Qeveria ka vendosur t’u japë bluzave të bardha arsye për ta menduar dy herë ikjen nga vendi.
Advertisements
Edhe dje, Kryeministri Edi Rama u zotua sërish për të rritur pagat e mjekëve dhe infermierëve, por këtë herë foli edhe me shifra. Bëhet fjalë për një rritje të konsiderueshme, 40 për qind, nga e cila do të përfitojë i gjithë personeli mjekësor. Thesi i buxhetit të shtetit do të hapet edhe për mësuesit, por për ta nuk ka diçka konkrete. Deri në fund të vitit pritet të bëhen përllogaritjet e shtesave mbi pagë, të cilat do të reflektohen dhe hyjnë në fuqi në vitin 2021.
DEKLARATA
Advertisements
Nga materniteti i sapoinauguruar i Beratit, Kryeministri së bashku me ministren e Shëndetësisë bëri me dije se ndërhyrjet në infrastrukturë do të shoqërohen me ato në buxhet. Në këtë linjë, përfitues do të jenë edhe arsimtarët, si pjesë e një premtimi të bërë që në fillim të mandatit të dytë dhe që do të implementohet vetëm disa muaj në përfundim të tij.
“Ajo që është qershia mbi tortë në të gjitha ndërhyrjet, është ndërhyrja që do të bëjmë me këtë buxhet te pagat; për pagat e mjekeve, infermierëve, personelit mjekësor. Do të bëjmë një ndërhyrje të fortë dhe rritje të konsiderueshme. Akoma nuk po flasim me shifrën finale, por besoj se do të arrijmë në 40% që po e konkludojmë këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar bashkë me pagat e mësuesve, duke plotësuar një zotim të marrë për një rritje 40% në këtë 4-vjeçar që po mbyllim. Duam të shkojmë atje, pra, kemi bërë një rritje të konsiderueshme në proces”.
Qëllimi kryesor i qeverisë me këtë vendim në kohë pandemie, ku kërkesa për bluza të bardha është më e lartë se asnjëherë, ndërkohë që “rrjedhjet” e tyre në botë vazhdojnë, është të zbusë disnivelin e pagave. “Nuk ka pse diferenca mes pagës së këtushme dhe pagës së bonusit të jetë kaq e lartë. Ndërkohë që do të mbetet diferenca, por ata që punojnë aty ku banojnë, do të kenë një pagë shumë më të mirë, edhe për infermierë, edhe për mjekë. E aty s’besoj që jemi më në vrap me kohën. Sigurisht, e mira s’ka fund, por të paktën vendosim një pagë që është superdinjitoze dhe pa dallim nga të tjerët në rajon, së paku. Por llogaria që bëjmë duke pasur parasysh edhe taksën që është goxha më e ulët se në vendet e tjera, është që çfarë u çoni fëmijëve dhe familjeve në shtëpi, ta meritojë gjithë mundin e jashtëzakonshëm që ju bëni”, deklaroi Rama në bisedën me mjekët e maternitetit të Beratit, teksa kërkon t’i bindë se një ikje e mundshme kudo gjetkë ka vështirësitë e veta.
“Aty vërtet mund ta keni pagën më të lartë, por sidoqoftë paguan taksa, ka më shumë shpenzime qiraje e të tjera. E duke ruajtur bonusin, veçanërisht për ata që lëvizin nga qendra e tyre, por duke financuar në mënyrë dinjitoze ata që janë aty ku janë, pasi jeni këtu, banoni këtu, punoni këtu”. Nismën për rritjen e pagave, Kryeministri e ka përfolur që në muajin gusht, duke ngjallur reagimin e opozitës, e cila e cilëson thjesht premtim elektoral.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!