Studim/ Vaksina “Pfizer”, efektive në përdorimin e përgjithshëm po aq sa në prova

Sipas një studimi të ri vaksina e re që lufton COVID-19-n, prodhuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech, është po aq efektive kur përdoret tek popullata e përgjithshme sa edhe gjatë provave klinike të fazës së fundit.

Advertisements

Në një studim në shkallë të gjerë që përfshiu 1.2 milionë njerëz, ekspertët e Institutit të Kërkimeve “Clalit” të Izraelit gjetën se vaksina me dy doza zvogëlonte rastet simptomatike të COVID-19-s me 94% në të gjitha grupmoshat dhe ulte rastet e rënda të sëmundjes me 92%. Studiuesit gjithashtu zbuluan se një dozë e vetme e vaksinës ishte 57% efektive pas vetëm dy javësh nga marrja e saj.

Studimi i cili është rishikuar edhe nga të tjerë ekspertë dhe botuar të mërkurën në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, është analiza e parë e një strategjie kombëtare të vaksinimit kundër COVID-19-s.

Advertisements

Provat klinike të fazës së fundit të kryera nga Pfizer-BioNTech-u treguan se vaksina ishte 95% efektive ndaj koronavirusit të ri.

Ndërkohë kompania “Moderna” thotë se ka prodhuar një version të ri të vaksinës së saj me dy doza për të luftuar variantin e COVID-19-s të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Kompania farmaceutike me bazë në SHBA, ka dërguar për studime shtesë një sasi të vogël të versionit të ri të vaksinës në Institutin Kombëtar amerikan të Shëndetit.

Kompania “Moderna” po teston gjithashtu nëse duhet të shtojë një dozë të tretë përforcuese në regjimin e saj aktual me dy doza për të përcaktuar nëse mund të krijonte imunitetin e nevojshëm për të luftuar variantin e Afrikës së Jugut.

Si “Pfizer” ashtu edhe “Moderna” thonë se planifikojnë të rrisin prodhimin e vaksinave brenda muajve të ardhshëm. “Pfizer-i” pritet të dyfishojë prodhimin në 13 milionë doza në javë deri në mes të marsit ndërsa “Moderna” shpreson të ofrojë 40 milionë doza në muaj deri në prill.

Ndërkohë të enjten drejtuesit e Bashkimit Evropian do të takohen virtualisht për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar ritmin e ngadaltë të prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave kundër COVID-19-s.

Në mesin e anëtarëve të bllokut po rriten shqetësimet se variantet që përhapen me shpejtësi të zbuluara kohët e fundit në Britani dhe Afrikën e Jugut, do të jenë rezistente ndaj vaksinave të reja.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakPërputhen/ Fationi reagon keq ndaj Melisës : ” Do ta pështyja në fytyrë”
Artikulli tjetërE dhimbshme/ Pakujdesia i kushton jetën 35-vjeçarit në Kukës, po punonte në aeroportin e ri