nuk i lejon njeri ti marrë. Këto janë ekonomi, i blejnë shqiptarët. Ato broçkullat me miliardat e parasë së krimit që lahen në këto ndërtime, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë. S’kanë bazë argumenti, s’kanë dokument faktik. Nga ana tjetër, një kullë punëson afro 1000 vetë në sistemin e ndërtimit, pastaj sjell të ardhura si taksë mbi pronën, strehim, mjedise biznesi, patjetër punësim për shërbime dhe vizitorë. Kjo varet e gjitha nga cilësia, arkitektura. Koha do jetë zonja e rëndë që do flasë, këto ndërtime që po transformojnë Tiranën nga një katund i madh kaotik si ai gjeta unë në një metropol rajonal, janë ato që po i japin Tiranës identitetin e një kryeqyteti me histori dhe të ardhme”, u shpreh Rama.