Kontaminimi i ujit të pijshëm nga reshjet e dendura të shiut janë një tjetër pistë që po hetohet si shkak i mundshëm për helmimin e qindra qytetarëve të Krujës.
Advertisements
Ujësjellës Kanalizimi Krujë njofton se është gjetur sasi e lartë e amoniakut në ujë, që mund të jetë pasojë e reshjeve të dendura të shiut në Krujë e sidomos në malësinë e Krujës, ku ndodhen depozitat e ujësjellësit.
“Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së diel, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë”, njofton Ujësjellës Kanalizimi Krujë.
Advertisements
Dyshimi mbetet paraprak pasi sipas UKK Krujë mbetën në pritje të analizave mikrobiologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit.
Një pistë tjetër është intoksikimi i ujit të pijshëm me fekalet që vijnë nga një sallë bagëtish, që ndodhet pranë depos së ujit.
Qytetarët e Krujës vijojnë të shfaqin probleme shëndetësore si gastroenterite, të vjella e diarre. Vetëm gjatë të martës janë paraqitur 30 pacientë, një pjesë e të cilëve fëmijë dhe adoleshentë.
Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, ka bërë me dije se për banorët do të shpërndahet ujë falas pas kësaj situate.
“Të gjithë banorët do marrin ujë të pijshëm. Do shpërndahet me autobot dhe koli”, deklaron ai.
Ministrja e Shëndetësisë tha se po analizohen mostrat e ujit të pijshëm dhe ushqimeve.
“Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Rezultati i analizave ka një afat të përcaktuar, nga 24 në 72 orë”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.
Për zbardhjen e plotë të shkaqeve po heton edhe prokuroria e Krujës.
Për këtë ngjarje ka reaguar presidenti i vendit Ilir Meta, i cili kërkon hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse. Ai tha se është i shqetësuar nga kjo “situatë alarmante”.
“I nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, tha presidenti.
Të paktën 370 qytetarë, nga të cilët 70 të mitur janë paraqitur me simptoma helmimi në urgjencën e spitalit Klinik të Krujës “Stefan Gjoni” gjatë dy ditëve të fundit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!