Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në takimin tradicional të “Mëngjesit të Lutjeve” të Jeruzalemit, të organizuar nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Izraelit Reuven Rivlin, nëpërmjet një video-konference.
Advertisements
Në këtë takim të rëndësishëm, mori pjesë Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, Kryeministri i Izraelit Sh.T.Z Benjamin Netanyahu, si edhe shumë përfaqësues të lartë shtetërorë e personalitete politike nga vende të ndryshme.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta, duke ju bashkuar lutjeve për paqe jo vetëm për Jeruzalemin, por për mbarë botën, theksoi se Shqipëria dhe shqiptarët ndihen shumë krenarë për harmoninë ndërfetare unike, si model frymëzues për të gjitha vendet.
Advertisements
Kreu i Shtetit, pasi vlerësoi marrëdhëniet miqësore me Izraelin, vuri në dukje krenarinë e kombin shqiptar që në periudhën më të errët të njerëzimit, Luftën e Dytë Botërore, mikëpriti dhe mbrojti hebrenjtë, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre.
Fjala përshëndetëse e Presidentit Meta:
Shalom (Paqe) nga Tirana, nga Shqipëria!
Të dashur miq të Kneset-it (Parlamentit izraelit) nga Jeruzalemi dhe nga mbarë bota gjithashtu!
Dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet e mia më të ngrohta, si dhe gjithashtu ato në emër të popullit shqiptar!
Sot, teksa jeni mbledhur në atë qytet të shenjtë, do të dëshironim t’ju bashkoheshim lutjeve tuaja për paqe jo vetëm për Jeruzalemin, por botën mbarë!
Kombet tona janë të lidhura me një nyje historike dhe miqësi që është përçuar dhe trashëguar nëpër shumë e shumë breza.
Megjithëse jemi vende dhe kombe relativisht të vegjël, ne gjithmonë kemi luftuar për të drejtën që të jetojmë të lirë në truallin tonë.
Ne gjithashtu ndajmë së bashku angazhimin tonë të plotë për shumëllojshmërinë fetare si një element thelbësor i demokracive tona.
Ishte pikërisht kjo lidhje që i bëri shqiptarët t’i ofronin mikpritje, strehim dhe mbrojtje bashkësisë hebreje shqiptare, si dhe gjithëve atyre hebrenjve që po arratiseshin nga vendet e tjera evropiane për t’i shpëtuar asgjësimit pothuajse të sigurt nga Holokausti gjatë territ të dhunshëm dhe tmerreve të Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga ajo periudhë e errët duke numëruar një popullsi më të shumtë hebreje se sa kishte para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në Shqipëri nuk u vra asnjë hebre i vetëm, madje as edhe një prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë nga populli ynë.
Shumë familje shqiptare rrezikuan jetën e tyre në përmbushje të misionit fisnik të mbrojtjes së jetëve hebreje.
Dhe për këtë jemi shumë krenarë!
E gjithë bota duhet të jetë krenare për shembullin tonë si dhe për kodin e nderit dhe mikpritjen shqiptare!
Ne jemi gjithashtu shumë krenarë për harmoninë ndërfetar unike që mbizotëron në Shqipëri.
Që nga kohë të vjetra, të cilat nuk mbahen mend, shqiptarët kanë jetuar krah për krah njëri-tjetrit në paqe, në një “vëllazërim fetar”, duke i shpalosur kështu botës mesazhin e bashkëjetesës dhe dialogut midis feve të ndryshme.
Kujtimi i trimërisë së “Njerëzve të drejtë mes kombeve” duhet të mbahet mend dhe të çmohet si një shenjë e mbrojtjes nga ana e Zotit të Plotfuqishëm për popullin e tij të zgjedhur.
Ka një thënie të shenjtë se: Ai që shpëton qoftë edhe një jetë njerëzore, ka shpëtuar botën mbarë!
Ç’është e vërteta, Zoti është treguar dashamirës për kombet tona tona dhe na ka bekuar me paqe dhe liri në tokat tona.
I kemi mirëpritur zhvillimet më të fundit mes Shtetit të Izraelit dhe vëllezërve tanë në Kosovë.
Do të donin ta shfrytëzonim këtë rast për të falënderuar edhe udhëheqjen e miqve tanë të përbashkët në Shtetet e Bashkuara për arritjen e kësaj marrëveshjeje historike.
Në librin e profetit Jeremia, shkruhet se ne duhet të “Kërkojmë paqen në qytetin, në të cilin ju kam caktuar të jetoni si dhe t’i falemi Zotit për të; sepse në paqtimin e qytetit ju do të gëzoni edhe paqen tuaj!”
Zoti i Plotfuqishem le ta bekojë Izraelin, Shqipërinë e të gjitha kombet dhe t’i sjellë paqe dhe mirëqenie qytetit të Jeruzalemit si dhe të gjitha qytetet ku ju ka përcaktuar të jetoni!!
Paqja qoftë mbi ju të gjithë!\
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!