Edhe pse kanë kaluar dhjetë muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, ka ende të pastrehë që nuk janë trajtuar me bonusin e qirasë.
Advertisements
Kjo jo për faj të bashkisë, por të vonesave në procesin e konstatimit nga Instituti i Ndërtimit e më pas në shqyrtimin e aplikimeve nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale. Po ashtu, për shumë banesa që akt-konstatimet vizuale u shpallën të banueshme, akt-ekspertiza e thelluar ka deklaruar të kundërtën.
Nisur nga kjo, Bashkia e Tiranës ka shqyrtuar dhe sjellë për miratim këtë të premte në Këshillin Bashkiak një listë të fundit (presupozohet) me 123 familjet që përfitojnë bonus qiraje për një vit rresht. Gazeta disponon vendimin me emrat në të gjitha njësitë administrative bashkë me shumën takuese, që varion nga 18 deri në 22 mijë lekë në muaj. Bonusi i qirasë është i vlefshëm për një vit dhe rinovohet deri në momentin që familjet marrin strehim përfundimtar.
Advertisements
Në rastin konkret banorët e shtëpive që kanë pësuar dëme të riparueshme apo të pariparueshme do të mund të përfitojnë shumën e caktuar deri sa bashkia t’u sigurojë shtëpi. Kujtojmë që familjet, pjesë e listës së mëposhtme bashkë me 2759 të tjerat që kanë marrë prej muajsh pagesën mujore, përjashtohen edhe nga taksa e ndërtesës përgjatë gjithë periudhës që trajtohen me bonus. Efektet financiare të këtij vendimi përllogariten në masën e 2 milionë e 386 mijë lekëve në muaj dhe përballohen nga qeveria qendrore përmes fondit të kushtëzuar “Subvencionimi i qirasë për familjet e prekura nga tërmeti për vitin 2020”. Bonusi i qirasë është vetëm një nga trajtimet për familjet e pastreha. Në fund, ata do të marrin një banesë të re të rikonstruktuar apo rindërtuar nga e para.
Të tjerë që kanë pësuar dëme të riparueshme, që në gjuhën teknike vlerësohen nga DS1-DS3, përfitojnë shuma parash për të rregulluar vetë dëmin. Nga 11 mijë aplikues, gjashtë mijë prej tyre kanë në dorë pagesat e dëmshpërblimit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!