Rriten infektimet me Covid në shkolla, mbyllen tri klasa në Gjirokastër

Ndonëse figuron i fundit në vend në listën e qarqeve me numrin më të ulët të rasteve aktive, Gjirokastra rezulton të jetë i pari qytet ku janë mbyllur klasa që nga fillimi i shkollës.

Advertisements

Pas rezultatit pozitiv të një maturanteje këtë të hënë, dje rezultuan të infektuar edhe dy të tjerë në të njëjtin gjimnaz, “Siri Shapllo”, përkatësisht në klasën e dhjetë dhe dymbëdhjetë. Veç tyre janë infektuar edhe tre nxënës të tjerë në shkollën 9- vjeçare “Koto Hoxhi”. Kjo ka bërë që autoritetet arsimore të vendosin mbylljen e tri klasave. Kujtojmë që raste sporadike në radhët e mësuesve e nxënësve ka pasur në disa qarqe që në javën e parë të shkollës, por Zyra Arsimore nuk ka shkuar deri në këtë vendim.

HETIMI EPIDEMIOLOGJIK

Advertisements

Rasti i parë me Covid në shkollat e Gjirokastrës u shënua këtë të hënë, çka çoi në tamponimin e 20 nxënësve të tjerë të klasës dhe shtatë mësues. Po sot doli rezultati pozitiv për dy nxënës të tjerë dhe një mësues të “Siri Shapllos”, duke shtuar edhe më tepër ankthin për një infektim masiv. Kjo çoi në mbylljen e klasave, të cilat do ta zhvillojnë mësimin online për së paku një periudhë 2-javore.

Të njëjtin fat ka edhe shkolla 9-vjeçare, që me rastin e parë të identifikuar. Njësia e kujdesit shëndetësor në qytet përjashton shkollën si burim infektimi, duke pohuar se në shumicën e rasteve janë prindërit e fëmijëve, të cilët kanë punuar në disa njësi prodhimi në Gjirokastër, tanimë të mbyllura pas shpërthimit të pandemisë aty.

Edi Sinoimeri, kryeinspektor në ISHP, deklaron diçka më tepër mbi situatën në dy shkollat e infektuara. “Kemi marrë vendim mbylljeje për ato klasa ku kanë dalë pozitiv dhe është bërë dezinfektimi i menjëhershëm i gjithë klasës dhe institucionit. Përkatësisht, edhe ata mësues që kanë dhënë mësim në ato klasa janë detyruar të tamponohen dhe do të vetëkarantinohen deri në ardhjen e përgjigjes së tamponit nga Njësia e Kujdesit Shëndetësor”. Një ditë më parë, në Gjirokastër u shfaqën 20 vatra me koronavirus dhe 53 persona aktivë. Shërbimi epidemiologjik në qytet deri pas mesditës mësohet të ketë marrë mbi 50 tamponë.

RASTET

Në alert për shkak të koronavirusit janë vënë këtë fillimjavë edhe dy shkolla të Beratit: “Ajet Xhindole” dhe shkolla e mesme e bashkuar në fshatin Mrakull, ku rezultojnë me Covid tetë mësues. Ndërsa në javën që shkoi mund të thuhet se vatrat e Covid-it në shkolla kanë qenë të kufizuara. Përveç Tiranës, ku numëroheshin gati 30 mësues, midis të cilëve të infektuar dhe raste të dyshuara të izoluar, mësues me Covid ka pasur edhe në qytete të vogla si Kolonja, Fieri, Gramshi, Delvina e Bulqiza, të cilat numërojnë së bashku dhjetëra raste. Për informacione të sakta, të dyja ministritë e linjës kanë preferuar të jenë hermetike. Vlen të theksohet se, që kur u zbuluan rastet e para e deri më tani, mësimi në këtë shkollë, ashtu si në të gjithë vendin, ka vijuar në klasa.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak‘Me lalin më t’mirë që ka Tirana’, Capital T takon Veliajn dhe tregon për çfarë biseduan
Artikulli tjetër60 mijë vullnetarë, vaksina amerikane anti-COVID nis fazën e tretë të testimit