Deklarata e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu se nga e enjtja e kësaj jave maskat do të jenë një detyrim në ambiente të hapura dhe të mbyllura ka rritur në mënyrë të menjëhershme kërkesën pranë farmacive.
Advertisements
Nga një vëzhgim i Monitor në farmacitë e kryeqytetit konfirmohet se është shtuar kërkesa për maska njëpërdorimshme por ende njerëzit preferojnë që t’i blejnë me copë.
“Nga fillimi i javës pati një rritje të kërkesës për maska por sigurisht jo të gjithë përballojnë që të blejnë pako. Kryesisht i kërkojnë me copë ndoshta 5-10 të tilla. Çmimi deri tani nuk ka ndryshuar”, pohon Orjola, farmaciste pranë Komunës së Parisit.
Advertisements
Sipas saj kërkesa pritet të vijë në rritje të vazhdim por për shkak të kostos ndoshta njerëzit do të kenë tendencën të marrin maska shumëpërdorimëshe. Këto të fundit mund t’i gjesh kudo nëpër faqe online në internet për çmime që nisin nga 150 lekë.
Maskat njëpërdorimëshe shiten sot nëpër farmacitë e kryeqytetit mes 25-30 lekëve një çmim që aplikohet prej kohësh dhe dukshëm më i ulët se në fillimet e pandemisë kur një maskë në farmaci shitej deri në 120 lekë. Kjo situatë kaotike dhe rritje e dukshme e çmimeve erdhi si efekt i shpërthimit të pandemisë dhe vendosjes së masave kufizuese.
Në fundjavën që lamë pas kreu i qeverisë tha se një karantinë e dytë do të ishte shkatërruese ndaj alternativa më e përshtatshme për të evituar këtë do të ishte mbajtja e maskës.
“Maska nuk ka qenë as këtu dhe as në shumë vende, e detyrueshme jashtë. Nuk është konsideruar as e domosdoshme nga ekspertët ndërkombëtare dhe siç e dini është një temë që diskutohet çdo ditë, por nga java e ardhshme do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, barit apo restorantit, ku je ulur.
Maskat do të jetë e detyrueshme, dhe masa ndëshkimore do të zbatohet për të gjithë te fatura e dritave, Mos ketë asnjë iluzion se do mund t’i shmanget gjobës. Siç e shihni, kjo është një tendencë e përgjithshme, që ne nuk mund ti shmangemi” tha Rama.
Deklarata erdhi pas rritjes së numrit të infektimeve dhe shtrimeve në spital të të sëmurëve të prekur nga COVID-19.
Të dhënat nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur, se gjatë periudhës janar-korrik, importet e maskave të pëlhurës jo mjekësore arritën në 503 milionë lekë, ose mbi 4 milionë euro, duke u pesëfishuar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më herët, importet e këtij produkti ishin pothuajse të papërfillshme./Monitor
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!