Një projektligj i qeverisë i dërguar për miratim në parlament synon të “indeksojë” akcizat e të gjitha produkteve, kryesisht hidrokarbureve, gjë që nënkupton një rritje të mëtejshme të barrës fiskale mbi naftën dhe benzinën.
Advertisements
Qeveria shqiptare ka në plan të rrisë më tutje akcizat e karburanteve përmes një skeme të re që synon të “indeksojë” inflacionin në këto akciza, të cilat prej vitesh kanë qenë fikse. Kjo do të thotë një rritje në akcizën e karburanteve me 2-3% në vit, gjë që nga ana e vet, mund të reflektohet në rritjen e çmimit final me 1 lek për litër.
Projektligji “Për Akcizat”, i cili është miratuar në qeveri, shkruan: “Akciza e llogaritur në njësinë matëse sipas seksioneve respektive dhe sipas shtojcës nr. 1 të këtij ligji, indeksohet çdo dy vjet bazuar në normën e shpallur të inflacionit për dy vitet paraardhëse.”
Advertisements
Aktualisht, akciza e gazoilit, benzinës pa plumb apo solarit e mazutit është 37 lekë për litër dhe ajo është një nga taksat e shumta që rëndojnë çmimin final të karburanteve. Sipas propozimit, një herë në dy vjet, akciza do të duhet të rritet me normën e akumuluar të inflacionit të dy viteve paraardhësve. Në Shqipëri inflacioni vjetor zakonisht varion në 2-3%, gjë që do të thotë se akciza do të bëhet fillimisht 39 e më pas 41 apo 42 lekë për litër.
Relacioni shoqërues i projektligjit thotë se kjo skemë është një rekomandim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pritet t’i heqë nga duart taksapaguesve rreth 500 milionë lekë në vit (4 milionë euro).
Përveç rritjes së kostos nga akciza, çmimi i naftës do të rëndohet më tej nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili zbatohet për vlerën e naftës së importuar dhe për akcizën e saj.
Shqiptarët paguajnë aktualisht rreth 180 lekë për litër nafte. Nga këto, 90 deri në 105 lekë janë taksat dhe tatimet që merren nga qeveria, ndërsa pjesa e mbetur është vlera e naftës.
Rritja e taksave mbi naftën është metoda e parapëlqyer e qeverive shqiptare për rritjen e barrës fiskale mbi konsumatorët. Qevera e kryeministrit aktual ka rritur taksën e qarkullimit, nga 7 në 27 lekë për litër, e cila në vetvete ka rënduar çmimin final të karburanteve.
Shqiptarët paguajnë në çdo litër naftë aktualisht 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 13 lekë TVSH mbi taksa e mësipërme dhe 20-30 lekë TVSH mbi vlerën e karburantit, në varësi kjo të çmimit të importit.
Kjo nuk është rritja e vetme e taksave të planifikuara nga qeveria. Në një masë tjetër, produkte të tjera hidrokarbure, do të taksohen më shumë.
Qeveria ka në plan gjithashtu të rrisë të ardhurat me 750 milionë lekë në vit nga rritja e akcizës së duhanit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!