Në takimin e zhvilluar dje me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, Sejko u ndal edhe në masat e ndërmarra në përgjigje të situatës së krijuar pas luftës në Ukrainë.
Advertisements
“Sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare diktuan një rishikim të projeksioneve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë dhe nevojën e rivlerësimit të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare. Në këtë ambient dinamik, politikëbërësit po përballen me dilema të politikave të tyre. Politika monetare duhet të fokusohet në stabilitetin monetar dhe financiar pa penguar në mënyrë të panevojshme rimëkëmbjen, ndërsa politika fiskale duhet të lehtësojë barrën e shtresave të varfra të shoqërisë dhe sektorëve vulnerabël të ekonomisë, pa rrezikuar borxhin publik”, tha guvernatori.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë reagoi nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend, si dhe për të minimizuar pasojat që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar.
Advertisements
Guvernatori e siguroi ambasadoren Kim se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore e rregulla tive që disponon, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet në vend, me qëllim përballimin e kësaj situate, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, si dhe stabilitetin e çmimeve e atë financiar në vend.
Në vijim, Sejko prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend, duke theksuar se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar, ku mund të përmendet raporti i kredive me probleme, i zbritur në nivelin aktual prej 5.4%.
Nga ana e saj, ambasadorja Kim vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë luajtur në vazhdimësi, si dhe mbështetjen që Banka e Shqipërisë po jep për minimizimin e efekteve të mundshme negative të krijuara tensioni gjeopolitik. Ambasadorja vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës nga institucionet në vend, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.
Gjithashtu, ambasadorja Kim vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë dhe shprehu gatishmërinë e saj për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë situatë.
Takimi u zhvillua në kuadër të rizgjedhjes së guvernatorit Sejko me një mandat të dytë si drejtues i institucionit të bankës qendrore. Ambasadorja Kim vlerësoi se kjo rizgjedhje e tij mbështet qëndrueshmërinë e Bankës së Shqipërisë, si një institucion kyç në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.