“Prodhojmë 20% mbi nevojat tona të energjisë”, Rama përplaset me kreun e Konfindustria: Histori folklori, energjia na kushton sa frëngu pulën, me Skavicën fitojmë pavarësinë!

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku janë përplasur me njëri-tjetrin në tryezën e diskutimeve për përmirësimin e klimës së biznesit në raport me rekomandimet e Dhomave të Tregtisë.

Advertisements

Buxhuku duke folur për çmimin e karburantit në vend tha se “janë të gjitha mundësitë që duke eliminuar kontrabandën masive, por edhe duke përpunuar naftën bruto që prodhohet në vendin tonë, të realizohet ulja e çmimeve dhe barrës fiskale”.

“Ne jemi të pavarur nga tregjet ndërkombëtare të energjisë. S’kemi lidhje me gazin rus drejtpërdrejtë. Ne jo vetëm do ta kishim menaxhuar krizën por do ishim bërë dhe faktor strategjik me kapacitetet tona. Kam edhe një pikë të tretë që ia kam paraqitur të gjitha. Ka ardhur momenti që të përmirësojmë të gjitha politikat tona monetare,. Jemi në prag të kapitujve për anëtarësim në BE dhe në momentin e nismave rajonale të qeverisë dhe do kërkoja të mos bëjmë paraqitjen që kemi bërë në këto 30 vite që firmosim marrëveshje tregtare që na i vënë përpara të tjerëve. Kështu ka ndodhur në OBT dhe marrëveshja e Stabilizim Asoocimit. Menaxhimi sistemit ka problematika. Ju e keni të qartë pse” tha ndër të tjera Buxhuku.

Advertisements

Por, kryeministri Rama nuk ndante të njëjtin mendim me kreun e Konfindustrisë, teksa tha se falë sistemit ekonomia shqiptare është duke i mbijetuar goditjes nga kriza globale.

Ai gjithashtu shtoi se teoritë që Shqipëria mund të furnizohet gjatë gjithë vitit me energjinë që vetë strukturat hidrike të vendit prodhojnë gjatë 365 ditëve dhe se mund të shesë gjithashtu energji në tregun ndërkombëtar, janë folklorike.

“Unë mendoj se falë menaxhimit të sistemit po i mbijetojmë goditjes. Unë me qëllim të pyeta, është e rëndësishme të bëhet ky diskutim se ka shumë folklor në këtë temë dhe shumë paqartësi dhe mjegull. Shqipëria nuk prodhon, edhe në vitin 2011 që ka qenë viti me reshjet më të larta, Shqipëria nuk e ka pasur mundësinë të prodhojë të gjithë energjinë që konsumon. Ky është fakt i bazuar në shifra dhe ndaj Shqipëria duhet të dalë në treg dhe t’i nënshtrohet logjikës së çmimeve të rritura në mënyrë katastrofike në tregun ndërkombëtar”, tha Rama.

Më tej i pari qeverisë shtoi se do të jetë përfundimi i Skavicës, ai që do t’i japë Shqipërisë pavarësinë energjitike, por edhe nisja e projekteve për energjinë diellore dhe atë me anë të erës.

“Ajo që ne po bëjmë është zbatimi hap pas hapi i një programi për ta pavarësuar Shqipërinë në aspektin energjetik dhe për ta kthyer brenda vitit 2030 në një eksportues neto të energjisë. Shqipëria s’do shpenzojë asnjë euro për të blerë energji, por për të shitur energji. Prandaj po ecim me ndërtimin e Skavicës, mungesa e Skavicës është arsyeja që ne jemi të pavarur në tregun energjetik. Këtë se kisha dëgjuar kurrë se ne kemi 20% më shumë se nevojat për energji. Me Skavicën do të menaxhojmë kapacitetet tona hidrike.

Nuk do dalim aq sa dalim në tregun ndërkombëtar në periudhën e thatë se do përdorim ujin që do të mbledhim gjatë dimrit. Sivjet është viti i katërt radhazi me efekt negativ në asketin e reshjeve gjë që përsëri ndikon në balancën tonë energjetike. Dhe vetëm me hidron nuk ia dalim dot. As vetëm me Skavicën, ndaj po investojmë në energji diellore dhe hapëm ankandin e parë të erës. Në mënyrë që të diversifikojmë. Nuk jemi ne aty për këtë arsye na kushton energjia sa frëngu pulën.

Sa i përket karburanteve dhe këtu jemi në kushtet e folklorit. Nuk ka Shqipëria kapacitete prodhimi të naftës në vend për të kompensuar çfarëdo qoftë,. Nuk i ka. Shqipëria prodhon naftë të rëndë. Dihet botërisht. Naftë që tregtohet kryesisht për lëndë bitumiznoze dhe rafineria, e cila është çmontuar ishte jashtë çdo mundësie për t’u rikuperuar. S’kemi lënë gjë pa provuar, kompani pa sjellë dhe në fund të gjitha iknin se thonin që ishte investim shumë i madh dhe nuk kthen investimin.

Zgjidhja që po kërkojmë është ndërtimi i një rafinerie të re. Problemi është te nafta. Ku e gjen naftën që do prodhojë rafineria. Dhe të gjesh naftën është gjeopolitikë. Shpresoj se do t’ia dalim. Në rast se ne do realizojmë rafinerinë dhe do garantojmë kontratat e duhura me naftën e duhur për përdorim atëherë do flasim për çmim dhe konkurrencë. Sot të thuash që ul barrën mbi çmimin e naftës dhe të flasësh për kontrabandën masive është opinion, faktet nuk e tregojnë. Si ata që thoshin do investojmë 2 miliardë se do ti marrim nga duart e hajdutëve. Këto janë populizma pa bazë shkencore. Nuk diskutohet që ka evazion në fushën e karburanteve dhe ne po marrim masat të rrisim kontrollin në mënyrë teknologjike, jo me inspektorë se shtojnë hallet për shtetin”, deklaroi Rama.

DEBATI:

Buxhuku: Sistemi energjetik shqiptar ka kapacitet të instaluar 20% më shumë seç konsumojmë.

Rama: E pavërtetë!

Buxhuku: Unë kështu e di.

Rama: Ky nuk është opinion, e kuptova bazën e arsyetimit.

Buxhuku: E dyta është fakti që menaxhimi i sistemit ka problematika. Duke filluar nga 2021 ju e keni të qartë që problematikat janë të mëdha.

(BalkanWeb)

Artikulli paraprakPas vdekjes së Mbretëreshës, Britania e Madhe drejt përballjes me të papriturën
Artikulli tjetërStresi në varrin e Brilant Martinaj: M’ka marrë malli vëllai im!(Foto)