Ronela Hajati u bë kryefjala e atmosferës së ndërrimit të viteve pasi fitoi për herë të parë çmimin e parë në karrierën e saj, duke marrë kupën e më të mirës në edicionin e 60-të të Festivalit të RTSH-së.
Advertisements
Ajo do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2022, që do të mbahet në Torino të Italisë, ndërkohë që nuk munguan kontestimet për tekstin e këngës “Sekret”, me të cilën ajo u paraqit në festival si kantautore.
Advertisements
Shumë artistë, mes të cilëve vëllezërit e famshëm Endri dhe Stefi Prifti, aktori dhe shkrimatri nga Kosova, Çun Lajçi etj., e shigjetuan tekstin e këngës, pasi sipas tyre është thjesht një tekst banal dhe asgjë më shumë.
Por në këtë shkrim do të merremi me përmbajtjen e fabulës së këngës dhe kujt ia ka dedikuar Ronela këtë këngë dashurie dhe triumfi. Duke qenë se shumë këngëtarë ia adresojnë dedikimin gjithmonë autorit të tekstit, Ronela në këtë rast s’ka ç’të thotë, pasi e ka shkruar vetë.
“Po vjen djali nga malet, Dhe tek unë sot do falet, Nuk e di a do ndalet, Hajde t’i, hajde t’i falim mëkatet, Për këtë vajzën do vije, Dhe krejt botën ta lije, Unë jam diell, nuk jam hije, Ti i je i imi, djalë prej Shqipërie, Hej, a i kujton ato net? Mbetën vetëm sekret, Baby shija jote, shijes sime. Peng i ka mbet. Hej, a i kujton ato net? Nuk janë më një sekret. Por unë nuk e di, nuk e di Si kam me u ndi”, thuhet në vargjet e këngës.
Burime pranë saj kanë treguar se në fakt nuk është një tekst fantazi, pasi Ronela e ka përjetuar vërtet këtë dashuri me një djalë nga Veriu, për të cilin nuk dihen shumë detaje.
Që me postimin e këngës audio në kanalin e RTSHsë në “Youtube”, filloi të përflitej se ajo do ta fitonte garën, edhe pse konkurrohej fuqishëm nga rivali i saj, Alban Ramosaj, i cili u rendit i dyti me këngën “Theje”.
Ish-i dashuri i saj, Young Zerka, duke mësuar për dedikimin që ajo i ka bërë djalit sekret nga Veriu, në këngën për të cilën ka dy vjet që po punon, është hakmarrë në mënyrën e tij. Këngëtari postoi në rrjetin e tij social “Instagram” një foto të mikut të tij të vjetër Kastro Zizo, duke treguar se është ai konkurrenti që mbështeste me shpirt në Festival.
Kujtojmë që Ronela Hajati dhe Young Zerka kanë qenë çift për 5 vite, por i dhanë fund lidhjes gati 1 vit më parë, dhe ky fakt ka nevrikosur Zerkën nga Korça, pasi nuk i dalin llogaritë për lidhjen e saj të re, kur e njohur dhe kur e bëri këngën. Këngëtarja Ronela Hajati është përfolur disa herë në mediat rozë për jetën e saj private.
Ronela zgjoi kureshtjen e ndjekësve të saj në rrjetet sociale ku foli për mashkullin ideal, disa muaj pasi i dha fund lidhjes 5- vjeçare me Young Zerkën. Hajati u bë më e hapur me fansat për jetën e saj private pas ndarjes nga këngëtari, duke renditur cilësitë që duhet të kishte një mashkull që ta bënte të dashurohet me të.
Gjatë një pyetësori me ndjekësit në “Instastory”, këngëtarja preferoi të përgjigjej dhe për pyetjet që i drejtoheshin për mashkullin ideal.
“Ajo kimia që në takimin e parë që e ndjen telashin. Do të të dua nëse nuk je shumë i ngjitur, gatuan lezetshëm, kemi shije të përafërta muzikore. S’dua të pajtohet me çdo gjë që them, dua të më kuptojë me një shikim dhe të arrijë të njohë atë Ronelën, që e njohin shumë pak njerëz. Nuk është ndonjë gjë dhe shumë e lodhshme!”, shkruante Ronela duke e sqaruar njëherë e mirë si e donte partnerin e saj, në këtë parashtrim pretendimesh.
Ronela Hajati në vitin 2020 konfirmoi se i kishte dhënë fund lidhjes 5- vjeçare me Young Zerkën. U fol se këngëtarja nuk e kishte përjetuar mirë ndarjen nga partneri i saj. Pas shkëputjes, ajo publikoi një video teksa udhëtonte me makinë në rrugët e Prishtinës nën tingujt e këngës “No ordinary love”, ndërsa në përshkrimin e videos shkroi: “Bosh”.
Kaq u desh që ndjekësit ta përkthenin si një pasqyrim të gjendjes shpirtërore të Ronela Hajatit. Në një intervistë më pas, ajo u shpreh se është më e padashuruar se asnjëherë tjetër dhe aktualisht është e fokusuar te puna. Ronela tha se izolimi për shkak të pandemisë e ndihmoi të rigjente veten dhe t’ia niste punës. Ajo theksoi se është e kotë të kërkojë gjëra, për të cilat nuk e di nëse do ndodhin ndonjëherë.
“Jam çuditërisht më e padashuruar se asnjëherë dhe jam vetëm e fokusuar te puna. Kjo karantina më ka ndihmuar shumë të rigjej vetveten, t’ia rinis punës me shpresën që Zoti i di të gjitha, i ka shkruar disa gjëra për ne. Ndonjëherë është e kotë të kërkojmë gjëra që nuk e dimë nëse do të bëhen ndonjëherë”, tha këngëtarja gjatë një interviste televizive.
Ndërkohë, Zerka qëndrimin e tij ndaj kësaj marrëdhënieje të marrë fund e bëri të qartë vetë. I ftuar gjatë një emisioni tek “Ora News”, Young Zerka rrëfeu disa detaje nga jeta e tij dhe marrëdhënia që kishte me Ronelën. Ai tregoi përse ishte aq i rezervuar kur vinte puna te lidhja e tij me Ronelën dhe u shpreh se ende nuk kishte vendosur për të krijuar familje, ndonëse kishin 5 vite bashkë.
“Në momentin që unë do ta kem ndarë mendjen që do të bëhem familjar, atëherë do të them diçka”, u shpreh ai. Më shumë se tri vite pasi këngëtarët Ronela Hajati dhe Young Zerka vendosën të dilnin hapur si çift, duke e zyrtarizuar lidhjen me një duet, historia e tyre pësoi krisjen e parë para.
Kur vendosën të bashkëpunonin për projektin e tyre muzikor, ata kishin një vit që përfliteshin për lidhje dashurie, por që përpiqeshin ta mbanin të fshehtë.
Dhe më këtë stil vazhduan për një periudhë të gjatë, edhe pse koncertet i planifikonin gjithmonë bashkë. Para tri vitesh ata pësuan një krisje dhe përgjigjen deri diku e dha reperi Young Zerka gjatë një interviste tjetër televizive. Pyetjes nëse ishte çift apo single, ai iu përgjigj: “Normal që single”, duke treguar edhe duart, në të cilat nuk kishte asnjë unazë.
“Por, a je në kërkim të dashurisë?”, e pyeti gazetari. “Në kërkim të shpirtit të lirë”, tha Zerka dhe kaq u desh për të konfirmuar se ai dhe Ronela Hajati ishin zënë dhe nuk flisnin.
Nga ana tjetër, Ronela u rikthye në festivalin “Kënga Magjike” me një këngë të Flori Mumajesit me titullin “Vuj”, dedikuar një dashurie të humbur, pasi ai e kishte lënë për një tjetër. Ronela, edhe pse kishte pohuar se nuk ishte gati për bashkëjetesë, nga ana tjetër kishte shprehur dëshirën që ta zyrtarizonte lidhjen, pikë në të cilën ra në kundërshtim me Zerkën, i cili nuk ndihej gati ta hidhte një hap të tillë, duke u mjaftuar me një lidhje pa detyrime.
Sipas burimeve për “Panorama Plus”, ata u lidhën gjatë kohës që menaxhoheshin nga “Max Production”, një marrëdhënie kjo që binte ndesh me politikat e kompanisë, që në punë s’duhet të kishte marrëdhënie mes kolegësh. Pronari i kompanisë së njohur muzikore vendosi të shkëpuste marrëdhëniet për këtë arsye, ishte thashethemi që nisi të qarkullonte në atë kohë.
Ky konflikt në punë i afroi edhe më shumë me njëri-tjetrin, por tashmë thuhet se ata janë ndarë me mllef dhe inate. Gjithsesi, ky është një kapitull i mbyllur, ndaj presim që Ronela të na zbulojnë “sekretin” e saj për “djalin nga mali”, që i dedikoi këngën, me të cilën fitoi Festivalin e 60-të të Këngës në RTSH.
/Panoramaplus.al