Indrit Beqiri zbërthen dy atentatet e dështuara: 100 mijë € për Geron Hasanbelliun, se vrava se të martën e kam ters! Dy nipat shpëtuan nga Policia

Rrëfimi i dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj përpara grupit hetimor është duke zbuluar një treg të mirëfilltë të zi të botës së krimit në Shqipëri, ku tregohet e gjithë rruga që ndiqet për të kryer një vrasje me pagesë, që nga porositësi deri tek ekzekutori. Në dëshminë e tyre, Dosja mësoi se vëllezërit kanë treguar me detaje sesi Ilirjan Feçi iu ka premtuar 100 mijë euro për vrasjen e Geron Hasanbelliut. Koka e Hasanbelliut kushtonte plot 100 mijë euro, dhe të dy vëllezërit e kanë ndjekur për 10 ditë. E marta e ka shpëtuar Hasanbelliun, pasi Indrit Beqiri nuk qëllonte të martën për shkak të një bestytnie që e “marta është ditë tersi”. Por të nesërmen, dy ekzekutorët ishin gati. Por sipas tyre, Geron Hasanbelliu nuk shkoi në lokalin e zakonshëm në Don Bosko dhe sipas tyre, tradhtia vinte nga Ilirjan Feçi. Në këtë moment, ata vendosën të komunikojnë direkt me porositësin e dyshuar “Kasandër Noga”, që në dosjen e Prokurorisë rezulton si “Fratelojai” referuar komunikimeve të dy vëllezërve përmes rrjetit sociale “Sinjal”. Porosia e dytë ishte edhe vrasja e nipërve të Hasanbelliut, por prania e shumtë e policisë në Astir i ka shpëtuar ata nga shënjimi.

Advertisements

Ilirjan Feçi na premtoi 100 mijë euro për të ekzekutuar Geron Hasanbelliut. Ilirjani dhe Kevin Zeneli e kishin ndjekur 2-3 herë por nuk kishin mundur ta ekzekutonin. Më dhanë 2 mijë euro për një banesë me qira afër zonës ‘Don Bosko’ te lokali Fokus. Për 10 ditë, që prej orës 07:30 kemi ndjekur në distancë lëvizjet e tij. Ilirjani kërkonte me instistim që të kryenim vrasjen. Mësuam se Geroni vinte në lokal rreth orës 17:30. I thashë të martën e kam ters, nuk e vras, do gjuaj të mërkurën.

Geroni erdhi mëngjesin e të hënës, piu kafe dhe pasdite nuk erdhi më. Pasi diskutova me vëllain dhe me Kevin, dyshuam se na kishte tradhtuar Ilirjan Feçi. Pasi larguam Fecin se dyshonim se na shiti, Kevin Zeneli foli në aplikacionin Signal me ‘fratelon’ (nofkë që i kishin vënë Kasandër Nogës). Ai urdhëroi të vrisnim nipat e Geronit pasi ky i fundit s’vinte më në atë lokal. Për nipat do merrnim 50 mijë euro. I lokalizuam në një dyqan Tabachino pranë zonës së Astirit, por kishte shumë njerëz dhe nuk qëllova. Kevin Zeneli na gënjente për vëzhgimin e 2 nipave të Geronit në kioskën e tyre ‘Astir’. Zeneli na thoshte s’ka policë pranë kioskës së nipave të Geronit, por ishte e kundërta. Kevin Zeneli na thoshte se nipat e Geronit ishin vetëm, por ata ishin me 4-5 shokë. Hoqa dorë nga vrasja pasi Kevin Zeneli më gënjente, kisha frikë se më shiste”, rrëfeu Indrit Beqiraj.

Advertisements

Dëshmia e Beqirajt vjen pas arrestimit të 3 tetorit. Në fakt e gjitha i faturohet një rastësie, ku dy vëllezërit ishin nisur për atentat ndaj Landi Muharremit i njohur si “Rrumi”. Por në rrugë e sipër ata u përplasën me njerëzit e Rrumit, që morën peng për disa orë Indrit Beqirajn. Në dosje nuk thuhet shkaku i pengmarrjes dhe sherrit mes tyre, por përmes këtij rrëfimi nis gjithçka dhe vëllezërit vetëofrohen si të penduar duke zbërthyer të gjithë grupin kriminal ku ishin pjesë dhe nga i cili kishin marrë porosi për të paktën katër vrasje në Tiranë dhe Durrës. Pasi kanë parë Policinë, ata janë detyruar të lënë të lirë Beqirajn dhe më pas ky konflikt ka sjellë edhe rrëfimin e dy vëllezëve, 32 dhe 38 vjeç. Bashkë me ta, Policia arrestoi edhe 13 persona të tjerë. Grupi akuzohen për grup të strukturuar kriminal ndërsa akuzohen për dy vrasje dhe 3 atentate.

Ata akuzohen për vrasjen e Erion çelës, i cili u ngatërrua dhe ishte shënjestra e gabuar pasi Kevin Zeneli kërkonte të vriste Geron Hasanbelliun. Më pas, ata akuzohen se vranë në bashkëpunim Arben Mërkurin alias Maneci, pasi kishin marrë porosi nga Kasandër Noga. Kumbari kryesor i operacionit është Kasandër Noga që ndodhet në burg në Belgjikë. Noga ka një hasmëri me Erion Hasanbelliut që nis që prej viteve 2000 e kulmoi me masakrën e Sanatoriumit. Pjesë e grupit janë edhe një oficer policie burgjesh, Flamur Bejko që iu dha 3500 euro për vrasjen e Saimir Zotkajt dhe një personi tjetër të identifikuar si I.H.

Artikulli paraprakOPEC paralajmëron uljen e prodhimit të naftës, Bordi ngre çmimet e karburanteve në stratosferë, ja si po manipulohet me vlerat e Bursës
Artikulli tjetërDeputeti i njohur i PD-së çan tollumbacen dhe ndan lajmin që gëzoi familjen e tij, zbulon momentet nga festa: Korriku që vjen do jetë më i nxehtë (VIDEO)