Maska me detyrim, flet Silva Bino: Pse e morëm tani vendimin dhe kush përjashtohet

Teksa kemi hyrë në javën e 42-të pandemisë, qeveria ka marrë vendimin për maskat, duke i bërë ato të detyrueshme edhe në ambientet jashtë.

Advertisements

Drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se vendimi vjen në kohën e duhur, pasi sot kemi më shumë të dhëna që dëshmojnë për rëndësinë e përdorimit të maskës në sfidën e përbashkët të kufizimit të përhapjes së COVID-19.

Sipas doktoreshës, njerëzit kur janë në rrugë takohen, qëndrojnë shpesh afër pa ruajtur distancimin social dhe transmetimi i virusit nuk ndodh vetëm kur kollitesh apo teshtin, por edhe kur flet me zë të lartë, kur këndon etj.

Advertisements

“Njerëzit flasin me njëri-tjetrin në rrugë, shkojnë në zyra apo mjedise të tjera jashtë banesës ku mund të ndodhë transmetimi, pasi ai ndodh jo vetëm kur kollitesh apo teshtin, por edhe kur flet, sidomos me zë të lartë, kur këndon, merr frymë etj., pra, mbajtja e maskës është një mjet i rëndësishëm që pengon jo vetëm transmetimin e virusit nga një person që mund të jetë i sëmurë, por edhe parandalon marrjen e këtij infeksioni nga personi tjetër”, pohon doktoresha.

Por nga ky vendim, që do të zyrtarizohet të enjten e 15 tetorit, do të jenë të përjashtuar disa kategori. Kështu, fëmijët nën 6 vjeç, personat me sëmundje mendore apo ata që kryejnë aktivitet fizik, nuk do të jenë të detyruar të lëvizin rrugëve me maskë.

Nga ana tjetër, lidhur me çmimet e pakontrolluara të maskave që mund të prodhojë ky vendim, Bino thotë se nuk janë vetëm maskat kirurgjikale ato që mbrojnë, por edhe ato tekstile, të cilat mund të lahen dhe hekurosen dhe për më tepër nuk kanë kosto të lartë.

Të shtunën, Kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu komunikuan vendimin që prej datës 15 tetor mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme në çdo ambient. Pse ky vendim dhe pse tani?

Mendoj që vendimi vjen në kohën e duhur, pasi sot kemi shumë më tepër fakte dhe të dhëna nga bota, por edhe nga eksperienca jonë që tregojnë për rëndësinë e përdorimit të maskës në mjedise të mbyllura dhe të hapura, në drejtim të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Të shumta kanë qenë edhe reagimet pas këtij lajmi dhe pyetja që shtrohet është se përse nevojitet mbajtja e maskës në rrugë, në park apo në çdo ambient tjetër të hapur, ku mund të mjaftohemi vetëm duke ruajtur distancimin fizik…

Mbajtja e maskës nuk përjashton distancimin fizik, por vërehet se distancimi fizik nuk ruhet përherë, njerëzit takohen, qëndrojnë shpesh afër pa kuptuar e ruajtur atë. Njerëzit flasin me njëri-tjetrin në rrugë, shkojnë në zyra apo mjedise të tjera jashtë banesës ku mund të ndodhë transmetimi, pasi ai ndodh jo vetëm kur kollitesh apo teshtin, por edhe kur flet, sidomos me zë të lartë, kur këndon, merr frymë etj., pra mbajtja e maskës është një mjet i rëndësishëm që pengon jo vetëm transmetimin e virusit nga një person që mund të jetë i sëmurë, por edhe parandalon marrjen e këtij infeksioni nga personi tjetër. Këto janë të dhëna që disponohen sot nga shumë studime.

Të mërkurën pritet të miratohet edhe akti normativ në qeveri se sa do të jetë masa ndëshkimore për ata që do të refuzojnë mbajtjen e maskës dhe a do të ketë të përjashtuar nga ky vendim?

Natyrisht, fëmijët nën 6 vjeç, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë ta vendosin apo heqin maskën apo persona që kryejnë aktivitet fizik, nuk mund ta mbajnë gjatë aktivitetit fizik, p.sh., vrapit apo kur i japim biçikletës apo gjatë futbollit si dhe të tjera sporte. Po ashtu, kur hamë apo jemi në bar nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet.

Doktoreshë, vendosja e maskës me detyrim do të sjellë edhe përdorimin masiv të tyre, duke sjellë nga ana tjetër çmime të larta për shitjen e tyre. Do të ketë rregullator për këtë dhe a do të rimbursohen kategori të caktuara?

Kemi maskat kirurgjikale, por dhe maskat mbrojtëse prej tekstili, të cilat duhet të kenë dy ose më shumë shtresa që lejojnë frymëmarrjen dhe lahen e hekurosen dhe nuk kanë kosto, por që kanë treguar mbrojtje shumë të mirë.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakTirana prej orësh në pushtetin e shiut, ja si do të jetë dita sot
Artikulli tjetërAmbasada amerikane porosit aplikantët për Lotarinë: Përfshini të gjithë familjarët, edhe nëse …