Faturat që qeveria shqiptare detyrohet të paguajë në Arbitrazh sa vijnë e rriten. Përballja ligjore midis shtetit me “Copri” dhe “AKTOR” për autostradën Tiranë-Elbasan ka rezultuar në dëmin tonë, duke detyruar qeverinë të paguajë 45 milionë dollarë.
Advertisements
Nga ana tjetër, biznesmeni italian, Francesco Becchetti, ka ngrirë 170 mijë euro në llogarinë e vetme të qeverisë jashtë vendit. Fatura e detyrimeve rëndohet edhe më, nga çështje të tjera në gjykatat e arbitrazhit, të nisura së fundmi.
Në shtator, konsorciumi Durrës “Kurum Shipping” paditi Shqipërinë me 100 milionë euro pas prishjes së kontratës koncesionare të terminalit të kontejnerëve.
Advertisements
Po ashtu, “Arka Energy” ka regjistruar në 18 dhjetor një padi për parkun fotovoltaik të Akërnisë, tenderit ndërkombëtar të akorduar në 2018- ën, por që nuk u nënshkrua kurrë me ministrinë e infrastrukturës dhe energjisë.
ÇESHTJA BECCHETTI
Biznesmeni Italian, Francesco Becchetti, fillon mbledhjen e parave që i detyrohet Shqipëria pas fitimit të gjyqit në arbitrazh. Pas marrjes së dritës jeshile nga një gjykatë në Belgjikë, në bazë të një kërkese të njëanshme, mori të drejtën nga gjyqtari i shkallës së parë për të kryer konfiskimet nga “Eurocontrol”.
Becchetti ka bllokuar 170 mijë euro në llogarinë e vetme që shteti shqiptar ka jashtë Shqipërisë, para këto që ishin të depozituara si pagesa nga “Eurocontrol” për kompaninë shqiptare “Albcontrol” nga kompanitë ajrore që përdoren hapësirën shqiptare për fluturim.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se bllokimi i parave është një masë paraprake, e cila mund të mbetet në fuqi edhe gjatë vitit 2021, edhe pse Shqipëria e ka kundërshtuar këtë veprim duke argumentuar se honorarët e kompanive të fluturimit për “Albcontrol” duhet të mos preken.
Francesco Becchetti pas anulimit të dy koncesioneve nga qeveria Rama, iu drejtua Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, e cila vendosi në favor të tij më 24 prill 2019, duke i dhënë një kompensim 107 milionë euro.
Që në fillim, Republika e Shqipërisë ka kontestuar vendimin e arbitrazhit dhe ka refuzuar të paguajë atë që i detyrohet biznesmenit. Çështja Becchetti vijon të procedohet në gjykatat ndërkombëtare.
Konflikti midis qeverisë dhe Becchett filloi pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, pas anulimit të dy koncesioneve të tij nga qeveria Rama, i pasuar me një hetim për evazion fiskal, çka çoi në ngrirjen e pasurive të investitorit përfshirë mbylljen e “Agon Channel”.
Becchetti asokohe e cilësoi hetimin si sulm të qëllimshëm të qeverisë për shkak të qëndrimit kritik të TV-së ndaj tyre.
Ndaj në 2015-ën nisi arbitrazhin kundër shtetit shqiptar, të cilin e fitoi. Sakaq, qeveria ka apeluar vendimin e gjykatës duke thënë se nuk kanë ndërmend të paguajnë deri sa ky proces të arrijë në një konkluzion final. Sakaq, Beccheti ka nisur përpjekjet e tij. në nëntor të vitit të kaluar, e përditshmja austriake “der Standart” publikoi një artikull, në të cilin informonte se investitori po kërkon konfiskimin e pasurive shqiptare në Austri.
Qeveria shqiptare ka humbur në arbitrazhin ndërkombëtar përballë bashkimit të shoqërive “Copri” dhe “AKTOR” dhe duhet t’u paguajë atyre shumën prej 45 milionë dollarë.
Vendimi final është dhënë më 1 shtator nga tre përfaqësuesit e përzgjedhur WillemVanBaren,si president dhe Eduardo Silva Romero e PeterRees QS, si coarbitra, ndërkohë që është zbardhur tashmë i plotë.
Në një parashtrim me mbi 361 faqe të çështjes në fund nga Gjykata është dhënë vendimi se pala e paditur, në këtë rast Shqipëria duhet, t’u paguajë paditësve tre detyrime. Dy, të lidhura me segmentet rrugore sipas faturave të pretenduara dhe një me shpenzimet e arbitrazhit.
Përplasja e kompanive me qeverinë shqiptare ka pikënisje autostradën Tiranë-Elbasan, që nisi që në kohën e qeverisjes Berisha u shoqërua për më shumë se një dekadë me problematika. Fillimisht kur u prokurua ndërtimi i projektit, grekët e “AKTOR” fituan të vetëm ndërtimin e tunelit, i cili rezultoi me një kursim të dukshëm në raport me fondin limit të parashikuar në atë kohë për ndërtimin.
Më pas ndërtimi i dy loteve të tjera nga rreth rrotullimi i TEG-ut deri në hyrje të tunelit dhe lotit 3 nga dalja e tunelit në Elbasan u fitua nga bashkimi i kompanive “Copri” dhe “AKTOR”.
Përgjatë zbatimit të projektit ndodhën një sërë problematikash me rrëshqitjen e dherave një herë në Ibë dhe më pas rënie shkëmbinjsh në Mamël. Ndodhitë rritën kostot e autostradës që fillimisht u prokurua me një vlerë 312 milionë USD, por që sipas qeverisë Rama, që ndoqi edhe punimet përfundimtare, kostoja shkoi deri në 450 milionë USD.
Përgjatë zbatimit të projektit përplasjet mes qeverisë dhe “AKTOR” nuk ishin të pakta. Kompania pretendonte se pagesat nuk bëheshin në kohë, ndërkohë që qeveria fajësonte kompaninë për zvarritje të punimeve përtej afatit. Kjo situatë e tensionuar bëri që në vitin 2018 kompania “AKTOR” të dërgonte çështjen në arbitrazhin ndërkombëtar, duke pretenduar 44 milionë USD, shumë e fituar tashmë me vendimin e fundit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!