Në kohën kur në shumë vende të botës është duke u përhapur varianti Omicron i koronavirusit dhe në të njëjtën kohë edhe virusi Influenca A, që njihet si grip stinor, shenjat klinike të të dyja viruseve do t’i hutojnë ekspertët shëndetësorë, përfshirë edhe ata në Kosovë, thotë epidemiologu Isuf Dedushaj.
Advertisements
Me gjithë dallimet që kanë Omicroni dhe gripi stinor, ngjashmëritë e shenjave klinike të tyre janë mjaft të përafërta, thotë Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, kur flet për vaksinat kundër gripit stinor, shkruan se “…në shumë raste, nuk është e lehtë klinikisht të dallosh gripin sezonal nga infeksione të tjera të frymëmarrjes, ku bën pjesë edhe [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri] COVID-19, ku për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik”.
Advertisements
Dedushaj: Omicroni dhe gripi stinor me shenja klinike të përafërta
Epidemiologu kosovar, Isuf Dedushaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata epidemiologjike me COVID-19, edhe pse aktualisht është e qetë në Kosovë, ka tendenca të përkeqësohet.
Numri i madh i të infektuarve me grip stinor – mbi 15 mijë – ka krijuar sfidë të dyfishtë për ekspertët shëndetësorë, thotë ai.
“Shenjat klinike të gripit A [gripit stinor] janë shumë të ngjashme dhe të përafërta me koronavirusin. Kështu që do të kemi edhe një problem më shumë me gripin sezonal, për arsye se ai manifestohet me temperaturë deri në 40 gradë. Manifestohet me dhembje të kyçeve, heqje të barkut, me dhembje të muskujve dhe në nyje. Kështu që janë të ngjashëm [me koronavirusin], por te gripi nuk ka nevojë për oksigjeno-terapi”, thotë Dedushaj.
Mulliqi-Osmani: Diagnoza laboratorike për diferencim të koronavirusit nga gripi
Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe e pensionuar në Kosovë, thotë se ngjashmëritë e variantit Omicron me gripin stinor, janë mjaft të mëdha në aspektin klinik.
“…sepse, ka edhe rrjedhje hunde, ka edhe ënjtje të mukozave, të rrugëve respiratore, nuk ka gjithherë temperaturë, ka dhembje, sikurse që ka edhe me virus të gripit, ka dhembje të muskujve sikurse edhe me virus të gripit. Prandaj, diferencimi më i mirë dhe më i preferuari do të ishte me diagnozë laboratorike. Por klinikisht, zakonisht, është mjaft vështirë që krejtësisht dhe me siguri 100% të diferencohen”, thotë Mulliqi-Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!