Elvis Pupa ironizon Arbana Osmanin? Ky ishte titulli që pushtoi portalet pasi ish-aktori protagonist i “Portokallisë”, Elvis Pupa, bëri një status ku bashkëngjitur fotos së Arbana Osmanit ulur në skenën e “Big Brother VIP” shkruante: “Them të mbledhim lekët t’i blejmë një stol Arbana de Filipit se pa qamet tu fshi studion me plaçkat e trupit!”.
Advertisements
Komentuesit u kapën pas fjalës së përdorur me qëllim nga aktori “plaçkat” në vend të “rrobat, veshjet, apo fustani”, që i jepte një konotacion edhe më të hidhur ironisë së tij publike për një person publik, por edhe ish-kolege e tij në “Top Channel”, ku ai ka punuar jo pak vite, fillimisht në “Portokalli” dhe më pas në “Digitalb” për programin e tij “M’fal për shprehjen”.
Advertisements
Me statusin e tij, Pupa lë të nënkuptohet se Arbana kopjon Maria de Filippin, moderatoren italiane që e ka bërë shpesh këtë veprim kur xhiroheshin emisionet e “Uomini e donne”.
Duke qenë se ndodhte që të xhiroheshin disa puntata brenda një dite, shihej që Filippi, ngaqë nuk kishte karrige në studio, u lodh në këmbë dhe u ul te shkallët, një veprim që u përsërit në vazhdim. Por sipas komentuesve dhe fansave të “Grande Fratello”, në fakt për këtë veprim skenik njihet më shumë Alessia Marcuzzi, aq sa media italiane veçoi Ilary Blasim, që e imitonte.
Por për statusin për Arbanën, Elvisi duket se ka zgjedhur me qëllim ta krahasojë me Maria de Filippin, edhe për faktin se në “Big Brother VIP” është balerini Ilir Shaqiri, si një ish-balerin i “Amici-t” të Maria de Filippit. Por le të kthehemi te kunjat e Elvisit për ish-kolegët e TCH.
Statusi numër dy ishte për “Big Brother VIP” ku thotë: “Një pjesë e mirë e shikuesve mund të kenë fantazuar të jenë VIP-a, por me ç’po shohin në ‘Big Brother VIP’, po thonë: O Zot, na lë kështu siç jena !”, një kunjë e hapur kjo ndaj pjesëmarrësve të njohur në atë reality show.
Ndërsa statusi numër tre, u adresohet drejtpërdrejt ishkolegëve të tij të spektaklit të humorit “Portokalli”, ku dihet se dominon herë pas here humori politik.
“Është normale që parlamenti të bëjë humor, kur programet e humorit bëjnë vetëm politikë”, shkruan Pupa. Kujtojmë që pas vendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pupa u rikthye në Shqipëri për një “One man show” fillimisht dhe më pas për emisionin e tij pikërisht në “Digitalb” gati para katër vitesh.
Më pas u fol në 2018-ën se do të rikthehej pas 10 vitesh mungesë në “Portokalli”, lajm që ai e mohoi në mënyrë kategorike nga SHBA-të. Në një reagim në profilin e tij në “Instagram”, Elvis Pupa njoftoi se nuk e kishte aspak ndër mend të merrej me projekte artistike momentalisht, pasi ndodhet në Amerikë.
“Po me urojnë shumë miq në lidhje me një lajm që po qarkullon në internet se do të rikthehem në ‘Portokalli’. Faleminderit për dashamirësinë por unë ndodhem ne SHBA, dhe nuk planifikoj të merrem me asnjë projekt artistik për momentin. I uroj çdo ‘show’-u suksese dhe ju bëj me dije se në të ardhmen do më shihni vetëm në projektet e mia personale”, shkruante aktori në profilin e tij në “Instagram”.
E, sipas burimeve të sigurta, fakti që ai u përbetua se më pas do ta shihnim vetëm në projekte personale siç ishte emisioni e tij me titull “M’fal për shprehjen”, kishte të bënte me hatërmbetje me drejtuesit. Dhe duket se qejfmbetja nuk i ka ikur, përderisa ai këto ditë është bërë qendra e vëmendjes me statuset e tij për ish-kolegët e TCH.
Sa i përket jetës së tij ai shihet shumë i lumtur në SHBA, me bashkëshorten e tij Belina. Elvisi hyri në botën e artit pasi u diplomua në vitin 2000, pranë Akademisë së Arteve për Aktrim. Gjatë viteve 1998-2003 ka qenë aktor në kompaninë teatrore”OAZ” dhe ka performuar në pjesët teatrale: “Vita Brevis”, “Nata e 12-të”, “Keq e më keq”, “Dashuri në furgon”.
Gjatë viteve 1998-2004 ka marrë pjesë si aktor në festivale të ndryshme teatrore ndërkombëtare si Itali, Egjipt, Maqedoni etj. Në vitin 2004 ishte pjesë e komedisë së zezë ‘Togeri i Inishmorit” vënë në skenë nga Teatri Kombëtar.
Në vitet 2000-2006 ka punuar si pedagog i fjalës artistike pranë Akademisë së Arteve. Në vitin 2003 ka qenë as/regjisor në komedinë “Çifti i shqyer” vënë në skenë nga kompania “Oaz” Në vitet 2002-2004 ka qenë aktor pranë studio “Jess” në dublimin e filmave vizatimorë, si: Mbreti luan, Toy story 1 dhe 2, Ice age, Herkuli, Planeti i thesarit, Nemo, Mulan etj.
Nga viti 2004- 2009 ka performuar në televizionin “Top Channel”, në spektaklin e humorit “Portokalli” në rolet e: NINI, AVDIU, ZHAN KLOD VAN DAMME SULA. Në vitin 2007 në bashkëpunim me “Top Channel” vuri në skenë produksionin “Ditari i konkondilit”. Në vitin 2009 në bashkëpunim me “Digitalb” ka vënë në skenë monodramën “Mr Malousenne”.
Nga viti 2009 e në vazhdim jeton në SHBA dhe në mars të vitit 2011 formoi kompaninë e produksionit “Elvis Production”. Produksioni i parë i kësaj kompanie ishte komedia “Legjenda e fundit”. Në shtator të vitit 2016, Elvis Pupa drejtoi emisionin humoristik “M’fal për shprehjen”, ndër më të ndjekurit, ndërkohë që nuk dihet për planet e tij të ardhshme./Panoramaplus.al
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!