Prokuroria e Vlorës vendosi ditën e djeshme të gjykojë ish-zyrtarin e policisë Arjan Tase për kryerjen e veprës penale “vrasje me dashje” pasi aksidenti për vdekje me motoskaf vajzën 7-vjeçare Jonada Avdia në plazhin e Potamit në Himarë. 3 ditë pas ngjarjes që tronditi mbarë vendin, organi i akuzës së qytetit bregdetar mori vendim të ri lidhur me hetimet për vdekjen e fëmijës së mitur, pasi u caktua fillimisht se ish-shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet të Elbasanit e kishte kryer krimin si “vrasje nga pakujdesia”.
Advertisements
Prokurorët e çështjes gjykuan se duke u bazuar te fakti se Tase kishte leje drejtimi motoskafi si dhe faktin që neglizhoi distancën e sigurisë nga vija e bregdetit (minimumi 150-200 m) duke u futur deri në 15 m distancë, ish-shefi i Komisariati të Himarës të përballet me drejtësinë për akuzën “vrasje me dashje”.
Në këtë mënyrë, nëse Arjan Tase shpallet fajtor për “vrasje me dashje” ai mund të dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg. Dënimi për këtë vepër penale është përcaktuar në nenin 76 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. “Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”, përcakton neni në fjalë i Kodit Penal.
Advertisements
AMP njoftoi dy ditë më parë se Tase bëri manovra të pakujdesshme me motoskaf
Dy ditë më parë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vendosi ta hetojë ish-zyrtarin e përjashtuar nga policia për “vrasje nga pakujdesia”. AMP pretendonte se Tase kishte të gjitha dokumentet në rregull dhe se aksidenti ka ndodhur për shkak të manovrimeve të pakujdesshme të vetë drejtuesit të motoskafit “Nëna 154”. Ky pretendim nuk është pranuar nga Prokuroria e Vlorës. Nëse Tase do të gjykohej për “vrasje nga pakujdesia”, atëherë do të merrte gjobë ose do dënohej me 5 vite burg si nenit 85 të Kodit Penal.
Dyshime për përfshirje në trafik droge nëpërmjet motoskafit që vrau vogëlushen
Prokuroria dhe policia e Vlorës po e heton Tasen dhe për dyshimet se ai mund të jetë përfshirë në trafik droge dhe grupe të strukturuara kriminale. Motoskafi që ai drejtonte ka dy motorrë me 300 kuaj fuqi, i aftë për të përshkuara distanca të largëta. Duke parë se Tase e kishte regjistruar motoskafin në emër të kushëritit të tij Adhurim Kushi pasi nuk e justifikonte vlerën e motoskafit me pagën e tij, grupo hetimor ka ngritur dyshime se Tase mund ta ketë përdorur motoskafin edhe për të transportuar drogë.
Tase u hetua nga Maksim Sota për trafik droge, ja si Nano dhe Veliu i besuan sërish
Tase u akuzua në 2020 për favorizimin e kultivimit të drogës në zonën e Vranishtit të Vlorës gjatë kohës që ushtronte detyrën e shefit të komisariatit të Himarës. Në 3 mars 2020 u gjetën disa parcela të mbjella me 6690 rrënjë kanabisi. Më pas, forcat e rendit organizuan një operacion madhor të koduar “Hapësira” duke arrestuar në total 27 persona për mbjelljen e rreth 12 mijë rrënjëve kanabis në Tërbaç, Vranisht dhe Himarë. Çështja po hetohej nga prokurori Maksim Sota.
Në 13 dhjetor 2020 u kërkua pezullimi nga detyra i Tases pasi ngarkohej si përgjegjësi kryesor i favorizimit të mbjelljes së kanabisit. Bashkë me Tasen u gjykuan dhe 5 punonjës të policisë: ish-shefin i Krimeve në Komisariatin e Himarës, Artur Veshajn, Alem Llanaj, Ilir Kadena dhe David Fakaj, punonjës të Patrullës së Policisë në Himarë. Çuditërisht, në 6 janar 2021, Gjykata e Apelit të Vlorës ndryshon masën për Arjan Tasen nga “Pezullim nga detyra” në “detyrim paraqitje. Në 18 janar 2021, u ndërpre dhe pezullimi disiplinor për Tasen, i cili me urdhër të drejtorit të kohës së Policisë së Shtetit, Ardi Veliut u rikthye në detyrë.
Prokurori i çështjes në fjalë ishte Maksim Sota. Ai u kap me urdhër të SPAK në 2 korrik 2021 në megaoperacionin “Shpirti” për bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal, zyrtarë të policisë dhe prokurorisë të inkriminuar, etj. Dosja ia kaloi prokurorit Alban Xhaferri.
Në 27 prill 2022, Tase u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në detyrën e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet në Elbasan, detyrë në të cilën u emërua me urdhër të pasuesit të Ardi Veliut, Gledis Nano. Ky i fundit e përjashtoi nga policia Arjan Tasen mbrëmjen e tragjedisë ku vdiq Jonada Avdia.