Kina pranoi zyrtarisht se vaksinat e saj kundër covi kanë një efektivitet të ulët dhe për këtë arsye, shefi i institucionit për parandalimin e sëmundjeve infektuese, u shpreh se po mendohet miksimi i tyre për të krijuar një produkt më të mirë, shkruan Associated Press.
Advertisements
“Vaksinat kineze nuk kanë një nivel mbrojtje shumë të lartë”, u shpreh drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Gao Fu në një konferencë në Chengdu.
Aktualisht, Pekini ka shpërndarë miliona doza me vaksinë në shumë vende të tjera mes tyre dhe në Shqipëri dhe gjithashtu nisi një fushatë ku vinte në dyshim efektivitetin e vaksinave të prodhuara në vendet perëndimore.
Advertisements
“Jemi duke marrë në konsideratë nëse duhet të përdorim vaksina të tjera të prodhuara në linja të ndryshme teknike për të çuar përpara procesin e imunizimit”, shtoi Gao, në një deklaratë që nuk është e zakonshme për autoritetet kineze.
Studiuesit brazilianë kanë deklaruar më herët se efektiviteti i vaksinës kineze të prodhuar nga kompania Sinovac arrin deri në 50.4%, krahasuar me 97% që ka ajo e Pfizer. Deri në këto momente, Kina nuk ka miratuar asnjë vaksinë të prodhuar në vende të tjera.
Gao nuk dha detaje nëse do të ketë një ndryshim të strategjisë, por përmendi vaksinat mRNA, një teknikë eksperimentale që po përdorin prodhuesit perëndimorë, ndërsa firmat farmaceutike kineze janë duke përdorur metodat tradicionale.
“Të gjithë duhet të konsiderojmë benefitet që vaksinat mRNA mund të sjellin për njerëzimin. Ne duhet t’i ndjekim me vëmendje ato dhe jo t’i injorojmë”, përfundoi zyrtari i lartë kinez.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!