Presidenti Ilir Meta, ka nisur takimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. I pari që mbërriti në Presidencë ishte kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Advertisements
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, në një prononcim për mediat foli lidhur me atë se çfarë ka diskutuar me kreun e shtetit, Ilir Meta.
Duke u ndalur tek çështja e kufirit detar me Greqinë, një çështje tejet e nxehtë e që ka nxehur gjakrat në politikën shqiptare, Idrizi tha se i ka shprehur shqetësimin presidentit. Sipas tij, nëse Greqia vijon të kërkojë zgjerimin me 12 milje në ujërat shqiptare, Shqipëria duhet të kërkojë Çamërinë. Ai shtoi më tej se Shqipëria nuk ka çfarë të bisedojë me Greqinë për ujërat territoriale, por vetëm për zonat ekonomike.
Advertisements
“I shpreha shqetësimin presidentit për faktin që duhet të ketë vëmendjen qeveria shqiptare për zonat ekskluzive ekonomike, sepse në këtë marrëveshje dy ishujt kanë marrë të drejtë të zgjerohen me 12 milje, që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë zonën ekonomike që ne duhet të ndajmë me Greqinë dhe Italinë.
Më vjen mirë që ditët e fundit kryeministri ka bërë një tërheqje, dhe e ka lexuar edhe vetë pikën 15 të Konventës. Më duhet të theksoj fort dhe të bëj të qartë për publikun se qeveritë shqiptare janë në sindromën e Shën Naumit dhe qeveria shqiptare nuk duhet të diskutojë më për kufijtë detarë e tokësorë me Greqinë.
Shqipëria ka lëshuar gati 30% të territorit të saj, e kam fjalën për Çamërinë. Ne nuk kemi çfarë bisedojmë me Greqinë për ujërat territorial, por vetëm për zonat ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështje të tilla, pa dyshim që ne do të kërkojmë Çamërinë. I bëra të qartë presidentit që bisedimet mes dy vendeve duhet të fillojnë nga heqja e ligjit të luftës, të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjes çame.
PDIU i shprehu shqetësimet Presidentit që qeveria ka fshehur agjendën shqiptare në diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka avancuar me agjendën greke”, tha Idrizi.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!