1 tetori ishte parashikuar të ishte afati i fundit i miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por me dorëzimin e draftit nga opozita jashtëparlamentare, Këshilli Politik rimblidhet sërish sot për të diskutuar propozimet. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, propozuan që listat të jenë 100% të hapura.
Advertisements
Në një letër dërguar përfaqësuesit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili bëjnë thirrje që PS të pranojë ndërhyrjen e OSBE/ODIHR për mosdakordësitë mes palëve. Ata thonë se është PS që ka bllokuar punën e Këshillit. Por të kundërtën ka pretenduar deputeti Myslim Murrizi, i cili tha se eksperti i OSBE-së në KP, tha qartë se kërkesa për rekomandime nuk ka nevojë për një numër të caktuar firmash, ashtu siç edhe pretendojnë palët. Duke vënë re se puna në Këshillit ka ngecur fiktivisht, Murrizi vendosi që të largohej nga mbledhja, duke lënë palët ende brenda.
Ndërkohë që në draftin e dorëzuar të dielën, PD e LSI kërkon mosprekjen e koalicioneve, ndërsa PS pret sot, që të arrijë në një dakordësi me opozitën. Por edhe kjo derë u mbyll nga Gjiknuri, i cili gjatë mbledhjes së sotme u shpreh qartë se palët gjejnë kompromis për listat e hapura dhe pragun kombëtar, po jo ndryshimin e koalicioneve që sipas tij janë bazuar në modele europiane. Siç tha edhe dje Gjiknuri në Komisionin e Ligjeve, një ndryshim i tyre sërish do të rrezikonte ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020.
Advertisements
Komisioni i Ligjeve u bojkotua dje nga opozita parlamentare, pasi Rudina Hajdari dhe grupi i saj nuk pranuan të vazhdojnë diskutimet me PS pa kaluar fillimisht për diskutim draftin e PD dhe LSI në Këshillin Politik. Afati i fundit për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor tashmë është 5 tetori, dhe maxhoranca shprehet e vendosur për të mos dhënë më kohë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!