Pas një situate të agravuar mes palëve gjatë ditëve të fundit ku tensionet ishin të larta, duket se më në fund është gjetur gjuha e përbashkët mes Turqisë dhe Greqisë. Të dy shtetet kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime teknike, për krijimin e mekanizmave për parandalimin e konfliktit në Mesdheun Lindor. Këtë lajm e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Advertisements
“Pas bisedimeve të mia me liderët turq dhe grekë, dy vendet aleate ranë dakord të fillojnë bisedimet teknike në NATO, për të krijuar mekanizma ushtarakë për parandalimin e konfliktit në Mesdheun Lindor dhe për të zvogëluar rrezikun e aksidenteve dhe incidenteve”, tha Stoltenberg në një deklaratë me shkrim.
Stoltenberg shprehet se NATO-ja është platforma më e rëndësishme për konsultime, mbi çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e përbashkët. Ai ka cituar se do të vijojë që të qëndrojë në kontakt të ngushtë me të gjitha vendet aleate.
Advertisements
“Unë do të vazhdoj të qëndroj në kontakt të ngushtë me të gjitha vendet përkatëse aleate, për të gjetur një zgjidhje të tensioneve në frymën e solidaritetit të NATO-s”, tha Stoltenberg.
Një ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet në Mesdheun Lindor.
Ky komunikim telefonik pritej për shumë ditësh, por u realizua rreth 24 orë pasi Sekretari i SHBA, Mike Pompeo kërkoi qetësimin e situatës dhe fillimin e një dialogu midis Greqisë dhe Turqisë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!