Monedha e përbashkët ka vijuar me nënçmimin e fortë edhe në dy ditët e para të kësaj jave. Të martën, një euro u këmbye me 121.23 lekë.
Advertisements
Që nga fillimi i gushtit, monedha e përbashkët ka humbur 0.43 lekë. Ky është niveli më i ulët në gati dy vjet, që nga shtatori i vitit 2019.
Sipas aktorëve të tregut, arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, që këtë vit janë më të forta sesa në verën e kaluar (kur vendi po vuante pasojat e pandemisë) për shkak të gjallërimit të turizmit. Hyrjet e shtuara të turistëve të huaj dhe të emigrantëve (porti i Durrësit ka pasur trafik të rënduar ditët e fundit) kanë rritur ofertën për valutë në treg, duke ndikuar në nënçmimin e fortë të euros.
Advertisements
Këtyre u shtohen dhe faktorë të tjerë në kahun e ofertës, si valuta që hyn në mënyrë informale. Në të kundërt, në kahun e kërkesës ka një tërheqje të dobët të valutave, duke ushtruar më shumë presion për nënçmimin e monedhës së përbashkët.
Euro ndërkohë është e dobët edhe në bursat ndërkombëtare. Të martën, një euro u këmbye me 1.17 dollarë, niveli më i ulët që nga muaji prill, për shkak të pasigurive që ka sjellë në ekonominë një valë tjetër e virusit, ndërsa dollari u ndihmua nga pritshmëritë se Rezerva federale do të nisë një program të blerjes së obligacioneve.
Edhe në tregun e brendshëm dollari ishte me rritje duke u këmbyer të martën me 103.39 lekë, 0.23 lekë më shumë se një ditë më parë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!