Protokolli i masave anti-covid për sezonin turistik 2021, duke nisur nga rregullat e shërbimit nëpër plazhe e deri te sipërmarrjet e aktiviteteve turistike është publikuar.
Advertisements
Këto masa duhet të ndërmerren nga të gjitha sipërmarrjet e shërbimeve turistike. Ato janë përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Protokolli është i vlefshëm vetëm në rast të heqjes së masave kufizuese nga Qeveria Shqiptare dhe në rast të lejimit të ushtrimit të aktiviteteve turistike.
Advertisements
Përveç rregullave të përgjithshme, përfshihet dhe një manual për administrimin e ushqimit dhe pijeve, shërbimin e mishit apo edhe për vendosjen e tavolinave, ku karriget duhet të jenë 1 metër distancë nga njëra-tjetra.
Rekomandohet pastrim i përsëritur i ambienteve.
Sa i parket manualit për shërbimin e mishit, sipas protokollit mishi i papjekur duhet të jetë i ndarë nga ushqimet e tjera, të ndahet mishi i papërpunuar, shpendët, ushqimet e detit dhe vezët nga ushqime të tjera në vendet e ruajtjes së përkohshme, kontejnerë ushqimore apo frigorifer.
Në evente të ndryshme duhet të respektohet distancimi fizik ose të zhvillohen në ambjente të hapura deri në 50 persona.
Protokolli i plotë:
Protokolli i Masave anti-Covid19, është një dokument që rekomandohet të zbatohet nga sipërmarrja turistike, turistët/ pushuesit/vizitorët për mbarëvatjen e atyre aktiviteteve të miratuara si të lejuara, me akt normativ të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve kompetente.
Ky Protokoll përmban parakushtet, kushtet dhe rregullat për të orientuar dhe rekomanduar industrinë turistike për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren përgjatë periudhës së pranisë së COV-id 19.
Ky protokoll është një dokument publik, që i vihet në dispozicion të gjitha sipërmarrjeve turistike, por pa u kufizuar vetëm në to, për të garantuar mbarëvajtjen e suksesshme të aktivitetit turistik të lejuar, si dhe për parandaluar rrezikun e përhapjes së infeksionit COV-id 19 gjatë zhvillimit të veprimtarisë turistike, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe vizitorëve.
Duhet të zbatohet në bashkëshoqërim dhe në zbatim të protokolleve të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë dhe e
Informacione të përgjithshme
Qëllimi
“Protokolli i Masave anti-Covid19 përgjatë sezonit turistik 2021”, është një dokument mbështetës për të orientuar dhe rregulluar parakushtet e nevojshme që duhet të ndërmerren nga sipërmarrjet e shërbimeve turistike përgjatë sezonit turistik 2021, për të garantuar mbarëvajtjen e suksesshme të aktivitetit si dhe parandaluar rrezikun e përhapjes së infeksionit Covid19 brenda dhe jashtë strukturave akomoduese, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe vizitorëve.
Masat e propozuara në këtë protokoll vihen në dispozicion të sipërmarrjeve e aktiviteteve turistike, në përputhje të plotë me masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale dhe nga institucione të tjera vendimarrëse të Qeverisë Shqiptare.
Ky protokoll është i vlefshëm vetëm në rast të heqjes së masave kufizuese nga Qeveria Shqiptare dhe në rast të lejimit të ushtrimit të aktiviteteve turistike, sipas zonave dhe territoreve të konfirmuar.
Fusha e aplikimit
Për qëllimet e këtij protokolli, “sipërmarrje të aktiviteteve turistike” do të konsiderohet por pa u kufizuar, çdo sipërmarrje që ofron shërbimin e akomodimit, ushqimit/ pijeve, plazheve, aktiviteteve rekreative, transportit të turistëve vendas dhe/ ose të huaj, udhërrëfyesve turistikë etj, përfshirë gjithë stafin e tyre me kohë të plotë dhe/ ose të pjesshme.
Përditësimi periodik
Ky prokoll miratohet në datë 03.06.2021 dhe mund ti nënshtrohet përditësimeve të ndryshme në bazë të situatës së krijuar si pasojë e infeksionit Covid19, si dhe kushteve apo masave të tjera në funksion të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe vizitorëve të huaj.
Kredite
Ky dokument është përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke u konsultuar gjerësisht me të gjithë grupet e interesit vendas dhe të huaj, si dhe bazuar në praktikat më të mira Europiane dhe Botërore.
Informimi rreth Masave Anti-Covid19
Informimi i masave anti-Covid19 nga sipërmarrjet e aktiviteteve turistike
Çdo sipërmarrje turistike që lejohet të ushtrojë aktivitetin rekomadohet të adaptojë këtë protokoll dhe të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme dhe pranë korridoreve të kalimit të njerëzve, mbështetur me materiale të ndryshme promovuese dhe informuese që informojnë mbi masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e infeksionit Covid19.
Aty ku është e mundur të përdoren materiale promovuese të mirëkoordinuara në nivel kombëtar duke u mbështetur në mënyrë rigoroze dhe të njehsuara me udhëzimet e nxjerra për këtë qëllim nga institucionet qendrore të Qeverisë Shqiptare.
Materialet promovuese, afishet dhe broshurat rekomandohet të publikohen në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ose edhe në gjuhën e vizitorëve të sipërmarrjes turistike.
Stafi menaxhues i sipërmarrjeve të aktiviteteve turistike duhet ti promovojë dhe rikujtojë këto masa stafeve të brendshme mbështetëse si dhe vizitorëve, mbi baza periodike, në formë dhe mënyrë të qartë, madje edhe kur konsiderohet se janë bërë trajnime dhe janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e infeksionit Covid19.
Informimi rreth Masave Anti-Covid19
Vleresimi i zbatimit te masave
Rekomandohet që administratori i sipërmarrjes turistike ose një përson i përcaktuar prej tij, të monitorojë procesin dhe stafin, lidhur me respektimin e masave të higjenës dhe distancës fizike, që duhen ndërmarrë për parandalimin e infeksionit Covid19.
Trajtimi i Rasteve Simptomatike
Në rast se një person i pranishëm brenda strukturës akomoduese (vizitor, staf, etj.) ka ethe dhe simptoma të një infeksioni respirator (kollë e thatë, dhimbje të fytit, vështirësi në frymëmarrje), ai duhet të njoftojë menjëherë administratorin/ ose personin e caktuar prej tij, i cili njofton menjëherë Urgjencën Kombëtare 127 dhe NJVKSH të njësisë vendore që i përket sipërmarrja turistike. Komunikimi duhet të bëhet mundësisht vetëm përmes telefonit.
Masat higjeno sanitare gjatë procesit të regjistrimit dhe shoqërimit të vizitorëve
Punonjësit e recepsionit duhet të jenë të mirë informuar në lidhje me masat anti-Covid19, në mënyrë që ata të mund të kryejnë detyrat e tyre të caktuara dhe të parandalojnë përhapjen e mundshme të infeksionit ne strukturën akomoduese.
Recepsioni duhet të ketë në dispozicion numrat e telefonit të autoriteteve shëndetësore, (Urgjencën Kombëtare dhe shërbimin epidemiologjik te NJVKSH përkatëse) si dhe të afishojë masat anti-Covid19 në vend të dukshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm për të gjithë.
Stafi i recepsionit duhet të mbajë pastër ambjentin e tyre të punës dhe në fund të çdo ndërrimi turni të pastrojnë me kujdes tryezën dhe pajisjet (për shembull: telefon, tastierë, ekran me prekje, stilolapsa, lapsa etj). Për të lehtësuar performancën dhe efektivitetin e këtij operacioni, është e përshtatshme të hiqen të gjitha sendet jo thelbësore nga sipërfaqja e punës. Ne recepsion duhet te kete solucion dezifektant me perberje alkoli 70-85%.
Rekomandohet që stafi të lajë duart shpesh dhe t’i dezifektojnë me xhel me përbërje alkooli 70-85%.
Rekomandohet që nga sipërmarrja turistike të merren masa për të shmangur mbledhjet e shumë njerëzve në të njëjtin vend, si dhe për të zvogëluar në maksimum kohën e pritjes përgjatë procesit të regjistrimit. Kur është e mundur, të përdoret sistem elektronik për regjistrimin. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik deri në 2 metër.
Masa të përgjithshme të pastrimit dhe lëvizjes
Rekomandohet pastrim i përsëritur i ambjenteve.
Higjienizimi dhe larja e shpeshtë e duarve konsiderohet e domosdoshme. Pasi t’i keni larë duart me sapun dhe ujë, ju duhet t’i thani ato plotësisht. Xheli me përbërje alkoolike për higjienën e duarve duhet të përdoret në mënyrë periodike, madje edhe kur mbahen doreza.
Maska dhe dezinfektues sipërfaqësor, mund të jenë në dispozicion për vizitorët kundrejt një marrëveshje paraprake mes sipërmarrjes dhe pushuesve/ vizitorëve.
Struktura akomoduese duhet të vendosë në holle, korridore dhe ambjente të jashtme kosha të pajisur me qese plastike për të hedhur mbetjet e mjeteve mbrojtese higjenike.
Rekomandohet të fillohet me ajrosjen natyrale të dhomës duke hapur dritaret nëse ka.
Pastrimi duhet të përfshijë të gjitha sipërfaqet siç janë tavolinat, krevatet, karriget, telefoni, telekomanda, dorezat e dyerve dhe panelet, si dhe çdo pajisje tjetër që konsiderohet se mund të jetë e prekur nga vizitori.
Sipërfaqet që mund të ndoten me sekrecione të frymëmarrjes ose lëngje të tjera të trupit të personit, psh tualeti, basenet e larjes së duarve dhe banjot duhet të pastrohen me solucion të rregullt dezinfektues që përmban 0.1% hipoklorit të natriumit dhe te lihen pa u shplarë me ujë për 10 minuta. Sipërfaqet duhen shpëlarë me ujë të pastër pas 10 minutash kontakti me klorin.
Kur përdorimi i klorit nuk është i përshtatshëm, p.sh. pajisje telefonike, telekomandë, doreza derë, butona në ashensor, etj, atëherë mund të përdoret alkooli 70%.
Kur është e mundur, të përdoren vetëm materiale pastrimi me nje përdorim.
Të gjithë artikujt e përdorur me një përdorim (peshqir dore, doreza, maska,) duhet të vendosen në një enë me kapak dhe të hidhen sipas menaxhimit të mbeturinave të rrezikshme.
Nëse mini-bar është i pranishëm dhe aktiv në dhomë, në secilin ndryshim të vizitorit rekomandohet të pastrohen të gjitha sipërfaqet e mini-barit në mënyrë sistematike.
Dyshemetë pastrohen dhe sanitarizohen me produkte të përshtatshme.
Këshillohet të shmangni pajisjen e dhomave ose dhomave të tjera të strukturës me elemente arredimi që nuk janë objekte të pastrimit të përditshëm.
Higjena e përgjithshme
Dhomat duhet të mirëmbahen me standard të larta pastërtie cdo dite.
Të gjitha sipërfaqet duhet të pastrohen të paktën çdo ditë me pastrues dhe ujë ose dezinfektues.
Zonat me prekje të shpeshtë, siç janë parmakët, panelet e kontrollit të ashensorit ose dorezat e dyerve duhet të pastrohen disa here ne dite.
Duart duhet të lahen pas çdo veprimtarie pastrimi.
Tualetet rekomandohen të lahen me ujë dhe dizinfektant. Ato duhet të jenë të pajisura me sapun të lëngshëm, peshqirë letre ose tharëse duarsh.
Dezinfektoni mjedisin me dezinfektues te holluar sipas rekomandimeve dhe standardeve te percaktuara nga MSHMS. Lëreni për 15-30 minuta para se ta shpëlani me ujë dhe ta pastroni.
Kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet zbatimit të masave të pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina, etj.) si një masë parandaluese e përgjithshme gjatë gjithë epidemisë COVID-19. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet objekteve që preken shpesh, siç janë tavolinat, karriget, enët prej porcelani, mbajtëset e kripës, piperit picetave, etj. të këtij lloji. Këto objekte duhet të pastrohen dhe dezinfektohen përpara nisjes së orarit të vaktit të ngrenies dhe / ose sa herë që duket e nevojshme.
Ventilimi
I referohet procesit të furnizimit dhe largimit të ajrit në ambjent, e cila mund të arrihet me mjete natyrore dhe mekanike. Filtrat rekomandohet të pastrohen rregullisht dhe të zevendësohen sipas manualeve teknike dhe udhëzimeve të prodhuesit. DEzinfektoni të gjitha sipërfaqet që konstatohen se kane rritje të mykut si rezultat i lagështires së tepërt. Pastroni dhe dezinfektoni të gjitha grilat mbrojtese të sistemit të ajrimit.
Përdorimi i ashensorëve
Përdorimi i ashensorëve duhet të jetë i tillë që të lejojë respektimin e distancës 1.5 metër. Distanca mund të reduktohet për njerëzit që janë pjesë e së njëjtës familje ose që ndajnë një dhomë. Në raste të tjera, nuk rekomandohet përdorimi në të njëjtën kohë, i ashensorit nga persona që nuk janë të të njëjtës familje. Butonat e ashensorit duhet të pastrohen periodikisht. Rekomandohet mbajtja e maskes ne mjediset e ashensorit.
Manuali për administrimin e Ushqimit dhe Pijeve
– Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kërkesës.
– Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin.
– Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketen respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbëhet ushqim.
– Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa patur doreza.
– Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta
– Ndalohet prekja e flokëve ose pjesëve të tjera të trupit pa doreza kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo servirjes së ushqimit pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.
– Menaxhimi i sipërmarrjes turistike, duhet të promovojë sigurinë dhe higjienën e ushqimit për personat që përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin.
Manual për shërbimin e mishit
Ndani mishin e papjekur nga ushqimet e tjera
Ndani mishin e papërpunuar, shpendët, ushqimet e detit dhe vezët nga ushqime të tjeranë vendet e ruajtjes së përkohshme, kontejnerë ushqimore apo frigorifer.
Përdorni një dërrasë prerëse për produkte të freskëta dhe një të veçantë për mish të papjekur, shpendë dhe ushqime deti.
Asnjëherë mos vendosni ushqim të gatuar në një pjatë që keni vendosur më parë mish të papjekur, shpendë deti, ushqime deti ose vezë.
Mos përdorni përsëri salcat marinuese të përdorura një herë për ushqime të papërpunuara.
Higjiena e ushqimit në tërësi
Ushqimet duhet të furnizohen nga burimet te sigurta dhe të transferohet në zonat e magazinimit. Furnizuesit dhe marrësit në dorëzim duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza.
Parandaloni ndotjen e tërthortë midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të përgatitur për konsum duke përdorur një trajtim të veçantë për përgatitjen dhe për ruajtje. Ushqimi gjithashtu duhet të mbrohet siç duhet gjatë ruajtjes dhe servirjes për të parandaluar ndotjen me pajisje, vegla dhe personel pasi transferimi i baktereve nga një ushqim (zakonisht i papërpunuar) në një tjetër është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve infektive që vijnë nga ushqimi.
Ushqimi i përpunuar, rekomandohet të gatuhet mirë para konsumimit.
Rekomandohet që në ambientet e gatimit, ventilimi të jetë në nivel shumë të mirë.
Në ambientet e gatimit të ketë sapun të lëngshëm, dezinfektant dhe peshqirë letre për të mundesuar larjen e shpeshtë të duarve nga personeli që punon atje.
Siguroni kontenjerë të përshtatshëm të mbeturinave, të mbuluar dhe që duhen të pastrohen dy herë në ditë.
Sipërfaqet e kontaktit me ushqim të pajisjeve dhe veglave duhet të mirëmbahen siç duhet, të mbahen të pastra dhe të higjenizohen ndërmjet përdorimeve.
Sipërfaqet e kontaktit të pajisjeve duhet të mirëmbahen të pastra.
Rregulla për shërbimin në Bare dhe Restorante
4.1 Vendosja e tavolinave në restorante dhe bare
Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë më shumë se 1m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1m.
Personeli qe shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska. Dorezat do te vendosen sipas nevojes kur preken ushqimet.
Në rastin e ofrimit të shërbimit bufe, administrotori/ menaxheri i strukturave akomoduese të kapaciteteve të mëdha, (hotel/ resort) rekomandohet të përcaktojë dhe shënojë dukshëm korridorin e lëvizjes së klientëve.
Klientët rekomandohet të respektojnë distancën e rekomanduar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në rast se përdoren makinat automatike, pijet të shërbehen vetëm në gota kartoni njëpërdorimshe.
Pjesët e makinerive në kontakt me duart e përdoruesit, rekomandohet të pastrohen dhe dezinfektohen të paktën pas çdo shërbimi dhe më shpesh nëse është e nevojshme.
4.2 Larja e enëve, lugëve, pirunëve, thikave dhe pecetave të tavolinës
Të gjitha enët, lugët, pirunj, thikat, gotat duhet të lahen dhe dezinfektohen në një makinë larëse enësh, duke përfshirë sendet që nuk janë përdorur, pasi ato mund të kenë qenë në kontakt me duart e klientëve ose të punonjësve.
Nëse për ndonjë arsye kërkohet larje manuale, duhet të ndiqen hapat e zakonshëm (larja, dezinfektimi, shpëlarja), duke marrë nivelin maksimal të masave paraprake. Tharja duhet të bëhet duke përdorur peshqir letre të disponueshëm.
Po kështu, mbulesat e tavolinave dhe pecetave duhet të lahen në mënyrën e zakonshme dhe të hekurosen ose te perdoren ato me nje perdorim.
Informacion dhe komunikim
Punonjësit e Restoranteve dhe bareve duhet të njihen dhe zbatojnë me rreptësi rregullat e higjenës personale të vendosura nga MSHMS. Po kështu, klientët duhet të drejtohen kur hyjnë dhe dalin nga restoranti apo bari për të dezinfektuar duart e tyre me xhel dezinfektues që duhet vendosur në hyrje të ketyre ambjenteve. Klientet duhet të ruajnë distancën e miratuar nga MSHMS midis tyre (1.5 metra).
Rregulla për shërbimin në plazhe
Rregulla të përgjithshme
Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid19, të gjitha stacionet e plazhit, si dhe plazhet publike duhet të kenë të afishuara këshillat dhe rregullat në kuadër të mbrojtjes nga Covid19.
Këto rregulla konsistojnë në:
Mbani parasysh rregullat bazë për parandalimin e Covid19:
Lani dhe dizifektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur;
Përdorni maskat sipas udhëzimeve;
Shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti;
Mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padizifektuara;
Kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimshe;
Nëse vini re simptomat e Covid19, telefononi Nr. 127
Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë distancën e miratuar nga MSHMS (1.5 m).
Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.
Shërbimet në stacionet e plazhit
Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese.
Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditor.
Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm cdo dite ne menyre periodike, gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave.
Të gjitha aktivitetet si (bare, beach bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Brezi i shërbimeve dhe distancat që duhen respektuar
Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, brenda brezit të shërbimeve në stacionet e plazhit, mund të realizohen këto struktura: kioskë menaxhimi për plazhin, kabina, shërbime higjienike, depo, pika vrojtimi/kulla e vrojtimit, hapësirë për rojën e plazhit (në rastin e plazhit publik), beach-bar, hapësirë për vendosjen e biçikletave.
Tavolinat në beach bar duhet të kenë distancë 2 m larg njëra tjetrës
Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, kushtet minimale që duhet të përmbushë një stacion plazhi në plazhet e tipit A, janë, si më poshtë vijon:
a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit;
b) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit;
c) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
d) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
Kushtet minimale që duhet të plotësojë një stacion plazhi në plazhet e tipit B, janë, si më poshtë vijon:
a) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3m;
b) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
c) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
Këndi për fëmijë
Këndet e fëmijëve do të funksionojnë sipas rregullave të distancimit fizik dhe masave higjieno sanitare.
Zona e pishinës
Uji i pishinës duhet të pastrohet nga qarkullimi përmes një sistemi filtrimi te detyrueshem.
Duhet të largohen rregullisht papastërtitë e dukshme në sipërfaqe të ujit.
E gjithë zona dhe të gjitha objektet e pishinës dhe banjave duhet të pastrohen dhe dezinfektohen të pakten një herë në ditë, por dhe me shpesh nëse fluksi i klienteve është i lartë. Klorinimi i ujit të bëhet rregullisht sipas standardeve dhe cdo pishine te kete te afishuat neivelin e klorit cdo dite
Shezlonget e pishinës duhet të jenë me distance distancë të paktën 2 metra larg nga njëri grup tek tjetri. Hoteli duhet të sigurojë materiale dezinfektuese në zonën e pishinës për të lejuar punonjesit e pishinave dhe klientët të pastrojnë shezlonget nese nevojitet nderkohe shezlonget dhe mjediset e pishinave duhet te pastrohen dhedezinfektohen cdo dite dhe periodikisht.
Pishina të ketë kosha dhe peshqirë letre. Punonjesi i pishinës duhet të dezinfektojë shtresat e shezlongeve dhe krahët mbështetëse.
SPA / Sauna / Masazh & qendër bukurie
Të kryhet rregullisht mbas çdo seance pastrimi i saunës përpara se të fillojë seanca tjetër.
Të gjitha muret, dyshemetë duhet të mirëmbahen në një gjendje të pastër dhe duhet të pastrohen periodikisht
Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të jetë prej plastike të qëndrueshme për larje ose material tjetër i papërshkueshëm nga uji, i cili është i lehtë për pastrim, dezinfektim dhe mirëmbajtje.
Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të dezinfektohet dhe më pas të shpëlahet me ujë dhe të thahet pas çdo përdorimi.
– Mbulesa letre me një përdorim duhet të hidhen në një kosh pas përdorimit.
– Nëse për klientet sigurohen veshje, ato duhet të vendosen në qese plastike të sigurta dhe t’i nënshtrohen procesit të duhur të pastrimit pas çdo përdorimi.
– Bazuar në madhësine e ambientit, hoteli/resorti mund të lejojë një numër maksimal të klienteve në të njëjtën kohë në zonën Spa duke respektuar distancën 1.5 metra midis tyre.
– Për klientët që dëshirojne të shijojnë një masazh, apo të përdorin sauna apo jakuzi, çdonjëri prej tyre duhet të bëjë një rezervim në mënyrë që të kontrollohet numri i tyre në respekt të distancës 1.5 metra.
– Materialet e dezinfektimit duhet të jenë të disponueshme brenda dhe përreth zonës SPA
Organizimi i Konferencave MICE / Eventeve
Lejimi i konferencave, eventeve, trajnimeve, seminareve, takimeve etj… në rast të përmbushjes së kritereve për hapësirat rekomandohet të zhvillohen:
Zhvillimi i konferencave / eventeve aty ku është e mundur në sallat që mund të lejojnë distancimin fizik ose të zhvillohen në ambjente të hapur deri në 50 persona.
Rekomandohet që ulja e pjesmarresve të jete e tillë që të respektojë masat e aprovuar nga MSHMS
Rregulla për guidat dhe ekskursionet
Rekomandime për vizitat në muze, site kulturore, arkeologjike dhe Zona të Mbrojtura, për grupe të organizuara, familje apo individë:
Rekomandohet ruajtja e distancave fizike dhe higjenës personale, sipas udhëzimeve të MSHMS.
Në muze, site kulturore, arkeologjike dhe Zona të Mbrojtura vendosen kosha të posaçëm për depozitimin e mbetjeve anti-covid
Në fillim të çdo udhëtimi guida turistike rekomandohet të japë informacionin e nevojshëm turistëve për ruajtjen e distancës fizike dhe higjenës sipas udhëzimeve të MSHMS.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!