Pothuajse për disa javë nuk ka rrjedhur asnjë pikë ujë nëpër ujëvarën e Mirushës. Edhe përkundër reshjeve të mëdha të shiut, mungesa e ujit në Ujëvarën e Mirushës është shumë shqetësuese dhe e frikshme për dëmet që ka shkaktuar për gjallesat brenda dhe përreth saj.
Advertisements
Po ashtu, mungesa e ujit ka zbehur edhe vizitat e turistëve të shumtë që ka ky park me bukuritë e mëdha natyrore që ka kjo zonë. Madje ky vend është vendi i parë që kërkohet më së shumti të vizitohet nga turistët e huaj për shkak të 12 ujëvarave dhe 16 liqeneve që e bëjnë këtë pjesë magjepsëse.
Për të kuptuar më shumë se ç’po ndodh me Mirushën, media online Motilokal.com realizoi një intervistë me aktivisten Flutra Zymi.
Advertisements
Intervistoi: Shkelzën Rrecaj
Znj. Zymi, ç’po ndodh me Ujëvarën e Mirushës. Pse ka mbetur për një kohë pa ujë?
Faktori i parë janë kushtet klimatike, (mungesa e reshjeve gjatë stinës së verës, temperaturat e larta, etj.). Ne kemi pasur një dimër pa borë dhe me pak reshje, po në hulumtim e sipër kemi hasur në disa problematika të tjera, të cilat besoj janë ngritur po ashtu nga qytetarët dhe mediet.
Faktori tjetër është diga e ndërtuar nga Komuna e Malishevës si dhe një shëtitore që do duhej të ishte vetëm si shteg për ecje në këmbë apo për biçikleta, por ai shteg është bërë rrugë e destinuar për vetura. Pra, kjo shëtitore ka thyer rregullat ligjore të ndërtimit të mbrojtjes së mjedisit dhe ujëvarës.
Këto janë shpjegime për këto shkelje:
Diga e ndërtuar nga Komuna e Malishevës nuk ka leje ujore, leje ndërtimore e as pëlqim mjedisor nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si institucion përgjegjës për mbrojtjen e resurseve ujore.
Territori i pellgut të lumit Mirusha është terren karstik dhe çdo ndërhyrje në shtratin e lumit ndikon në qarkullimin normal të ujit. Sipas vëzhgimeve në terren janë shumë faktor që kanë ndikuar në shterjen e lumit Mirusha.
Shfrytëzimi i ujërave nëntokësorë nga puset (bunarët)ka ndikuar në rrjedhjen e epërme të lumit Mirusha. Nga këto burime furnizohet pjesa më e madhe e vendbanimeve të komunës së Malishevës. Ka një shfrytëzimit të ujit pa kritere në shtratin e lumit Mirusha nga banorët e fshatrave përreth për ujitjen e tokave bujqësore. Prandaj, edhe penda e ndërtuar nga Komuna e Malishevës,ndikon në mos qarkullimin normal të ujit në shtratin e lumit Mirusha.
Lidhur me “Shëtitoren”, Komuna e Klinës ka bërë kërkesë në MMPH me datë 17.10.2019 për lejimin e ndërhyrjeve ne Monumentin e Natyrës – MNRV “Ujëvarat e Mirushës”. Komisioni profesional i emëruar nga ministria i ka kthyer përgjigje ku e ka njoftuar Komunën e Klinës se duhet të jep Leje Mjedisore Komunale. Siç e ceka dhe me parë ndërtimi i kësaj shëtitoreje thyen rregullat e ndërtimit për mbrojtjen e ujëvarës dhe parkut në përgjithësi.
Problem tjetër për lumi Mirusha është edhe shkarkimi i ujërave të zeza në të. Prioritet i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Komunës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit duhet të jetë ndërtimi urgjent i kolektorit për ujëra të zeza.
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit duhet të rritë nivelin e mbikëqyrjes dhe fondet për mirëmbajtjen dhe promovimin e monumenteve natyrore me rëndësi të veçantë, siç janë Ujëvarat e Mirushës duke qenë se sipas IUCN, zona i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”.
Në vitin 2012 Qeveria e Republikë së Kosovës ka shpallur Ujëvarën e Mirushës Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë. Sipas jush si aktiviste pse po mungon dora e shtetit për t’i mbrojtur këto bukuri natyrore?
Dora e shtetit mungon, sepse fatkeqësisht këto 20 vitet e fundit natyra është konsideruar nga qeveria si biznes për përfitime të bizneseve apo ato personale dhe ende vazhdon ashtu të konsiderohet. Gjithashtu, çdo plan hapësinor në çdo komunë e kam përshtypjen që është planifikuar që në baza ligjore të lejohen gjëra të tilla të ndërtimit që ndikojnë në shkatërrimin e natyrës, e gjithë kjo ndodh për shkak se qytetarët nuk angazhohen të mbikëqyrin se çka po ndodh, prandaj qeveria vepron e lirë sipas agjendës së tyre përfituese.
Qeveria e përdor shpesh një arsyetim se këto ndërtime ndikojnë në zhvillimin e turizmit, por në anën tjetër ata vetëm po e dëmtojnë natyrën ku nuk riparohet më asgjë.
Degradimi i lumenjve është një pamje e neveritshme mjedisore në çdo anë që kap syri i njeriut si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri të shkaktuara edhe nga shteti edhe nga vet ne. Çka duhet bërë më shumë që të vetëdijesohemi për ta ruajtur natyrën tonë?
Degradimi vjen, siç e ceka më parë, nga një qeveri që e sheh natyrën si biznes dhe nuk ka vizion si ta mbroj atë, dhe në mungesë të këtij shembulli edhe qytetarët më pas e konsiderojnë në të njëjtën mënyrë. Vetëdijesimi për mbrojtjen e mjedisit duhet të fillojë së pari në familje e mandej në shkolla, klasat e ulëta, përmes ligjëratave rreth biodiversitetit dhe mbrojtës se natyrës, të kenë kopshte në shkollë ku fëmijët punojnë në to, të mbjellin pemë të ndryshme, po ashtu të kenë ekskursione në natyrë.
Gjithashtu, shteti duhet të jetë më rigoroz me gjoba ndaj atyre që hedhin mbeturina dhe e shkatërrojnë mjedisin, si dhe të angazhojnë sa më shumë inspektorë mjedisorë.
Një ndër kundërshtimet më të mëdha nga shoqëria civile dhe profesionistët e sektorit ka qenë ndërtimi i hidrocentraleve. Sipas jush sa do të ndikojë formimi i grupit hetimor parlamentar për Procesin e Licencimit, Operimit, Mbikëqyrjes dhe Operimit për Leje të Hidrocentraleve në Kosovë?
Formimi i grupit parlamentar për hidrocentralet do të ketë efekt në analizimin e procedurave të përgjithshme të funksionimit të hidrocentraleve. Duhet të bëhen edhe hulumtime mbi ato që janë duke vepruar në mënyrë ilegale dhe të ndërmerren hapa për shqyrtimin dhe ndalimin e funksionimit të tyre.
Në këtë aspekt do të kemi hidrocentrale funksionale që nuk dëmtojnë mjedisin e as biosistemet ujore e po ashtu do t’u mundësohet qytetareve qasja në ujë të pijes, e drejtë që u është cenuar deri më tani.
Ne besojmë që ky grup do të jetë transparent, i drejtë karshi ligjit dhe do të ketë fuqi ekzekutuese për shkeljet ligjore të bëra gjatë procedurave të lejimit të funksionimit të hidrocentraleve.
Është paralajmëruar që do të ketë disa aktivitete nga organizata të ndryshme mjedisore për mbrojtjen e ujëvarës së Mirushës. Cilët janë hapat që do t’i ndërmerrni?
Me 31.08.2020 në ora 17:00 në Termokiss se bashku me Kosova Wildlife Care, Qytetarët Aktivë si dhe Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit do të organizojmë një takim diskutimi me palë të ndryshme, ku do të ftojmë përfaqësues të Ministrisë dhe Komunës se Malishevës dhe Klinës si dhe të gjitha OJQ-të do jenë të ftuara, që së bashku të jemi një zë në mbrojtjen e Ujëvarës së Mirushës. Takimi do jetë me numër të limituar për shkak rregullores së pandemisë, por do të lidhemi edhe online që të jemi direkt për të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë.
Po ashtu, jemi në kontakt me WWF (World Wide Fund for Nature) të cilët janë duke na mbështetur dhe do të jenë në takim për Mbrojtjen e Ujëvarës se Mirushës.
Në ndërkohë një jurist dhe ekspert ujor janë duke analizuar dhe identifikuar të gjitha shkeljet ligjore që i ka bërë Ministria dhe Komuna dhe më pastaj në bazë të këtyre gjetjeve do të veprojmë si qytetarë së bashku.
Për fund një mesazh se përse duhet ruajtur dhe mbrojtur pasuritë natyrore të vendit tonë?
Nëse njeriu mendon që mund të jetojë pa natyrën, ai veçse ka vdekur. Ngjashëm, nëse mendon që është më i rëndësishëm se natyra dhe të gjitha kafshët në këtë botë, ai njeri i është dorëzuar egos dhe kjo ego do ta shkatërron gjithë natyrën në fund edhe atë vetë. Ne jemi një me natyrën, ashtu si e mbrojmë dhe kujdesemi për shtëpitë tona brenda mureve. Jashtë atyre mureve kemi shtëpinë që na mban të gjallë. Mos të harrojmë, natyrës nuk i duhet njeriu, njeriut i duhet natyra që të mbijetojë. Ne qytetarët duhet të ngremë zërin duke mbrojtur natyrën të gjithë së bashku./Motilokal
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!