Aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole në një intervistë të dhënë në emisionin “RRËFIM” në TV Scan disa kohë më parë, ka rrëfyer disa nga ngjarjet dhe historitë e panjohura të jetës, familjes dhe karrierës së tij artistike, duke filluar nga origjina e familjes, specializmi i babait të tij, Thanasit, në Itali për kino-operator.
Advertisements
Në rrëfimin e tij para ndarjes nga jeta, Koço Devole ka treguar rreth punës së tij në qytezën e Kuçovës ku u lind, ardhja në Tiranë si kino-operator në Kinema “17 Nëntori”, largimi dhe dërgimi në Kombinat me dënim si punëtor, pasi u zbulua se ai kishte rregulluar një linjë direkte telefonike për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që u shpallën “armiq të popullit”, pjesëmarrja e Koços në kino-provat për një rol te filmi “Debatik”, ku ‘nuk fitoi’, dhe figurant te ‘Vitet e para’, etj.
Pasioni e prirjet e Koços për pikturën ku mësonte me inxhinierin rus në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, si dhe me rrethin e teatrit në Pallatin e Pionerëve ku regjisorja ruse i besoi disa role, karikatura e parë që botoi te ‘Hosteni’ në 1964-ën, rolet në disa drama në Klubin e Kulturës në Kombinat, konkursi për në Liceun Artistik dhe pengesa biografike për ‘xhaxhanë e arratisur’, e drejta e studimit për në Inxhneri Mekanike në Tiranë ku qëndroi vetëm dy vite, ‘për hatërin’ e shokut indonezian që i bënte portretin dhe ‘shpërblehej’ me kafe, dreka e darka te ‘Vollga’, vajtja ushtar dhe angazhimi në Estradën e Ushtarit me shokën e fëmijrisë, Roland Trebicka, pas ndërhyrjes së regjisorit, Viktor Gjoka, duke dhënë shfaqje deri në pikat më të largëta kufitare, etj.
Advertisements
Lirimi i Koços nga Ushtria dhe puna në Klubin e Kulturës në Kombinat, ku bëri emër të madh, pasi pikturoi në një fasadë gjigande Enver Hoxhën, angazhimi në revistën ‘Hosteni’ si karikaturist dhe me skenare për skeçe e parodi, emërimi në Estradën e Shtetit dhe më pas në Radio-Televizionin Shqiptar, puna dhe projektet pas viteve ’90-të me filma, komedi, spektakle etj., bashkëpunimi e puna me mikun e ngushtë të jetës, Filip Çakuli, e deri tek profecia e tij e thënë në këtë emisionin, ku ai mes të tjerash u shpreh: “…
Nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq! Nuk pranojnë që t’i përcjellin për në banesën e fundit që nga Teatri, p.sh. Ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo që me njëqind lutje, e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët…”
“Përpara ’90-ës, artistët janë vlerësuar, se Partia, bënte propagandë dhe na quante ‘ndihmës të saj’. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qënë i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qenë.
Kështu u shpreh në mes të tjerash para pak kohësh në një intervistë të gjatë për emisionin “RRËFIM” në Tv Scan, (me autor Dashnor Kaloçin dhe moderatore Albana Shehu Qirjako), piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, i cili u nda nga jeta më datën 8 nëntor dhe fatkeqësisht, profecia e tij “u zbatua pikë për pikë”, sikur i madhi Devole, “ta kishte lënë me amanet”, pasi ai u përcoll për në banesën e fundit nga një shtëpi funerale private?!
Zoti Devole, pra, në një farë mënyre, regjisori Spahivogli, ishte mbështetur te vepra e Aristofanit?
Po, se këtë ka “Lisistrada”, e Aristofanit, dmth 400 vjet para Erës së Re që e ka thënë Aristofani. Dhe komedia ishte brilante. Ku e kishte në thojza “Kurvat e Kombinatit”, d.m.th, nuk janë. Dhe u bë nami, pa e lexuar njeri, filluan mbledhjet, letrat, shkrimet në gazeta dhe u bë nami.
Kishte ndonjë që u mundua ta mbronte Spahivoglin?
Drejtori i Klubit të Kulturës së Kombinatit, Osman Laze, p.sh., ishte pak liberal, dhe thoshte: “Ta heqim atë titull, (pra “Kurvat e Kombinatit”) por të lëmë komedinë se ajo është shumë e bukur. Ta bëjmë ‘Vajzat e Kombinatit”. ‘Po s’ka kuptim kjo’, i thoja unë, se mbroja në vetvete, thelbin e veprës. Por ajo komedi, nuk u vu në skenë kurrë, në atë kohë, gjynah, shumë gjynah! Dhe më vonë pastaj, kur u vu në skenë, madje tani e fundit, është kjo e Spiro Dunit, e quajtur “Pushteti i Grave”. Por Spiro mund të jetë i 50-ti, në të gjithë botën, sepse këtë e kanë vënë në skenë dhe të tjerë. Por i pari që e shkruante këtu, ka qenë, Kujtim Spahivogli.
Po shohim në ekran një foto që na ka nxjerrë regjia tani?
Po, tek kjo foto është Kujtimi, me Vllasova Mustën. Kjo është një foto nga dita e martesës, por me ju thënë të drejtën unë, nuk kam qene në dasmën e tyre.
Kujtimi, ekspresiv në atë që tregojnë sytë e tij?
Sidomos kur ai, interpretoi “Hamletin”, ka qenë shumë mirë, dhe u duartrokit me zell nga shikuesit. Kujtimi e kishte “Hamletin”, fantastik, fantastik.
Çfarë kujtoni nga Spahivogli, besoj se keni pasur dhe aspekte njerëzore?
Ai nuk donte që ne t’i shkonim ta takonim kur atë e dënuan. Na thoshte shpesh herë kur ne shkonim në Fier për ta parë. “Po për çfarë vini”, na thoshte ai?! “Do ju shohin ata”, na thoshte. ‘Po s’po bëjmë gjë ne, mor profesor’ i thoshim, ‘ne thjesht po të takojmë”. Dhe kur erdhi në Bërzhitë, mbasi mbaroi dënimin, unë në atë kohë isha në Radio Televizionin Shqiptar dhe e kam ndihmuar me çdo lloj gjëje, që ai kishte nevojë. Shkova te drejtori i Televizionit, dhe i thashë që: për Bërzhitën, ku është Kujtim Spahivogli, dua çdo gjë, që nga prozhektorët, dekoret, dhe çdo gjë që kishte televizioni.
Unë i shkruaja dhe ndonjë skeç për shtëpinë e kulturës në Bërzhitë, ku ai ishte. Por çdo ditë e më tepër, ai vinte duke u tretur edhe fizikisht. Rrinte me një pardesy të vjetër. Fësh-fëshe u thoshim ne atëherë dhe ato ishin si fletë cigareje, që griseshin shpejt. Madje ai, pjesët që i griseshin i ngjiste. Dhe njëherë, një shoku i tij që e pa atë duke pirë cigare i tha: “O Kujtim, mos rri në diell se do të të bien pullat dhe do të t’bjeri ngjitësja”. Kjo ngeli në nuancat e tragjikomikes për të. Dhe ashtu iku, i tretur dhe i pavlerësuar. Madje njëherë, m’u drejtua duke më thënë: “Po ik more tani, mos më hajdeni më”, më thoshte.
Dhe ne ikëm, por Ferdinand Radi, i shkonte vazhdimisht. Kujtime shumë të mira, por nuk ishte përfundim i mirë, mënyra sesi ai iku dhe u abandonua! Nuk u vlerësua! Por çdokush le të mbajë mëkatet e tij mbi shpatulla. Përpara artistët janë vlerësuar se Partia, bënte propagandë dhe na quante ndihmës të saj. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qene i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qene. Por tani është më keq, nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta, ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq. Nuk pranojnë që ti përcjellin për në banesën e fundit, që nga teatri p.sh. ka pasur shumë raste.
Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo, që me njëqind lutje e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!