‘VOA’: Çfarë ndodh në zgjedhjet presidenciale nëse një nga kandidatët vd es, ja si veprohet

Shtëpia e Bardhë njofton se Presidenti Trump ka shfaqur simptoma të lehta pas diagnostikimit me koronavirus. Por diagnoza, ndërkohë që kanë mbetur katër javë e gjysmë deri në zgjedhjet presidenciale, ka ngritur pyetje mbi skenare të ndryshme: çfarë ndodh nëse një kandidat presidencial ose fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit vd es ose është i paaftë për të kryer detyrën?

Advertisements

Në vijim, rregulloret partiake dhe interpretimet ligjore në përgjigje të këtyre skenareve:

– A mund të shtyhen zgjedhjet e 3 nëntorit?

Advertisements

Po, por nuk ka të ngjarë që të ndodhë diçka e tillë. Kushtetuta i jep Kongresit autoritetin për të caktuar datën e zgjedhjeve. Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet zhvillohen të martën, pas të hënës së parë të nëntorit, çdo katër vjet. Është thuajse e garantuar që Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët do të kundërshtonte shtyrjen e zgjedhjeve, edhe nëse Senati i kontrolluar nga republikanët e miraton një ndryshim të tillë. Zgjedhjet presidenciale nuk janë shtyrë ndonjëherë.

– Çfarë ndodh nëse një nga kandidatët vdes para zgjedhjeve?

Komiteti Kombëtar Demokrat dhe Komiteti Kombëtar Republikan kanë rregullore në bazë të të cilave anëtarësia voton për një kandidat zëvendësues. Por në këto momente mund të jetë pak vonë për zëvendësimin e një kandidati katër javë e gjysmë para zgjedhjeve, ndërkohë që ka filluar votimi i hershëm. Më shumë se 2.2 milionë amerikanë kanë votuar, sipas Projektit për Zgjedhjet pranë Universitetit të Floridës. Në shumë shtete ka skaduar afati për ndryshimin e fletë-votimeve; votat me postë që pritet të përdoren në masë këtë radhë, janë dërguar në dhjetëra shtete.

Nëse Kongresi nuk voton për shtyrjen e zgjedhjeve, votuesit do të duhet të zgjedhin ose republikanin Donald Trump ose demokratin Joe Biden, edhe nëse njëri prej tyre nuk është gjallë në ditën e zgjedhjeve. Ky skenar hap dilema të tjera:

– Çfarë ndodh nëse njëri nga kandidatët vdes para se të votojë Kolegji Elektoral?

Në bazë të sistemit zgjedhor përmes Kolegjit Elektoral, zgjedhjet i fiton ai që merr shumicën e votave elektorale që ndahen mes shteteve dhe kryeqytetit Uashington në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullatës së tyre.

Kolegji Elektoral do të mblidhet më 14 dhjetor për të votuar. Për të fituar, një kandidat duhet të ketë marrë të paktën 270 nga 538 votat elektorale. Zakonisht votat elektorale të çdo shteti i merr ai që ka siguruar shumicën e votës popullore në atë shtet. Por disa shtete lejojnë delegatët në Kolegjin Elektoral të votojnë për kë të duan dhe jo detyrimisht për kandidatin që siguroi shumicën në atë shtet. Por ligjet në shumicën e shteteve nuk specifikojnë si do të votojnë delegatët nëse vdes kandidati.

Ligji në shtetin Indiana specifikon se delegatët duhet të votojnë për këdo që emëron partia si zëvendësues për kandidatin që vdiq. Në këtë rast, partia opozitare mund të ngrejë padi gjyqësore për të mos lejuar që delegatët të votojnë për zëvendësuesin, shpjegon Lara Brown, drejtoreshë e Departamentit të Studimeve Pasuniversitare mbi Menaxhimin Politik në Universitetin George Washington.

“Më me interes do të jetë si do të reagojë Gjykata e Lartë në një skenar të tillë,” thotë ajo.

Por Justin Levitt, profesor në Departamentin e Juridikut të Universitetit Loyola, thotë se nuk beson që ndonjëra prej partive do të sfidojë vullnetin e votuesve nëse bëhet e qartë që një kandidat i caktuar i fitoi zgjedhjet.

– Çfarë ndodh nëse fituesi vdes pasi Kolegji Elektoral ka votuar, por para se Kongresi ta certifikojë votën:

Pasi voton Kolegji Elektoral, Kongresi mblidhet më 6 janar për të certifikuar rezultatin. Nëse një kandidat vdes pasi Kolegji Elektoral e voton fitues, nuk është e qartë se si Kongresi mund ta zgjidhë këtë situatë. Amendamenti i 20-të i Kushtetutës thotë se nënpresidenti i zgjedhur bëhet president, nëse presidenti i zgjedhur vdes para Ditës së Inaugurimit. Por ka interpretime të ndryshme për skenarin kur kandidati vdes ende pa u certifikuar vota e Kolegjit Elektoral nga Kongresi.

Nëse Kongresi nuk e certifikon rezultatin për një kandidat pasi ai ka vdekur, i takon Dhomës së Përfaqësuesve të zgjedhë presidentin e ardhshëm. Të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve janë në garë në zgjedhjet e 3 nëntorit, pra përbërja e Kongresit të ardhshëm është ende e panjohur. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një kandidat fitues të vdesë pas zgjedhjeve por para inaugurimit.

– Çfarë ndodh nëse presidenti i zgjedhur vdes apo nuk është në gjendje fizike të përmbushë detyrën pasi Kongresi certifikon rezultatin?

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i zgjedhur bën betimin më 20 janar, në Ditën e Inaugurimit, dy javë pasi Kongresi certifikon rezultatin. Nëse presidenti i zgjedhur vdes, nënpresidenti i zgjedhur do të bënte betimin si president i ri më 20 janar.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakVerë akoma! Temperaturat do të shkojnë deri në 29 gradë, ja surprizat e motit për ditën e sotme
Artikulli tjetërMe shpejtësi skëterrë deri në 202 km/h, radari kap mat “pilotët” e natës në aksin Sauk-Teg-Kashar(Video)