“Ja pse Basha do behet kryeministër”, Gjekmarkaj: Fitorja e tij nuk do jetë ajo e kri minelëve. Ja ç’thote për Ramën

Publicisti Agron Gjekmarkaj rendit argumentet pse kreu i Opozitës do të fitojë zgjedhjet, e po ashtu analizon të gjitha shkaqet që do ta çojnë Edi Ramën drejt humbjes.

Advertisements

Gjekmarkaj shprehet se nuk duhet të ketë asnjë kompleks për të pranuar se Opozita vjen në pushtet sepse ka alternativë, dhe ka njeriun e duhur për kryeministër.

Në një intervistë për Gazetën MAPO, ai bën një parashikim se si do të jetë Basha kryeministër, dhe shpall se do të jetë aty për të bërë kritikun në çdo çast me të dhe qeverinë e tij

Advertisements

Zoti Gjekmarkaj, kohët e fundit në analizat e situatës politike dhe në mesazhet që ke dhënë, duket se ke një thirrje për të mbështetur pa rezerva Lulzim Bashën që të fitojë zgjedhjet dhe të vijë në krye të qeverisë. Ju njiheni mirë si një publicist pranë të djathtës, po keni pasur shpesh kritika për Bashën dhe lidershipin e PD. Pse ndodhi ky ndryshim kursi? Çfarë ka ndryshuar sipas jush?

Po jam i bindur që duhet mbështetur Basha sepse po na zihet fryma teksa dekori i demokracisë po na zë nën vete dhe me këdo që flas, do vetëm të ikë nga ky vend në mënyrë të pakthyeshme. Rama po i bën qytetarët të urrejnë veten dhe vendin. Basha është njëri prej nesh në shkollim dhe në sjelljen qytetare e familjare. Nuk kam parë tek ai shenja deliri, arrogance, divinizimi, karakteristika sundimtarësh këto. Asnjë syshkelje nuk i ka bërë botës së kr imit edhe pse asaj i ka paguar çmim elektoral. Unë nuk jam njëri prej atyre që mendon se Basha do vijë në pushtet se s’ka kush ta marrë. Përkundrazi, i bindur që suksesi nuk është i përjetshëm dhe dështimi nuk është gjithmonë fatal, e shoh atë si një kandidat që po i afrohet fitores meritueshëm pas një rrugëtimi 8-vjeçar aspak të lehtë. Basha është një lider që ka gabuar dhe që ka reflektuar në këtë trajektore, ka bërë disa beteja unike duke krijuar iluzione të mëdha e duke marrë ndëshkime po kaq të tilla. Për sa u përket kritikave të mia, nuk është se kam pendesë që i kam bërë. Unë, ashtu kam besuar në momentin që i kam shprehur.

Ato të gjitha kanë qenë nga zhgënjimi që opozita nuk dha maksimumin për ta mundur më herët Edi Ramën. Kjo “padije” i ka kushtuar vendit. Në disa prej tyre, koha më ka dhënë të drejtë. Në ndonjë jo, te të tjerat Basha ka mbërritur në pozicionet e mia apo të të tjerëve opinionbërës. Kursi im nuk ka ndryshuar sot po prej mbi dy vitesh, kur “mbarova” së thëni ç’kisha për të thënë ndaj Bashës dhe Opozitës për humbjen e vitit 2017 pa nxjerrë kurrë nga vëmendja kritike Edi Ramën sepse Qeveria mbetej problemi. Na ka qeverisur Edi Rama këto 8 vite të mjera dhe jo Basha. Shpesh, tek Opozita shfrynim frustrimet tona në pamundësi të ndryshimit të realitetit.

Në këto katër vite, Basha ka forcuar profilin e pjekurisë së tij politike, ka reaguar në të bërit opozitë dhe ka ndërtuar një komunikim më të prekshëm me shoqërinë. Folësit e Opozitës nuk duhet të kenë asnjë kompleks për ta “prezantuar” dhe “promovuar” kandidatin e tyre për Kryeministër. Stilemës së Ramës dhe ish-opozitarëve të idhnuar, prezent në mediaplanin e qeverisë “kush ta marrë Luli?”, t’i përgjigjen duke argumentuar, do ta marrë Lulzim Basha. Vendi e ka një alternativë më të mirë. Nga ai kemi edhe disa prova që duhen marrë në konsideratë. Pati tempizëm në rrugën e Kombit, ishte violinë e parë në procesin e integrimit në NATO dhe në atë të liberalizimit të vizave. Fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës me Edi Ramën, dhe eci me jo pak projekte, e aq më shumë, nuk e dëmtoi qytetin.

-A ndjeni ju se ka një frymë pro ndryshimit. Çfarë mendoni se do të ndodhte nëse do të kishim zgjedhje këtë të diel?

Po realisht perceptohet fryma e ndryshimit e cila nga shembja e Teatrit Kombëtar e këtej vetëm rritet. Me këdo që flas përtej bindjeve apo interesave të gjithë shfryjnë rënkime zhgënjimi. Po të kishte zgjedhje këtë të diel shoh tri rezultate. Opozita fiton zgjedhjet, Basha Kryeministër dhe Partia Socialiste, parti e dytë.

-Si i shihni raportet e partive që janë në koalicionin opozitar, në veçanti PD-LSI. A ka aty harmoni të plotë apo mund të ketë edhe rivalitete të ndryshme?

Deri tani i shoh raporte normale përtej ndonjë “goditjeje nën brez” që së fundi erdhi nga Presidenti me mesazhin pa atësi që shpërndau. Personalisht, nuk e kam gjykuar si negativ atë mesazh. Meta ka nevojë të karikojë elektoratin e partisë së tij duke iu afruar atyre një iluzion të prekshme pushteti, por, pse jo edhe të maksimalizojë numrat e veta. Ilir Meta nuk njihet për orekse të vogla edhe pse është “dobësuar” me dietë. Po kaq, Presidenti duket i vendosur për të shkuar në një përballje finale me Edi Ramën. Ai e di që për këtë duhet që edhe PD të lëvizë me vendosmëri, shpejt e fort. Në këtë kontekst, mesazhin e tij e shoh si një nxitje për të rritur energjinë dhe adrenalinën e përballjes. Meta e ka të qartë se, ndryshim do të thotë Basha Kryeministër. Atij nuk i mungon intuita dhe nuk ka rënë kurrë në sy për naiv. Rivalitetet janë të shëndetshme madje më shumë duhet të ketë, sepse, ato zgjojnë ndjeshmëri elektorale.

-Pas 8 vitesh të pranuara pothuajse me konsensus të gjerë, si keqqeverisje, Edi Rama na shfaqet sërish si një kandidat potencial për zgjedhjet që po vijnë. A është së pari kështu, dhe pse ndodh kjo sipas jush?

Vetëm formalisht Rama është një kandidat potencial. Më shumë fabulën e mandatit të tretë po e ngre sistemi i propagandës rreth tij. Para pak ditësh, dëgjoja mikun tim dhe gazetarin e njohur Mustafa Nano i cili gjykonte me fjalor të padenjë liderin e opozitës dhe i dukej e natyrshme që Rama të merrte një mandat të tretë pas 22 viteve pushtet real, pa ndonjë argument të qenësishëm. Deri këtu në rregull, se është brenda bindjeve të veta. Por si një person për të cilin ushqej stimë, e ftoj të bëjë një hulumtim logjik; Të shohë raportin mes premtimeve dhe realizimeve të kësaj qeverie në të dy fushatat e saj, të ndjekë jetën ekonomike të Edi Ramës, të ministrave, deputetëve, funksionarëve, kryetarëve të Bashkive, të drejtorëve dhe të nxjerrë konkluzionet e veta! Nëse do, le t’i gjykojë edhe intelektualisht e profesionalisht pa harxhuar kohë për ata që u larguan nga dekriminalizimi. Të gjykojë procesin e integrimit dhe ngecjet në të, produktin e reformave ekonomike e politike, të bëjë listën e tenderave publikë në 8 vite dhe të koncesioneve e të shohë kush i ka marrë dhe si janë realizuar, po kaq raportin me mediat, ligjin e antishpifjes, një televizion i mbyllur për të cilin taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 110 milion euro, një tjetër nën sekuestrim i rrethuar me policë të armatosur rëndë si në ndonjë vend ku sapo është kryer një grusht shteti, të pyesë ndonjë pensionist, polic, mësues, në i është rritur pensioni apo rroga në këto vite. Po Republika e kanabisit, trafiku i drogës dhe kërcitja e pushkëve sokaqeve çdo ditë? T’i hedhë një sy listave të INSTAT-it sa shqiptarë e kanë braktisur vendin në këto dy mandate, në fund, një analizë teksti ligjërimit të Edi Ramës, gjuhës në parlament dhe jashtë tij, krahasimin e PS-së së Nanos meqenëse kishte ditëlindjen para pak ditësh dhe Rama e uroi me Rilindjen e sotme, si ka evoluar demokracia e brendshme ku bëhej debat i ndezur e i gjallë te memeclleku aktual, dhe nëse arrin në përfundimin që ky burrë meriton një mandat të tretë, hallall i qoftë Muçit dhe Ramës.

-A besoni se ekipi që do nxjerrë Basha para zgjedhjeve, si drejtuesit politikë, kandidatët apo njerëzit me të cilët mund të qeverisë nesër, do të jetë një befasi, një surprizë. A besoni se zgjedhja e tij do të jetë e duhura.

Unë mendoj që efekti surprizë është një bonus më shumë. Mbase ekipi i Bashës janë këta që shfaqen në deklaratat publike nga selia e PD ose në TV, por duhet të na e thotë një ditë që të mësohemi t’i gjykojmë si të tillë, sepse të gjithë presim një gjë sa përfaqësuese po aq edhe moderne, një trupë grash e burrash që ta befasojë shoqërinë, që ka humbur besimin te politika, pozitivisht. Unë besoj që do të kemi një miksazh mes personazheve të partisë dhe të tjerëve që mund t’i bashkohen asaj partie si risi apo pas një procesi hapjeje. “E duhura” është një koncept relativ, varet nga këndvështrimi. Unë jam natyrë kritike dhe nuk jam shumë optimist për mënyrat se si kompozohen qeveritë në këtë vend. Të shohim nëse Basha do jetë ndryshe edhe në këtë pikë. Por, e imagjinoj veten pas disa muajve të pushtetit PD-LSI më shumë përballë sesa në krah siç e thatë ju në fill të kësaj bisede, pa ndjerë komplekse në të mbeturit apo të qënurit i djathtë se këtë certifikatë ia jap vetë vetes dhe nuk pres të ma firmosë njeri. Mendoj që në çdo rast, duhet t’i bësh betejat me pushtetin dhe jo opozitën por rëndësi sot ka që pushteti të ndërrojë sepse nëse ai vazhdon do modifikohet thelbi i opozitarizmit në këtë vend si praktikë e teori.

Duke qenë se besoni se ndryshimi do të ndodhë, dhe PD e Opozita do të vijë në pushtet, si e shihni Lulzim Bashën si kryeministër. Çfarë do të ndryshojë në profilin e tij, dhe cilat janë pritshmëritë kryesore që keni?

Së pari, mendoj që Basha nuk do t’i irritojë qytetarët me arrogancë apo prepotencë, as do jetë paternalist as mesianik. Më duket i duhuri, një njeri normal për një shoqëri normale që nuk i dhunon njerëzit çdo ditë të lume, herë me fjalë e herë me fakte. Do preferoja ta shihja si shefin e një grupi me personalitete qeverisëse dhe jo me qyqarë që rendin t’i bëjnë qejfin orë çast. Një defekt që nuk e ka korrigjuar në masën e duhur në drejtimin e PD-së deri në momentin e kthesës derisa krijoi Komisionin e seleksionimit të kandidatëve për deputet, duke e zvogëluar shumë pushtetin e tij personal dhe duke pranuar autoritetin e Bujar Nishanit, Besnik Mustafajt, Mark Markut, Genc Rulit dhe Enriketa Papës. Fakti që, sistemin e drejtësisë, do ta ketë kundër për një farë kohe, për mua është ngjarje pozitive dhe do ta shtojë përgjegjësinë e ekipit të tij. Pritshmëritë janë shumë, korrigjimi i të gjitha atyre arsyeve që përmenda më sipër pse Rama duhet të ikë. Basha duhet të mobilizojë gjuhën shqipe në maksimumin e saj që shqiptarët të mobilizohen për të rrëzuar një qeveri që erdhi me votë, por që duket se nuk ikën vetëm nëpërmjet saj, nëse ajo nuk është masive dhe e sigurt. Programi ekonomik dhe institucional që paraqet duket serioz pikërisht në kohën kur ekonomia dhe shteti janë në zgrip të mbijetesës. Fitorja e Bashës nuk është fitore e kriminelëve lokalë e qendrorë as e kanabisit, por e njerëzve të zakonshëm me vese e virtyte që te dita e votimit gjejnë momentin e rebelimit.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“Mjaft e degraduat Kuvendin”- Presidenti apel të fortë palëve politike: Hapni 100% listat e kandidatëve!
Artikulli tjetërKapet “mat”! Jeta jashtë kamerave e Lulzimit të “Përputhen”, i bëhet ves dalja me disa vajza njëkohësisht