“Jam pa shtëpi pa asgjë”/ Flet “milionerja” e inceneratorëve: Nëse kam biznese të mi japin të jetoj si njeri

Sipas dokumenteve të QKB-së, Merita Hajdari rezulton si biznesmene dhe që ka qarkulluar qindra miliona lekë përmes kompanisë “Elvisi 03 shpk”, por në fakt ajo jeton në varfëri duke pastruar shtëpi të ndryshme, ndërkohë që nuk ka një strehë mbi kokë.

Advertisements

Duke folur për emisionin “Me Zemër të Hapur”, Merita thekson se nuk e di kush ia ka bërë këtë lojë, ndërkohë që i vjen keq se tashmë e thërrasin të gjithë biznesmene, ndërsa rezulton borxhlie nëpër banka për shkak të një kredie të marrë në vitin 2019 pasi iu dogj shtëpia.

“Unë jam pa shtëpi pa asgjë. Jetoj te babai im pasi banesa më është djegur në vitin 2019 për shkak të një zjarri që ra nga shpërthimi i bombolës. Këta më thonë biznesmene, kur unë kam borxhe në bankë. Nëse kam biznese, atëhere të mi japin ato dhe të jetoj dhe unë si njeri me familjen time”, tha ajo.

Advertisements

Si është përfshirë emri i Merita Hajdarit në skandalin e inceneratorëve dhe lidhja me kompaninë “Elvis 03”?

Abcnews.al zbulon se emri i Merita Hajdarit, bashkë me Kartën e Identitetit dhe nr. e ID-së, rezulton të jetë përdorur në të vitit 2017, ku gjoja është autorizuar nga Gjyste Serrmi, pronare e vetme e kompanisë “Elvis 03” për të bërë veprimet në QKB për pezullimin e aktivitetit ekonomik të kësaj kompanie. Bashkë me emrin e saj, Gjyste Serrmi ka shtuar edhe nr. e ID-së së Merita Hajdarit, e cila më pas rezulton të ketë bërë veprimet në QKB.

Në fakt, e gjitha kjo është një mashtrim, pasi Merita Hajdari jo vetëm që nuk ka bërë veprime të tilla në llogari të kompanisë në fjalë, por nuk ka qenë fare në dijeni mbi çfarë po ndodhte me emrin e saj.

Skandali thellohet edhe më tej, pasi në fund, djathtas, dokumenti mban firmën e Administratores, Gjyste Serrmi. Siç mëson abcnews.al, në këtë datë, zonja në fjalë kishte të paktën dy muaj që kishte ndërruar jetë.

Në emrin e Gjyste Serrmit, kur ajo kishte ndërruar jetë është bërë një tjetër veprim edhe në fund të korrikut 2017, ku autorizohej Dashamir Ymeraj që të bënte veprimet ne QKB duke ndërruar emrin e kompanisë nga “Elvis 03” në “Elvis 03 shpk”.

Më herët, Abcnews.al publikoi një intervistë të gazetarit Simon Shkreli me djalin e Gjyste Serrmit, Marketin Serrmi, i cili tha se nëna e tij kishte jetuar vetëm me 11 700 lekë pension dhe shpesh kishte vështirësi të ushqehej e jo më të ishte pronare e kompanisë “Elvis 03” që rezulton se ka qarkullua më shumë se 530 milion lekë nga ato të inceneratorëve.

Pjesë nga intervista:

Simon Shkreli: A dini gjë, nëna juaj ka pasur firmë biznesi të veten?

Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, nuk ka pasur, se nuk ka pasur mundësi, ka qenë fukara e mbaruar, me një pension 117 mijë lekë”.

Simon Shkreli: Keni pasur dijeni a kanë ardhur njerëz të cilët kanë kërkuar për të firmosur një dokument nga ana jote?

Marketin Serrmi: Jo s’ka ardhur kush, s’më ka thënë gjë. S’ka bërë biznes.”

Simon Shkreli: Ju nuk dini asgjë për këto dokumente?

Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, ajo s’ka patur bukë me ngrënë, e ka ndihmuar e motra.”

Simon Shkreli: Pra ju nuk dini fare lidhje me këtë?

Marketin Serrmi: Asgjë s’dimë, ajo ka vdekur pa lënë asnjë fjalë, asnjë gjë, s’ka pasur ca të lërë.”

Artikulli paraprakI moshuari i shtrirë në dyshemenë e QSUT, Berisha: Gjendje katastrofë në urgjencë
Artikulli tjetërA ndiheni sikur jeni duke u vëzhguar? Si të dalloni kamerat e fshehta në hotele