Dhjetëra mësues në të gjithë vendin janë privuar nga mësimi në klasa pas rezultatit pozitiv me Covid-19, vetëm disa ditë para 14 shtatorit.
Advertisements
Rikthimi në banka i nxënësve nxjerr zbuluar çdo ditë raste të reja, të cilët janë njohur me mësuese të reja ose nuk zhvillojnë fare mësim për një periudhë kohe. Një gjë e tillë veçse ka shtuar më tepër ankthin e pasigurinë te prindërit. Infektimi i disa mësuesve ka vënë në pikëpyetje mësimin, por jo mbylljen e shkollave.
SITUATA NË VERI
Advertisements
Vetëm njëra nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, ajo e Lezhës, numëron 15 mësues në sistem, por jashtë shkollave. Ata nuk e kanë nisur ende punën, pasi ata ose familjarë të tyre janë të infektuar me koronavirus. Të dhënat i bën me dije kreu i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Bardhok Pulaj. Sipas tij, shifrat nuk janë shqetësuese. “Nuk është një numër shumë i madh. Shpresojmë të mos ketë rritje të numrit të tyre nga kontaktet që kemi në shkolla. Po e ndjekim çdo ditë hap pas hapi situatën, që të marrim masa në kohë rekord. Kemi mësues në dispozicion për të bërë zëvendësimet”.
Veç pandemisë, jo pak shkolla përballen edhe me pasojat e tërmetit që ka lënë mijëra nxënës pa godina. Duke qenë se procesi i rindërtimit të tyre nuk ka përfunduar, në 109 shkolla (9-vjeçare e të mesme), kryesisht në Kurbin dhe Lezhë, mësimi bëhet me katër turne, çka ka vështirësuar mësimin për nxënësit dhe menaxhimin e situatës për Zyrat Vendore të Arsimit.
FIER
Në tri shkolla të Fierit janë identifikuar raste pozitive me Covid në radhët e nxënësve. Ndonëse gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme, nxënës të shkollave publike “Naim Frashëri”, “Jakov Xoxa” dhe “Penellopi Piro” janë izoluar në shtëpi deri në marrjen e përgjigjes së tamponit. Ndonëse nuk ka ende një numër të saktë të fëmijëve të infektuar, rastet e shfaqura në shkolla në ditën e tretë të fillimit të vitit shkollor kanë ngritur dyshime mbi zbatimin e protokolleve. Kur nuk kishte nisur ende shkolla, një mësuese në të njëjtin qytet rezultoi e infektuar.
DELVINË
Edhe institucionet arsimore të Delvinës nuk i kanë shpëtuar infektimit. Bëhet fjalë për një çerdhe, kopsht e shkollë, ku në secilën prej tyre ka nga një personel me Covid-19. Më shqetësuese paraqitet rasti i një mësueseje që jepte mësim në tri shkolla, “Xhelal Berberi”, “Kosta Cavo” dhe shkollën e fshatit Lefterhor. Ndërsa edukatorja punonte në kopshtin e fshatit Fushë-Vërri dhe sanitarja e kopshtit qendër. Të gjitha institucionet e lartpërmendura mësohet të kenë qenë dje të kyçura, ndërsa nuk ka ende një vendim se kur do të hapen.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!