Ajo çka shumë druheshin me hapjen e shkollave, rritja e rrezikut për transmetimin e virusit, ndodhi që në ditën e parë.
Advertisements
Madje, ende pa u futur në mjediset e brendshme. Portat e mëdha të 9-vjeçareve u “përmbytën” nga prindër, në pritje për të dërguar apo marrë fëmijët e tyre, ashtu siç kanë bërë çdo vit tjetër. Hiç më pak se një dasmë apo një nga ato grumbullimet që sot për sot nuk lejohen me ligj. Pamje të pashmangshme si këto në fotot bashkëngjitur shkrimit nuk ishin në një shkollë, as në dy të tilla, por në të gjitha.
Ministria e Arsimit kishte menduar në detaje për gjithë çfarë ndodh brenda ambienteve, që nga oborri deri te qëndrimi në klasa duke e servirur bukur edhe në rrjete sociale. Por se çfarë ndodh jashtë kangjellave, nuk është përgjegjësi e saj. Se fëmijët (së paku cikli i ulët) nuk mund të vinin vetëm në shkollë të pashoqëruar?! Për të mos folur pastaj për fleksibilitetin e orareve që shumëkujt i ka prishur punë.
Advertisements
Gjithë çfarë lipset minimalisht është një menaxhim i situatës për të shkuar unison me planin e Ministrisë së Shëndetësisë për të ulur shifrat e infektimeve e jo e kundërta.
SITUATA
Askush nuk kishte menduar pandeminë, por ditët e shkollës dihen. Pamjet nga shkollat e ndryshme në kryeqytet paraqesin rrezikun e madh të transmetimit të virusit që në dyer. Prindërit që shoqëronin fëmijët duke u mbajtur çantat, të cilat këtë vit nuk kanë vetëm libra e mjete shkollore, por edhe gjithçka tjetër për të ulur rrezikun e infektimit, nga ana e tyre nuk ia kanë dalë të jenë aq të kujdesshëm.
Në fakt, jo të gjithë i kanë fëmijët në institucione private. Jo të gjithë kanë pajtuar një shofer që i shoqëron për në shtëpi. Ndërsa vitet e kaluara lejoheshin të futeshin në oborr, këtë vit grumbullimi në derën e madhe nuk u evitua dot. Nuk ishte nevoja që nxënësit të futen në klasa për t’u përballur me rrisqe infektimi të mundshme nga një shok apo mësues.
Mjafton vendgrumbullimi te dera e madhe që do të ndodhë edhe sot, edhe nesër, edhe ditët në vazhdim, njësoj sikur COVID të mos ekzistonte. Ky do të jetë rituali i përditshëm, që nëse nuk mendohet për një zgjidhje, do të sjellë pashmangshmërisht shifra të frikshme. Situata e djeshme pritet të reflektohet pas një jave a dhjetë ditësh. 480 mijë nxënës, 31 mijë prej të cilëve në klasë të parë, startuan dje vitin e ri shkollor, i cili nuk dihet se si dhe deri kur do të vazhdojë.
Ishin mësuesit ata që i orientuan të vegjlit për hyrjen në shkollë, ndërsa më të rriturit u çmallën jashtë dyerve, duke lënë zbatimin e masave për vetëm brenda klasave.
REAGIMI
Për ekspertët e Ministrisë së Arsimit kjo situatë do të marrë fund brenda pak ditësh. Gert Janaqi, drejtori i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsim pohoi problematikën që vjen si rezultat i mësimit me turne, teksa bën përgjegjës prindërit që nuk kanë mundur të ruajnë distancën e duhur.
“Brenda territorit të shkollës menaxhimi i situatës ka qenë më i lehtë. Nga vëzhgimet tona në terren dhe nga kronikat e mediave, jashtë ambienteve të shkollës ka pasur grumbullim të njerëzve. Kjo do të vijojë edhe për disa ditë. Ka pasur grumbullim më masiv të prindërve, të cilët ndoshta për shkak të gjendjes dhe emocionit nuk kanë respektuar rregullat. Ne jemi të kënaqur si dita e parë”, sqaron Janaqi, duke shtuar se u është lënë në dorë të shkollave të përshtaten me turnet e oraret.
Ndërsa prindërit, po ashtu do të duhet të gjejnë formën për të dërguar dhe marrë të vegjlit e tyre, pa ndarë të njëjtën hapësirë pakmetroshe me të tjerë që kanë të njëjtin synim.
Policia, prindërve: Ruani distancën!
Përveç disa mësuesve që do të duhet të bëjnë “policin” për çdo kat shkolle lidhur me mbarëvajtjen e rregullave anti-COVID, forca të shtuara Policie do të patrullojnë çdo ditë rreth shkollave, pikërisht për të kontrolluar zbatimin e masave.
“Prezenca e Policisë nuk do të jetë vetëm për ruajtjen e sigurisë, por dhe për mbarëvajtjen e rregullave”, deklaroi Drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka. Ai u mjaftua me një thirrje për prindërit që të ruajnë distancën.
“Prindërit kanë detyrim ligjor, pavarësisht se do të shoqërojnë fëmijët në shkolla, duhet të respektojnë distancimin social”, deklaroi Loka, duke kërkuar nga ana tjetër bashkëpunimin e prindërve për çdo problematikë. Patrullat dhe policimi në shkolla do të jenë prezentë veçanërisht në orarin e mësimit, ndërrimit të turneve e deri në përfundim të mësimit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!