Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar ditën e sotme sekuestrimin e pasurive të shtetasit Redjan Rraja, i cili sipas organit të akuzës është përfshirë në atentatit ndaj prokurorit, Arjan Ndoja.
Advertisements
redjan rraja
Advertisements
Në vitin 2019, Redjan Rraja u arrestuar teksa ishte duke u larguar në drejtim të Malit te Zi. Policia dhe prokuroria kanë kërkuar arrestimin për shkak se kanë zbuluar gjurmët e ADN-së së tij në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës dhe që dyshohet se mund të ketë lidhje me atentatin e Shkozetit, ku u plagos prokurori Arjan Ndoja dhe ku mbeti i vrarë shoferi i tij.
“Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm. Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e arsyeshme, u bë ekzekutimi i urdhër- ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë- Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë”, u tha në njoftimin e policisë.
Redjan Rraja rezulton të jetë kushëriri i deputetit të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Rrahman Rraja.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ka regjistruar në datën 22.01.2021 procedimin pasuror nr. 2, në ngarkim të pasurive të shtetasit Redjan Rraja dhe familjarëve të tij.
Në funksion të hetimeve të këtij procedimi pasuror janë kryer shumë veprime hetimore dhe në përfundim, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për vendosjen e sekuestros sipas parashikimeve të Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 22 datë 23.10.2021 ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë vijon:
Pasuria e sekuestruar:
Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.
2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”.
Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.
Një orë dore tip “Roleks”.
Shuma prej 2750 Euro.
PERGJIMET NGA DOSJA E SPAK
“Fjetëm natën bashkë, në mëngjes…”/Kejvina Kthella flet për orët me Redjan Rrajën para atentatit ndaj Prokurorit Ndoj: Kur më tha që ishte jashtë shtetit
Në dosjen e SPAK-ut, mes shumë dëshmish në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, është edhe ajo e modeles Kejvina Kthella, e cila është pyetur, duke qenë se një natë para ngjarjes kishte fjetur me Redjan Rrajën në shtëpinë e saj.
Ajo tregoi se më datë 1 nëntor 2019 (ditën kur ndodhi atentati), ka komunikuar në telefon me Redjanin dhe i ka thënë se ishte në Durrës me disa miq. Ndërsa alibia që Rraja kishte tentuar të ngrinte, është rrëzuar nga bashkëshortja e tij, e cila gjatë deklarimeve ka thënë se Redjani ndodhej në Belgjikë. E po kështu, edhe një përgjim i vjehrrës së tij me një mikeshë, është cilësuar me shumë interes për hetimin.
DESHMIA E KEJVINA KTHELLES
Hetimet e deritanishme kanë provuar se i hetuari Redjan Rraja, në orët e para të paradites, ka vajtur në qytetin e Durrësit. Sipas deklarimeve të shtetases Kejvina Kthella (datë 05.11.2019), e cila thotë se:
“… Herën e fundit që jam takuar me Redjanin ka qenë ditë e enjte, datë 31.10.2019. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes unë ndodhesha në banesë dhe ka ardhur Redjani. Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij.
Ishin duke pirë diçka me sa më tha ai, por nuk di detaje me saktësi. Dua të them se unë kam komunikuar thuajse çdo ditë me Redjanin në telefon, por nuk jemi takuar. Me sa mbaj mend, ditën e shtunë, më datë 02.11.2019, kur kam komunikuar në telefon, Redjani më ka thënë se ishte jashtë shtetit.
Po kështu, edhe ditën e diel, më datë 03.11.2019 kemi komunikuar normalisht rreth orëve të paradites dhe thjeshtë kemi bërë bisedë normale. Unë komunikoj nëpërmjet telefonit tim, me numër 06924 XXXXX, Redjani disponon numrin e telefonit 06920 XXXXX”.
DESHMIA E RRAJES
I pyetur në cilësinë e të ndaluarit, më datë 05.11.2019 (në prani të mbrojtësit të zgjedhur Besnik Çerekja) shtetasi Redjan Rraja ka shpjeguar ndër të tjera se:
“… Unë kujtoj që më datë 01.11.2019, kam qenë në Tiranë, në mëngjes dhe rreth orëve të paradites kam ikur në Durrës me automjetin tim tip ‘Audi A8’, me targë AA 005 XY dhe kam qenë i vetëm. Kam kaluar në autostradën Tiranë-Durrës dhe kam shkuar te kolaudimi, te Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor për të bërë dokumentacionin e automjetit. Pasi kam mbaruar dokumentacionin, kam bërë një xhiro në qytetin e Durrësit, në qytet, gjithnjë me automjetin tim dhe në kohën që kam bërë targat kam qëndruar në Durrës rreth 4 orë, por nuk e mbaj mend mirë. Gjatë kësaj kohe, nuk më kujtohet të kem takuar dikë të njohur. Nuk mbaj mend mirë, por ndoshta kam pirë kafe në vendin e quajtur ‘Vollga’, Durrës. Jam kthyer për në Tiranë në autostradë rreth orës 5 të pasdites, po i vetëm, me automjetin tim dhe kam ardhur në Tiranë, në shtëpi”.
Këto deklarime të tij vijnë në kundërshtim me deklarimet e shtetasve Astrit L., Agron Ç., Henri Ç. dhe Hatiola B., të cilët kanë shpjeguar se ka qenë i hetuari Ariol Halilaj që ka marrë nga shtetasi Redjan Rraja automjetin e këtij të fundit, me qëllim targimin dhe ka qenë po Arioli, ai që e ka çuar mjetin tek Astrit L., etj.
BASHKESHORTJA E RRAJES
Shtetasja Odesa Rraja, e pyetur si person që tregon rrethana të hetimit më datë 05.11.2019, bashkëshortja e shtetasit Redjan Rraja, gjithashtu rrëzon pretendimet e të hetuarit Redjan Rraja, teksa ndër të tjera ka deklaruar se:
‘Redjani ka numrin e telefonit 06920XXXXX dhe se ai aktualisht ndodhej në Belgjikë. Jam takuar me të para rreth një muaji (para se të ikte jashtë shtetit).
Unë flas përditë me Redjanin dhe ai më pyet për fëmijët. Unë e kam pyetur se ku ndodhet dhe ai më ka thënë se është në Belgjikë dhe lëviz edhe në Holandë…”
PERGJIMI I VJEHRRES SE RRAJES
Shumë interes paraqet biseda e datës 11.11.2019, ora 09:38:12, bisedë që zhvillohet mes shtetases Leonora Shehu (e ëma e shtetases Odesa Rraja që është bashkëshortja e Redjan Rrajës), përdoruese e telefonit me numër 06938XXXXX (lejuar përgjimi me vendimin nr.952, datë 04.11.2019 të Gjykatës) dhe një shtetase të thirrur Vera. Në këtë komunikim paraqesin interes këto biseda:
Leonora: Jo me jo… por kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…
Vera: Uh!
Leonora: Ne e dinim se ishte jashtë moj motër, se dinim fare se ishte këtu. Kishte thënë se do vejë jashtë, do bëjmë dokumentet, se do vemi të jetojmë në Belgjikë.
Vera: Dëgjo këtu, motër. Po është ashtu, më mirë një orë e më përpara, të rrijë rehat vajza…
Leonora: Dëgjo, atij ia kanë futur, se nuk është i tillë ai që të arrijë gjer atje. Ai… çfarë nuk bën vaki moj motër. Duhet t’ia ketë futur ndonjëri, po se duhet të ikte andej për jashtë shtetit. Ai donte të ikte pasi familja e dinte se ai nuk ishte fare këtu ai… Edhe gruaja dhe fëmijët e dinin që ishte jashtë shteti…
Nga kjo bisedë del qartë se shtetasi Redjan Rraja, në përpjekje të ndërtimit të një alibie, ka përgatitur si familjarët, ashtu edhe shtetasen Kejvina Kthella se do të ikte jashtë shtetit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!