Nga kërcënimet me jetë, tek rrahja në ambientet e ajrimit, deri në konfliktet me drejtorin, ja prapaskenat e transferimit të Saimir Tahirit në burgun e Lushnjes

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është transferuar nga Burgu i Fierit pas 6 muajve në qeli, në Institucionin e vuajtjes së dënimit në Lushnje. Gazeta ka zbuluar se pas kësaj lëvizje të papritur dyshohet se fshihen kërcënime me jetë, rrahje brenda ambienteve të ajrimit, si edhe për shkak të pakënaqësive të tij në burgun e Fierit, apo edhe përplasjeve me drejtorin e këtij burgu. Kërcënimin me jetë e zbuloi vetë Tahiri pak muaj më parë.

Advertisements

Ai kërkoi pezullim të dënimit me arsyetimin se është i rrezikuar nga subjektet e krimit. Gjithashtu, avokati i tij u shpreh se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burg, mund të sjellë pasoja të rënda për të mbrojturin prej tij, si dhe për familjen e tij.

“Kjo për shkak të detyrës që ka mbajtur dhe ai rrezikon dhe mund të shndërrohet në objekt të personazheve të krimit që vuajnë dënimin në IEVP Fier”, thuhej në kërkesë. Në rekurs u tha se edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasojave të mundshme.

Advertisements

Sipas avokatit të Tahirit, është e qartë që vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, është i marrë në shkelje flagrante të ligjit. Sipas tij, sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe ekzekutimit të tij, ai cenon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë.

Për këto arsye, kërkohet ndërprerje e ekzekutimit të vendimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Por Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për pezullim të dënimit.

Rrahja në ambientet e ajrimit dhe konflikti me drejtorin

Gjithashtu, nga burime në burgun e Fierit, ende të pakonfirmuara dyshohet se Tahiri është dhunuar në ambientet e ajrimit dhe gjithçka është mbajtur e fshehtë. Një tjetër arsye që dyshohet në transferimin e tij në Lushnje, është përplasja e tij me drejtorin e burgut të Fierit Arjan Hasani. Si pasojë e këtij konflikti Tahiri ka kërkuar edhe transferim nga ky burg, e ta vuajë dënimin në një nga burgjet e tjera të sigurisë së zakonshme.

U mësua se Tahiri prej javësh ka shprehur pakënaqësi për kushtet brenda institucionit të vuajtjes së dënimit për të burgosurit dhe rregullat që duhet të vendosin familjarët e tyre. Një nga konfliktet mes tij, dhe drejtorit është uji i pijshëm, ku sipas rregullave të izoluarit në këtë burg, nuk u lejohet të furnizohen nga familjarët, por ujë të blihet në dyqanin e burgut. Kujtojmë se më 4 shkurt të këtij viti, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.

Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.

Artikulli paraprakKush janë 5 bodyguard-et e Grida Dumës? Politikania sqaron foton që bëri bujë
Artikulli tjetërÇfarë bëri fituesi i BB VIP? Policia shkon të arrestojë Ilir Shaqirin, ja si ia hodhi balerini