1 ton drogë drejt Italisë dhe pjesë e grupit kriminal të Ilirjan Duçellarit, SPAK kërkon 12 vite burg për ish-truprojën e Saimir Tahirit, Hekuran Marku

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi 12 vite burg Hekuran Markun, ish-truprojën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge drejt Italisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për shkak se në 27 shtator Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi të kryejë gjykim të shkurtuar për Hekuran Markun, nëse ky i fundit shpallet fajtor, do të marrë ulje dënimi 1/3 e dënimit paraprak. Në këtë mënyrë, 47-vjeçari do gjykohet për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Arrestimi i tij u bë në kuadër të megaoperacionit “Shpirti”, i cili prangosi 37 persona mes tyre dhe funksionarë të drejtësisë dhe policisë.

Advertisements

Marku para gjyqit: Punoja hidraulik në Gjermani, nuk i pranoj akuzat

Në seancën në GJKKO të datës 25 korrik të këtij viti, Marku hodhi poshtë akuzat për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafik droge. Madje, ai pretendoi se nuk ka jetuar në Gjermani për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare por se jeton atje me dokumente të rregullta së bashku me familjen. Ish-truproja i Tahirit shtoi se ushtron profesionin e hidraulikut në shtetin gjerman. “S’kam lidhje me akuzat. Nuk kam kryer asnjë veprim të tillë. Kam qenë në ruajtje fizike të ministrit Saimir Tahiri dhe regjistrat tregojnë lëvizjet e mia dhe që s’jam marrë me drogë. Kërkoj gjykim të shkurtuar. U ktheva nga Gjermania ku jam i regjistruar me dokumente e pune të ligjshme, për këtë proces. Punoja si hidraulik atje dhe në Gjermani kam familjen. Nuk i jam fshehur drejtësisë shqiptare”, tha para togave të zeza ish-truproja e ministrit të Brendshëm socialist.

Advertisements

Dy ish-truprojat e Tahirit, të përfshirë në trafik ndërkombëtar të 1 ton kanabisi

Hekuran Marku u arrestua në 18 gusht të vitit të kaluar në Gjermani me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Ai akuzohet se së bashku me 37 persona të tjerë: policë, biznesmenë, proku rorë, etj.m kanë trafikuar 1 ton kanabis drejt Italisë në kohën kur Marku shërbente si truprojë e Saimir Tahirit. Italia, Shqipëria dhe Eurojust kryen një operacion të përbashkët ndërkombëtar të koduar me emrin “Shpirti” verën e vitit të kaluar. Mes të arrestuarve është dhe ish-kolegu i Hekuran Markut, Paul (Agustin) Deda. Ky i fundit u prangos në Francë për llogari të SPAK-ut, por ai ka kërkuar azil politik në shtetin francez. Emri i Markut u zbulua nga 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë italiane. Sipas dosjes hetimore, Marku dhe Deda kishin realizuar transportin e sasisë me lëndë narkotike duke bashkëpunuar me 4 italianë dhe 1 shqiptar. Hetimet provuan se dy ish-truprojat që mbronin Saimir Tahirin ndikuan në ngritjen e parcelave të kultivimit të kanabisit në Tepelenë. Hekuran Marku dhe Agustin Deda u raportuan të arrestuar në 2 korrik 2021, por opozita akuzoi mazhorancën socialiste se kishte ndihmuar në arratisjen e tyre jashtë vendit në momentin kur nisi realizimi i operacionit “Shpirti”. Hekuran Marku u ekstradua në Shqipëri në maj të këtij viti.

Rrjeti drejtohej nga Ilirjan Duçellari, dërguan 6 ton drogë me vlerë 55 mln euro

Hetimet treguan se Ilirjan Duçellari (Zaimi), i njohur me pseudonimin “Daja” ishte koka kryesore e organizimit të trafikut ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Me ndihmën e disa punonjësve të policisë, dëshmitë e të penduarve të drejtësisë zbuluan gjithashtu se Duçellari kalonte lehtësisht lëndët narkotike nga deti e toka. Duçellari ndihmonte pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal kur kishin probleme me ligjin, duke paguar dhe të gjitha shpenzimet e tyre që do t’i nevojiteshin për procesin. Mes të tjerash, në dosje thuhet se kreu i grupit kishte marrë me qira dhe një banesë ku qëndronte i penduari i drejtësisë Mariglen Shusha bashkë me prokurorin Maksim Sota. Në 1 qershor, SPAK kërkoi në total 128 vite burg për 8 anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Masat e kërkuara për secilin të arrestuar janë: Ilirjan Duçellari (Zaimi) 20 vite, Aurel Kalari 15 vite, Kleo Bregu 18 vite, Orhan Duçellari 15 vite, Julian Bejdollari 15 vite, Rexhino Muçaj 15 vite, Alban Koshi 12 vite dhe Mariglen Duçellari 5 vjet. Grupi në fjalë akuzohet se ka transportuar në Itali 6 ton drogë me vlerë 55 milionë euro.

Artikulli paraprakBora Zemani shkelqeu në natën e parë të “DWS”/ Donald Veshaj nuk i ndahet në prapaskenë(Video)
Artikulli tjetërKonsumimi i 1-2 kafeve në ditë ndikon në jetëgjatësinë tonë