– Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri disa premtime elektorale për sektorin e bujqësisë. Rama premtoi se do të ulë çmimin e naftës për fermerët dhe se do të heqë taksën e qarkullimit dhe karbonit për bujqësinë. Kështu, kreu i qeverisë publikoi disa hapa, që nga heqja e akcizës deri tek mënyra sesi fermeri do të tërheqë naftën.
Advertisements
Por, këto premtime Edi Rama i ka bërë që në fushatën elektorale të vitit 2013. Nëse i hedh një sy të shpejtë programit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane 2013-2017” , shfaqen qartë premtimet e ribëra, edhe pse kanë kaluar 7 vite. Pra, siç do ta shikoni edhe më poshtë të detajuar, Rama ka premtuar që në vitin 2013 për lehtësime taksash për fermerët, si heqje akcizës për karburantin.
Por jo vetëm kaq.Premtimet e 7 viteve më parë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane janë fshirë nga faqja e zyrtare e Partisë Socialiste.
Programi i fshirë në faqen e PS-së
PROGRAMI I PS NË 2013-ën
Advertisements
Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye:
• Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanët, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
• Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
• Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
• Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
• Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.
• Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.
“Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave. Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit. Për këtë arsye:
• Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.
• Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.
• Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues.
Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes. Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi. Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural. Për këtë:
• Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin,
• Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,
• Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,
• Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,
• Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,
• Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”. Për këtë do të merren masa për:
• Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;
• Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;
• Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik;
• Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;
• Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit.
• Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore.
Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë. Për këtë:
• Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;
• Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;
• Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;
• Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë.
Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje. Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme. Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend. Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve. Do të zhvillohet akuakultura. Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!